Sot ishte numri i fundit i gazetës "Shqip" në versionin print, pasi nga dita e nesërme ajo nuk do të jetë më në tezga. Vendimi i bordit drejtues i paralajmëruar disa muaj më parë, është ekzekutuar ditën e djeshme. Numri i parë i “Shqip” doli në vitin 2006. Kjo gazetë ishte pjesë e grupit mediatik "Top Media", në pronësi të Vjollca Hoxhës, bashkëshortes së të ndjerit, Dritan Hoxha.

Edhe pse "Shqip"-i në print s'do ekzistojë më, e njëjta gjë s'mund të thuhet për versionin online. Pikërisht propozimi i drejtuesve mësohet të ketë qenë investimi në gazetën online, e cila shihet edhe si e ardhmja e gazetarisë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Zhvillimi i vrullshëm i medieve online ka eklipsuar gazetën klasike dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm. KIarakteristikat specifike që media online gëzon ka bërë që kjo formë të jetë dominuese në fokusin e lexuesit. 

Përditësimi moment pas momenti i lajmeve dhe ngjarjeve në një kohë kur çdokush ka mundësinë të ketë akses në një telefon celular apo kompjuter është një nga pikat më të forta të online-t. Ndërkohë që edhe interaktiviteti është një tjetër pikë e fortë e kësaj mënyre të zhvillimit të medias, lexuesi ka mundësinë të japë impaktin e tij ndaj lajmit në mënyrë fare të thjeshtë. Këto dhe karakteristika të tjera bëjnë që për një publik masiv gazeta online të jetë më lehtësisht e aksesueshme, por sigurisht që gazeta print ruan publikun e saj që është i interesuar për analiza të thelluara.



Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com