Mbyllet pa lavdi Bursa e Tiranës
s'listohet asnjë kompani në 12 vjet

Mbyllet pa lavdi Bursa e Tiranës<br />s'listohet asnjë kompani në 12 vjet
TIRANE - Bursa e Tiranës është mbyllur përfundimisht, pa listuar asnjë kompani dhe pa tregtuar asgjë aksion gjatë gjithë jetës së saj prej 12 vitesh, duke dështuar në objektin e saj, atij të krijimi të një tregu kapitalesh në Shqipëri.

Sipas burimeve nga Ministria e Financave, pasi i ishte lënë tre muaj për të gjetur vetë të ardhurat për mbarëvajtjen e aktivitetit, së fundmi është firmosur shkresa e mbylljes së saj.

Bursa Tiranës u themelua në vitin 2002 në formën e shoqërisë aksionare, dhe ka funksionuar në përputhje me dispozitat e ligjit Nr.9901 dt. 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe të ligjit Nr.9879 dt.21.02.2008 “Për titujt”.

Objekti i veprimtarisë së Bursës së Tiranës sh.a ishte krijimi i një tregu kapitalesh apo titujsh duke krijuar një sistem tregtimi me anë të të cilit “ofertat për shitje, blerje apo këmbim të titujve kryhen apo pranohen rregullisht; oferta apo kërkesat kryhen rregullisht kur janë oferta apo kërkesa të paracaktuara apo janë te pritshme, që rezultojnë drejtpërdrejt apo tërthorazi në bërjen apo pranimin e ofertave për shitje, blerje, apo këmbim të titujve ose; jepet informacion rregullisht lidhur me çmimet dhe shpërblimet që persona apo grupe të veçanta propozojnë apo presin të shesin, të blejnë apo të këmbejnë tituj”.

Pse nuk funksionoi bursa
Ndërsa në shtetet e rajonit, zhvillimi i tregut të kapitale u mbështet nga shteti, me shumë vende që realizuar shitjen e ndërmarrjeve shtetërore përmes bursës, në Shqipëri forma e zgjedhur e privatizimit ishte përmes ankandeve, tendenave, apo bonove të privatizimit.

Nga ana tjetër, biznesi vendas ishte i pamaturuar për të kaluar në një stad më të lartë, atë të sigurimit të financimit përmes ofertave publike në bursë, teksa informaliti i lartë (puna me dy bilance, që sillte mosdeklarimin real të të ardhurave) ishte një tjetër pengesë që shoqëritë  t’i drejtoheshin bursës.

Shpresa e vetme për kompanitë shqiptare për të siguruar financime përmes tregut të kapitaleve tashmë mbetet vetëm plani për një bursë rajonale.

Bursa e Tiranës ka kryer aktivitet vetëm për një kohë të shkurtër pas vitit 2002, duke qenë agjen i qeverisë në tregun sekondar të letrave me vlerë, por edhe ky funksion i kaloi Bankës së Shqipërisë.

Studimi, pse nuk u zhvillua tregu i kapitaleve, shanset për bursë rajonale
Tanimë janë pjekur kushtet për zhvillimin e sektorit financiar jobankar në Shqipëri. Ky është një nga konkluzionet e një studimi të fundit të Alma Hasanaj, zv.president e Aksioner International Securities Brokerage sh.a. Në këtë studim, znj. Hasanaj është përpjekur të analizojë pikat e forta dhe të dobëta, mundësitë dhe kërcënimet e tregut të letrave me vlerë dhe Bursës së Tiranës. Referuar studimit në fjalë, Hasanaj analizon se, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, Bursa e Tiranës (BT) nuk ka arritur të bëhet tërheqëse për biznesin vendas. Kjo ka ardhur për disa arsye si: a) papjekuria dhe “frika” e biznesit për t’u listuar në BT; b) roli jombështetës i politikave të ndjekura nga Donatorët; c) mungesa e vullnetit politik për zhvillimin e BT.

Studimi thekson edhe rolin e qeverisë shqiptare, e cila mund të kishte bërë më tepër në drejtim të zhvillimit të tregut të kapitaleve nëpërmjet 1) Listimit të ndërmarrjeve shtetërore në bursë, duke përfshirë BT në privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha vendet e Europës Lindore që kanë ngjashmëri me Shqipërinë; 2) Caktimit të BT si “agjent” të qeverisë për emetimin e letrave me vlerë të borxhit publik në tregun primar; dhe 3) Krijimit të incentivave nxitëse për kompanitë, që listohen në BT.

Por, në fund, studimi konkludon se ekonomia e Shqipërisë ka nevojë imediate për zhvillimin e tregut të kapitaleve dhe çdo vonesë e mëtejshme do të sillte jëkosto reale. Gjithashtu rekomandohet që të shikohet mundësia për zgjerimin e aktivitetit në rrafshin gjeopolitik në rajon, Maqedoni, Kroaci, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, sepse krijimi i Bursës së rajonit do të ishte një faktor shumë pozitiv për zhvillimin e rajonit, si dhe kompanitë shqiptare do të kishin mundësi të rrisnin fondet përmes tregtimit të aksioneve.

Marrë nga "Revista Monitor"

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

PS rezolutë ant-korrupsion me opozitën! Basha: Barsaletë, janë kapur mat në dhjetëra afera

PS rezolutë ant-korrupsion me opozitën! Basha: Barsaletë, janë kapur mat në dhjetëra afera