Në Ditën Ndërkombëtare për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë, në kuadër të fushatës “Mbrojtja Civile në Turne 2025”, së bashku me UNDP Albania dhe Bashkinë e Elbasanit, ministria e Mbrojtjes zhvilloi aktivitetin ndërgjegjësues për rëndësinë e parandalimit, përgatitjes dhe reagimit të koordinuar ndaj rreziqeve natyrore dhe emergjencave.
Në aktivitet morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, si dhe përfaqësues nga Prefektura e Qarkut Elbasan dhe institucione të tjera vendore.
“Gjatë aktivitetit, informuam dhe ndërgjegjësuam qytetarët mbi mënyrat e mbrojtjes, veprimet që duhen ndërmarrë në situata emergjente dhe rëndësinë e bashkëpunimit për ndërtimin e komuniteteve më të sigurta dhe më të qëndrueshme. Gjithashtu, qytetarët u njohën me pajisje të emergjencës, materiale ndërgjegjësuese, udhëzues praktikë dhe aktivitete ndërvepruese mbi mënyrat e reagimit në situata të rrezikut”,- thuhet në njoftim.
Gjatë aktivitetit pati një ndalesë në shkollën e mesme “Kostandin Kristoforidhi”, ku u organizua një simulim i një emergjence nga zjarri. Nxënësit, nën drejtimin e mësuesve dhe ekipeve të zjarrfikësve, shërbimit të urgjencës mjekësore dhe vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar, demonstruan mënyrat e evakuimit dhe reagimit në raste emergjente, duke treguar rëndësinë e njohjes së procedurave të mbrojtjes dhe vetëndihmës.
Komente











