Ditën e sotme ministrat e Mbrojtjes së Izraelit dhe Greqisë nënshkruan një marrëveshje sigurie, lidhur me sistemin e mbrojtjes ajrore ‘Mburojën e Akilit’.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se kjo marrëveshje është një nga më të mëdhatë në historinë e Izraelit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Netanyahu tha se marrëveshja është një tjetër demonstrim i potencialit të madh të industrive të mbrojtjes dhe teknologjisë së Izraelit.

“Marrëveshja e sigurisë e nënshkruar sot me Greqinë, një nga më të mëdhatë në historinë e vendit, është një vazhdim i drejtpërdrejtë i aleancës së Mesdheut Lindor që krijuam një dekadë më parë me Greqinë dhe Qipron. Ajo shërben si provë e mëtejshme e aftësive të jashtëzakonshme të industrive të mbrojtjes dhe teknologjisë së Izraelit. Ky veprim shpreh forcën e Izraelit, besimin në eksportet tona të mbrojtjes dhe forcimin e aleancave rajonale", shkroi kryeministri Netanyahu në rrjetet sociale.

"Mburoja e Akilit" është emri që Greqia i ka vënë sistemit të ri të mbrojtjes ajrore, me të cilin synon të mbrohet nga raketat balistike, sulmet ajrore dhe dronët. Projekti me vlerë 3.5 miliardë euro do të ndërtohet me teknologji izraelite dhe është pjesë e planit të Athinës për modernizimin e forcave të armatosura.

Teksa ndodhet në konflikt të vazhdueshëm me Iranin dhe grupet e financuara prej tij në Lindjen e Mesme, Hezbollah dhe Hamas, Izraeli po përpiqet në mënyrë të vazhdueshme të zgjerojë aleancat ndërkombëtare.