Kreu i Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve Roland Ilia deklaroi sot se, KPK verifikoi 805 subjekte rivlerësimi, nga të cilat 373 vendime u dhanë për konfirmim në detyrë, 268 vendime u dhanë për shkarkim nga detyra.
Në konferencën “7 vite rivlerësim kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që shënon përfundimin e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe institucionit të Komisionerevë Publikë, ai tha se nga 805 vendime të dhëna nga KPK-ja, 89% e vendimeve të KPK-së kanë mbetur të pandryshuara.
‘Nga shkurti i vitit 2018 deri në 21 nëntor të vitit 2024, datë kjo që shënon edhe vendimin e fundit të Komisionit u verifikuan 805 subjekte rivlerësimi, nga të cilat 373 vendime u dhanë për konfirmim në detyrë, 268 vendime u dhanë për shkarkim nga detyra, 105 vendime për ndërprerje procesi, 8 vendime për pushimin e procesit, 49 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar dhe 2 vendime për pezullimin nga detyra. Deri tani, pra 805 vendime të dhëna nga KPK-ja, 89% e vendimeve të KPK-së kanë mbetur të pandryshuara dhe vetëm 11% e tyre kanë ndryshuar, tregues ky shumë i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e vendimmarrjeve të shkallës së parë të vetingut”, tha ai.
Ilia falënderoi për besimin edhe partnerët ndërkombëtarë të SHBA-së dhe BE-së.
'Partnerët tanë historikë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë dhe mbeten mbështetës të reformave të thella të ndërmara në vend, duke nisur me atë të vendosjes së ekonomisë së tregut, forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe së fundmi duke mbështetur fort reformën në drejtësi dhe vazhdimin e saj.
Reforma në sistemin e drejtësisë erdhi si rezultat i domosdoshmërisë për të konsoliduar pushtetin gjyqësor në disa aspekte dhe për të rikthyer besimin e publikut. Për këtë arsye, rivlerësimi i magjistratëve u bë një kusht i domosdoshëm për reformimin e thellë të këtij sistemi, detyrë kjo që iu besua tri organeve, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Institucionit të Komisionerëve Publikë dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit’, tha ai.
Lajmi kryesor: