Trafikantët e drogës janë gjithmonë në kërkim të mënyrave të reja për të ruajtur parcelat e tyre të kultivuara me kanabis që të mos kapen nga policia. Një rast mjaft i sofistikuar është zbuluar në Tropojë, ku dy trafikantë kishin mbjellë me kanabis një parcelë tokë në pyllin e fshatit Kovaç.

Mënyra se si kishin zgjedhur ta ruanin parcelën nga zbulimi i policisë ishte sa origjinale aq edhe e rrezikshme. Parcela monitorohej nga kamerat e sigurisë që ishin vënë në degët e pemëve përreth, ndërsa zona e mbjellë me kanabis ishte e rrethuar me një fill sintetik i lidhur me dy granata që të shpërthenin sapo një person të prekte fillin.

Kjo parcelë u zbulua nga policia në 28 shtator 2021, në pyllin e fshatit Kovaç, ndërsa sot ra në pranga trafikanti Agron Hoxhaj, 51 vjeç, ndërsa është ende në kërkim Bekim Çelaj, 22 vjeç.

Dy trafikantët janë të dyshuar si autorë edhe të një rasti tjetër të kultivimit të bimëve narkotike, në vitin 2020  në fshatin Hoxhaj.

 

Kamerat, kanabisi dhe granata kurth