Riakreditimi i Programit IPARD III dhe mbështetja financiare për fermerët ishin në qendër të mbledhjes së katërt të Komitetit të Monitorimit, ku mori pjesë edhe ministri i Bujqësisë, Andis Salla, së bashku me përfaqësues të Komisionit Europian, Delegacionit të BE-së në Shqipëri, strukturave zbatuese dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Gjatë takimit u diskutua progresi i arritur në përmbushjen e detyrimeve për Kapitujt 11, 12 dhe 13 të negociatave me Bashkimin Europian, si dhe hapat që do të ndiqen për modernizimin e sektorit bujqësor dhe zhvillimin rural.
Salla u shpreh se Programi IPARD III mbetet një nga instrumentet kryesore për mbështetjen e fermave dhe industrisë agro-përpunuese, me fokus rritjen e konkurrueshmërisë, forcimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Sipas ministrit, krahas fondeve të IPARD, mbështetja për sektorin do të vijojë edhe përmes Skemës Kombëtare 2026 dhe Instrumentit të Garancisë Sovrane, të cilat synojnë të krijojnë më shumë mundësi financimi dhe investimi për fermerët dhe agrobizneset shqiptare.
Komente











