BKH ka mbyllur fazën e parë të testimit të kandidateve për hetues, ku nga 653 persona që aplikuan janë skualifikuar 229. Report Tv mëson se fituesve u është raportuar se do të kalojnë në fazën e dytë, që është ajo e nënshkrimit të testit të Arsyetimit Logjik me shkrim. Nga 424 hetues që kanë kaluar fazën e parë prej tyre do të zgjidhen 60 hetues që më pas do të trajnohen nga FBI dhe do të përbëjnë të gjithë grupin e hetuesve në BKH, e cila do të hetojë zyrtarët e lartë të përfshirë në krim dhe korrupsion. Shqiptarja.com ka zbardhur listën e plotë të emrave që janë kualifikuar për fazën e dytë. Ajo që vihet re në listën e 424 të kualifikuarve janë 101 gra, një pjesëmarrje e konsiderueshme e tyre.

Në listën e hetuesve është edhe Ardian Nezha ish drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit qe doli nga sistemi me dorëheqje. Ardian Nezha ka qenë prokuror për gati 10 vite tek Krimet e Renda. Gjithashtu në listë është edhe Artur Mersini shef komisariati në Has dhe Astrit Rapce oficer policie komisariati 1 në Tiranë.

Testi i Arsyetimit Logjik zhvillohet për të vlerësuar aftësinë e kandidatit për të menduar në mënyrë kritike. Pyetjet kanë lidhje me arsyetimin induktiv dhe deduktiv, duke përdorur si pjesë tekstesh ashtu edhe informacion numerik. Testi i Arsyetimit Logjik zgjat 1 orë dhe përbëhet nga 30 pyetje .Testimi do të zhvillohet në dy faza.

Ky proces asistohet dhe monitorohet nga afër edhe nga Komisioni Ndërkombëtar i Ekspertëve për të garantuar transparencë dhe objektivitet maksimal në këtë proces. Për procesin e përzgjedhjes së hetuesve mes 653 kandidatëve, drejtuesja e BKH-së, Aida Hajnaj tha se do të jetë një proces i drejtë, objektiv dhe transparent.

Gjatë kohës së aplikimit, edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim ka bërë disa herë thirrje ku inkurajonte hetuesit e rinj se kishte ardhur koha që të merrnin veprime konkrete kundër krimit të organizuar në Shqipëri. 

BKH është një institucion i dalë nga Reforma në Drejtësi, ose drejtësia e re dhe do jetë struktura hetuese e prokurorëve të SPAK, për të luftuar krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeverisëse.

(Kliko këtu për të lexuar Lista fituese e aplikanteve perfundimtare)

Udhëzimet mbi zhvillimin e testit