Mbyllet panairi, Artan Fuga
shpallet autori i vitit në letërsi

Mbyllet panairi, Artan Fuga<br />shpallet autori i vitit në letërsi
TIRANE – Edicioni i 15-të i Panairit të Librit “Tirana 2012” u mbyll të dielën në mbrëmje në një ceremoni të veçantë, ku u ndanë 4 çmime. Mungoi këtë vit çmimi për autorin më të mirë në letërsinë për fëmijë, pasi siç u shpreh juria ky vit s’pati botime cilësore për të vegjlit.

Autori më i mirë i 2012 që përkon me jubileun e pavarësisë u shpall Artan Fuga, i cili në fakt nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Pallatin e Kongreseve.

“Autori i Vitit shpallet Artan Fuga për librin “Rënia e qytetit”, botim i shtëpisë botuese “Papirus”. Autori Fuga u vlerësua për mënyrën e re se si e shkruan qytetin si koncept, si jetesë dhe si metamorfozë”, tha anëtarja e jurisë Dhurata Shehri teksa i dorëzoi çmimin botuesit Benet Koleka.

Ndërkaq çmimin për përkthyesin e vitit e mori Rudi Erebara, për përmbledhjen poetike, “Tek era e kam shpëtimin”, të poetit amerikan Archibalt Ammons, i shtëpisë botuese “Aleph”. Çmimi u dorëzua nga shkrimtari Parid Teferiçi me motivacionin për guximin në përcjelljen në shqip të një autori të vështirë, por emancipues.

Këtë vit u dha edhe një çmim për Përkthyesin më të mirë nga gjuha frënge, ofruar nga Ambasada e Francës, i cili shkoi për përkthyesin Orgest Azizi për përkthimin e vëllimit të parë të librit “Historia e seksualitetit” të Michel Foucault, botim i UET Press. Përkthyesi u vlerësua për cilësinë e interpretimit të koncepteve filozofike të një vepre. Në mungesë të përkthyesit, i cili jeton në Paris, këtë çmim Ambasadorja Franceze në Tiranë ia dorëzoi babait të përkthyesit, Astrit Azizi. “Ambasada vetëm e ka mbështetur financiarisht këtë çmim”, tha ambasadorja Moro, “sepse përzgjedhja e fituesit është bërë nga juria”.

Çmimi special iu akordua Aleko Mingës për sjelljen në shqip të librit “Simfonia e numrave të thjeshtë” të Markus du Sautoy, botim i Institutit të Dialogut dhe Komunikimit me motivacionin “si stacion domethënës në rrugën e tij për popullarizimin e shkencës”. Çmimin e dorëzoi Fatos Baxhaku, anëtar i jurisë.

Përsa i përket botimeve të munguara për fëmijë, kreu i shoqatës së botuesve Petrit Ymeri tha se mungesa në tregun e librit të letërsisë dedikuar fëmijëve tregon se autorët shqiptarë nuk i qasen kësaj letërsie.

Në ceremoninë e mbylljes së panairit dhe ndarjes së çmimeve ishin të pranishëm ambasadorja franceze Christine Moro, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Fulvia Veneziani, diplomatë e politikanë. Juria përbëhej nga Arta Marku, Dhurata Shehri, Mirela Kumbaro, Fatos Baxhaku dhe Parid Teferiçi.

Në edicionin e 15-të të Panairit të Librit u paraqiten librat e mbi 100 botuesve nga treva të ndryshme shqiptare, por edhe universitete dhe shtëpi botuese të huaja. U ekspozuan për pesë ditë në Tiranë mbi 60 mijë tituj botimesh, ndër të cilët 1500 të rinj. Përveç prezantimit të librave në stendat përkatëse të shtëpive botuese dhe sallat e konferencave u zhvilluan më shumë se 60 promovime autorësh e librash të rinj. Sipas organizatorëve 100 mijë vizitorë kanë vizuar stendat e librave në panair. /r.d.shqiptarja.com/

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi