TIRANË,12 Shkurt /ATSH/ - U mblodh sot për herë të parë për vitin 2015, Komiteti Ndërministror për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, kryesuar nga zv/Ministrja e Mjedisit, Oljana Ifti. Pjesëmarrës në këtë takim ishin zëvendësministrat e Ministrive të Linjës, donatorë të huaj që operojnë në fushën e menaxhimit të mbetjeve, përfaqësues të shoqërisë civile.
Në fjalën e saj Zv.Ministria Ifti theksoi se "përparimi më i madh përsa i përket administrimit të mbetjeve deri tani është bërë në fushën e legjislacionit. Legjislacioni mbi administrimin e mbetjeve në Shqipëri, ka përparuar me aprovimin e Ligjeve të reja, vendime dhe rregullore/udhëzime që pasqyrojnë direktivat/vendimet e KE dhe kërkesat e Konventës së Bazelit."
Zv/Ministrja Ifti shtoi se për të përmirësuar situatën po punohet në disa drejtime si :hartimi i një legjislacioni të harmonizuar midis sektorëve specifikë, në përputhje me atë të KE-së, si dhe zbatimi i tij, qartësimi i detyrave të pushtetit qendror dhe atij vendor, nxitja dhe implementimi i skemave të grumbullimit dhe ndarjes së mbetjeve në burim. "Edukimi i publikut është një tjetër drejtim për të përmbushur standardet mjedisore në administrimin e mbetjeve. Po punohet gjithashtu për rritjen e tarifës, që t'i përgjigjet kostos së menaxhimit të mbetjeve sipas parimit "Ndotësi paguan", ndwrtimin e landfilleve rajonale, mbylljen e venddepozitimeve ekzistuese deri në vititn 2020 si dhe nxitjen e partneriteti publik privat"- tha Ifti.
Gjatë mbledhjes të pranishmit dëgjuan rekomandimet dhe propozimet e grupit këshillimor të drejtuar nga Mihallaq Qirjo i cili prezantoi rekomandimet mes të cilave; nevoja e standartizimit të menaxhimit të mbetjeve si dhe rishikimin e strategjisë së Mbetjeve të vitit 2011. Më pas u bënë disa prezantime mbi projektet e Qeverisë Zviceriane për përcaktimin e indikatorëve për realizimin e standartizimit të taksave në fushën e mbetjeve. Gjithashtu u prezantuan disa gjetje për identifikimin e problematikave për menaxhimin e mbetjeve urbane nga autoritet lokale. Në fund të mbledhjes Komiteti përcaktoi planin e punës për vitin 2015./a.g/










