Mungesa e infrastrukturës dhe kushtet jo të mira për qëndrimin dinjitoz të të dënuarve bënë që ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, të japë dritën jeshile për mbylljen e burgut të Bënçës në fund të muajit tetor, propozim që daton dy vite më parë. Me mbylljen përfundimtare, përveç të burgosurve që po transferohen nëpër burgje të tjera për shlyerjen e dënimit, ky vendim sjell edhe lëvizje të punonjësve. Zyrtarisht, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i tha Report Tv se organika në total e burgut të Bënçës ishte me 113 punonjës, nga të cilët 33 staf civil dhe 80 të tjerë efektivë të policisë së burgjeve. Megjithatë, organika nuk ka qenë e plotë në momentin e daljes së urdhrit, me 74 policë dhe 30 staf civil që përfshin stafin shëndetësor, juristë, ekonomistë, sociolog, psikolog dhe staf mbështetës.
Burgjet thonë se pas njoftimit të mbylljes së Bënçës, stafi është vënë në dijeni dhe ka nisur një proces i marrjes së pëlqimit për transferimin e tyre në të njëjtat pozicione në burgun më të afërt, atë të Fierit, por edhe në të tjerë, nëse ka vakanca. Kështu, deri më tani, 28 efektivë të policisë kanë pranuar të transferohen. 25 prej tyre punojnë tashmë në Fier,3 të tjerë, përkatësisht në burgun “Mine Peza” në Tiranë, një tjetër te “Jordan Misja” dhe një në Vlorë.
Një pjesë tjetër e punonjësve policë të burgut të Bënçës që nuk dhanë pëlqim për transferim, do të lirohen nga detyra dhe rrjedhimisht do të trajtohen me pagesë kalimtare, siç e parashikon ligji. Kjo pagesë është një formë dëmshpërblimi financiar që jepet për të zbutur lëvizjen, deri në 2 vjet pas lirimit. Në këtë mënyrë do të trajtohen në total 28 punonjës policie, 3 prej të cilëve të rolit të mesëm dhe 25 të rolit bazë. Për pjesën tjetër të stafit policor prej 18 punonjësish po vijojnë procedurat për transferim pasi kanë dhënë pëlqim.
Për stafin civil prej 30 punonjësish nuk kanë nisur ende procedurat e transferimit, por kanë marrë dijeni lidhur me vendet vakante në burgun e Fierit, për punonjës social, psikolog, magazinier, mjek, infermier dhe specialist për ushqimin, me qëllim vijimin e marrëdhënieve të punës brenda sistemit të burgjeve. Periudha e transferimit të punonjësve do të varet nga kushtet e dorëzimit të detyrës dhe kryerjes së procedurave për mbylljen përfundimtare të burgut të Bënçës.
Ministria e Drejtësisë, në harkun kohor të pak viteve, mbyll 2 burgje në vend për shkak të kushteve të vështira. Më herët ishte burgu i Zaharisë në Krujë që u kyç dhe Burgu i Grave në “Ali Dem” në kryeqytet. Qeveria planifikon mbylljen edhe të disa burgjeve të tjera dhe ndërtimin e të rinjve, në mënyrë që të dënuarit të përfitojnë trajtim optimal sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Komente










