Reforma Zgjedhore online, miratohet kalendari i punimeve! Deputetët e Bardhit dhe Berishës bllokojnë sërish mbledhjen, me zhurmues në sallë

TIRANË-  Pas më shumë se dy vitesh ngërç, puna e komisionit të Reformës Zgjedhore ka rinisur. Bllokimi me zhurmues dhe zaptimi i karrigeve nga deputetët e Berishës dhe grupit të Bardhit e bëri të pamundur zhvillimin e mbledhjes fizikisht, ku nuk ishin paraqitur përfaqësuesit e PD.

Kjo detyroi thirrjen online të komisionit, që në mbledhjen 20 minutëshe miratoi planin e punës dhe programin. Deri në fund të marsit do të adresohen të gjitha çështjet për të dalë me një draft konkret.

Në mbledhje morën pjesë nga opozita Enkelejd Alibeaj dhe deputeti Çollaku si anëtarë të përhershëm, ndërsa mungesën e deputetëve të grupimeve të tjera PD e kishte zgjidhur me deputetet Bane dhe Jakupllari si anëtare zëvendësuese

“Të gjitha rrymat janë të përfaqësuara. Nuk mund të paragjykojmë. Të na mundësojnë mbledhjen fizikisht ose të na bashkohen edhe online”, tha Gjiknuri.

“Mbledhjet duhet të zhvillohen në mënyrë fizike.  Konsultim i gjerë i të gjitha partive dhe rrymave, gjithëpërfshirëse”, tha Alibeaj.

Pasi bllokuan punën fizikisht edhe pse pa Nokën dhe Bardhin të përjashtuar, që këtë herë nuk u përpoqën të hynin me forcë, Rithemelimi e quan teatër të gjithë atë që po ndodh te zgjedhorja.

“E patë edhe sot një tjetër teatër të pështirë të përfaqësuesve të mazhorancës. Edhes sot u bojkotua mbledhja. E patë nënqeshjen e përfaqësuesve të mazhorancës. Thanë qartë se do të përpiqen të bëjnë votat për t’i bërë zgjedhjet kushtetuese”, tha Salianji.

Për mazhorancën situata është absurde.

“Po në qoftë se ata nuk vijnë ç’të bëjmë ne?”, tha Gjiknuri.

Bashkëkryetari Gjiknuri tha për Partinë Socialiste gjithkush është i mirëpritur dhe garantoi se veto s’do të ketë.

“Nuk e zgjidh dot këtë çështje, e vetmja mënyrë që ta zgjidhim këtë çështje është që t’i trajtoj ata të gjithë njësoj. Pra për mua janë të gjithë bashkëkryetarë. Unë heq dorë nga vetoja”, vijoi Gjiknuri.

Kujtojmë se mbledhja u bllokua edhe të premten e kaluar nga deputetët e Rithemelimit. Grupi Bardhi-Berisha kërkon ndryshimin e përbërjes së komisionit, ku në vend të Alibeajt kërkojnë të vendosin bashkëkryetar Oerd Bylykbashin e Rithemelimit. PD u shtriu dje dorën e bashkëpunimit që të ulen në diskutime dhe të dalin me një draft, ndërsa grupi Bardhi-Berisha i dërgoi dje letër Kuvendit dhe për dijeni ambasadorëve të QUINT-it, që të ndryshohet përbërja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:52
Reforma Zgjedhore online, Dash Sula: U mblodhën nga WC e vilës së Surrelit, po e mbajnë peng! Skenari i 'kërpëratës 2020' do të dështojë

Foto e publikuar nga Dash Sula

Deputeti i opozitës, Dashnor Sula, njëhërësh anëtar i Komisionit të Reformës Zgjedhore ka akuzuar maxhorancën dhe demokratët e Lulzim Bashës se kanë zhvilluar një mbledhje ilegale, pas takimit online.

Sula thekson se 7 deputetë të grupimit Basha, kanë 4 anëtarë dhe bashkëkryetarin në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ndërkohë që 47 deputetët e tjerë kanë vetëm një anëtarë.

“Vetëm përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin ilegal të Reformës Zgjedhore u mblodhën nga WC e vilës së Surrelit të Edi Ramës dhe bënë muhabet me njëri-tjetrin. Asnjë produkt, asnjë punë, asnjë mbledhje në 22 muaj. E mbajtën dhe vazhdojnë ta mbajnë të bllokuar Reformën Zgjedhore, duke vazhduar me njëanshmëri dhe pa opozitën!

Ripërsëritën të njëjtën gjë që bënë edhe 2 vite më parë në mbledhjen inaguruese të Qershorit 2022, me strategjinë e qartë për të vazhduar ta mbajnë të bllokuar reformën që duhet të ketë prioritet: eliminimin e shitblerjes së votës, shpërdorimit të burimeve shtetërore, lirinë e votës, administrimin korrekt të zgjedhjeve, rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, apo reflektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetutese për diasporën.

Mjafton foto më poshtë për të kuptuar sesa e drejtë është kërkesa e 90 % të deputetëve të opozitës (47 nga 55 deputetët e opozitës) për të caktuar ata vetë përfaqësuesit e vet. 1 bashkëkryetar i 4 anëtarëve që përfaqësojnë vetëm 7 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, provon edhe njëherë se të vetmen mënyrë të realizimit të Reformës Zgjedhore që njeh Edi Rama është përmes emërimit të opozitës. Skenari i “kërpëratës 2020” do të dështojë”, shkruan Sula.

Ora 12:47
Reforma Zgjedhore online, Gjiknuri thirrje Rithemelimit: Mos bllokoni zhvillimin e mbledhjeve, është në interes të opozitës

Bashkëkryetari i PS në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri ka dhënë një konferencë për mediat pas mbledhjes që u mbajt online. Gjiknuri i bëri thirrje grupit të deputetëve Berisha-Bardhi të mos pengojnë zhvillimin e mbledhjeve fizikisht, duke thënë se nuk e kupton përse bllokojnë diçka që është në interes të vetë opozitës.

“Synimi ynë është të çojmë punën përpara. Jeni dëshmitare që një pjesë e opozitës me veprime vandale e ka bërë të pamundur mbledhjen fizike të komisionit. Komisioni është gjithëpërfshirës, është ngritur nën frymën e përfaqësimit të rrymave politike që janë në Kuvend. Asnjë zë aty nuk është i pa përfaqësuar. Veto është më shemër të bllokuar, pretendimi i ngritur. Nuk duhet të mbahemi tek çështja e vetos, palët kanë ekspertet e përfshirë për të ndihmuar gjetjen e zgjidhjeve me rekomandimet e OSBE-ODIHR.

Vullneti i mazhorancës është që të dëgjoje të gjitha palët. Flukse e opozitës të vijnë me propozime konkrete. I bëj thirrje, mos pengoni zhvillimin e komisionit. Është në interesin tuaj, reforma i duhet edhe opozitës.

PS mund të jetë edhe e qetë me këtë kod Zgjedhor, pasi jemi parti në Pushtet dhe kemi një kod të aprovuar nga ODIHR. Mund të ketë nevojë të ndreqë disa probleme. Por mbi të gjitha opozita duhet të jetë e para e interesuar, se kuptoj si pengon diçka që është në interes të saj”, tha ai.

Ora 12:30
Miratohet online kalendari i punimeve për Reformën Zgjedhore

Anëtarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore kanë miratuar online kalendarin e punimeve.

Mbledhja u zhvendos online për shkak se deputetët e Bardhit dhe Berishës bllokuan msallën ku ishte parashikuar të zhvillohej mbledhja.

Ora 12:24
Mbledhja online e komisionit të ‘Zgjedhores’, Gjiknuri: Jemi të detyruar të diskutojmë kështu, për shkak të sjelljeve vandale të disa deputetëve

 

Bashkëkryetari i komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri tha se mbledhja po zhvillohet online në kushtet kur deputetët e opozitës po kryejnë sjellje vandale. Ai tha se në kushte kur deputetët e Rithemelimit dhe Bardhit bëjnë sjellje të tilla, komisioni është i detyruar të kalojë mbledhjet online.

“Do ishte e pavend t’i vihet faji administratës së Kuvendit ku deputetët hyjnë në sallat ku u takon të jenë dhe vendosin të bëjnë sjellje vandale. Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit kanë parashikuar masa për këta deputetë por nuk parashikohen masa të tjerë kur bëhet çdo veprim për të penguar mbledhjen. Varianti online nuk është i preferuari ynë por në kushte kur jemi të detyruar po e zhvillojmë kështu”- tha Gjiknuri.

Ora 12:20
Alibeaj në mbledhjen e online të ‘Zgjedhores’: Nikolla të mundësojë zhvillimin fizikisht, Kuvendi nuk është i një grupi deputetësh

 

Bashkëkryetari i PD në Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj në mbledhjen online i bëri thirrje Kryetares së Kuvendit që të mundësojë zhvillimin e komisionit fizikisht. Alibeaj sqaroi se përse po merr pjesë online, duke theksuar se prevalon interesi për të çuar përpara reformën zgjedhore.

“Thirrja ime i adresohet Nikollës, që të garantojë zhvillimin normal, efektiv të veprimtarisë së komisionit dhe jo vetëm. Nga ana ime do jetë kërkesë sistematike dhe insistuese që Nikolla të garantojë zhvillimin efektiv, fizik të veprimtarisë së komisionit. Jemi në këto kushte, dua të them diçka lidhur me pjesëmarrjen tonë. I qëndrojmë gjithmonë qëndrimit sipas rregullores që mbledhjet e komisioneve, do duhet të zhvillohen fizikisht. Ai është parlamenti jo i një grupi, disa deputetëve, jo i PS, por e të gjithë deputetëve që kanë të drejtë të shprehin mendimit, mbi të gjitha është parlamenti i shqiptarëve. Midis kësaj konsiderate dhe tjetrës që unë bie dakord, se ka një interes për ecjen para të Komisionit, prevalon ky i dyti. Prandaj bashkë me kolegët përfaqësues të PD marrim pjesë edhe në zhvillimin e kësaj mbledhje të radhës, të komisionit. Prandaj sot jemi prezent, unë Çollaku, Tase dhe Jakupllari", tha Alibeaj. 

Ai shtoi se përfaqësojnë vetëm idetë dhe sugjerimet e PD, të asnjë grupi tjetër. 

“Të adresojmë rekomandimet e ODHIR, të përsëritura disa episode elektorale. Veç kësaj edhe tre vendimet e GJK, që e bëjnë të detyrueshme ndërhyrjen për të mbushur vakumin ligjor. Në këto kushte, për aq sa përgjegjësi kemi si përfaqësues të PD, mbaj përgjegjësi dhe përfaqësi që ne përfaqësojmë një pjesë të opozitës, pa marrë përsipër të përfaqësoj se ca janë idetë, interesat, pikëpamjet e partive të tjera, rrymave dhe flukseve të tjera. Kjo mënyrë ndoshta është jo optimale, por mjaftueshmërisht e kënaqshme, sipas Kuvendit çdo parti ka të drejtë të propozojë draftamendamente për Kodin Zgjedhor. Ne kemi detyrimin që për publikun të bëjmë me dije se cilat janë pikëpamjet tona se si duhet të jetë Kodi Zgjedhor”, tha Alibeaj.

Ora 12:07
Deputetët e Berishës dhe Bardhit bllokuan sallën, nis mbledhja online e Komisionit të Reformës Zgjedhore! Merr pjesë edhe Alibeaj

Ka nisur online mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore, pasi salla u bllokua sërish nga deputetët e Berishës dhe Bardhit.

Online po merr pjesë edhe bashkëkryetari i PD, Enkelejd Alibeaj.

Ora 10:38
Bllokimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore, mbledhja zhvendoset online

 

Komisioni i Reformës Zgjedhore do të mblidhet online në orën 12:00. Pasi deputetët e Berishës dhe Bardhit bllokuan sallën, Komisioni është zhvendosur online.

Ora 10:21
Bllokoi mbledhjen e komisionit për ‘Zgjedhoren’, Salianji akuza deputetëve të Bashës: Nuk u shfaqën as sot, bojkotuan siç kanë bërë për 2 vite

 

Deputeti Ervin Salianji ka dhënë një deklaratë për mediat pasi së bashku me deputetët e Rithemelimit dhe të grupit të Bardhit bllokoi për të dytën herë mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Ai e quajti mbledhjen një teatër ndërsa tha se bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj dhe anëtari Kreshnik Çollaku bojkotuan edhe sot mbledhjen e komisionit duke mos u paraqitur.

“E patë edhe sot një teatër tjetër i pështirë i përfaqësuesve të mazhorancës, pavarësisht se 7 deputetët që kanë marrë me dhunë përfaqësimin në komisionin e Reformës Zgjedhore sot bojkotuan mbledhjen siç kanë bërë për 2 vite me radhë. Kjo është tallja dhe pengmarrja që u kanë bërë përfaqësuesve që kanë dalë me vota të PD-së”- u shpreh Salianji.

Ora 10:14
Dështon sërish mbledhja e komisionit të Reformës Zgjedhore, Rithemelimi bllokon punimet! Grupi Basha nuk paraqitet

 

Ka dështuar sërish mbledhja e dytë e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Rithemelimi nuk lejoi zhvillimin e mbledhjes dhe anëtarët socialistë u larguan nga salla pas debateve.

“Për çfarë paguhemi, për çfarë vijmë ne këtu”, dëgjohet të thotë Ervin Salianji duke iu drejtuar Damian Gjiknurit.

Ora 10:12
Vokshi i zë vendin Gjiknurit, debate në Komisionin e Reformës Zgjedhore! Rithemelimi me zhurmues në sallë

 

Deputetët socialistë janë futur në sallën ku ishte parashikuar të mbahej mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Deputetët e Bardhit dhe Berishës kanë bllokuar sallën dhe kanë zënë karriget dhe kjo ka nxitur debat me mazhorancën.

Grupi i Bashës nuk është paraqitur.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës