Pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të japin detaje mbi diskutimet dhe hapat e mëtejshëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Samiti i këtij viti bëri bashkë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviç, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, dhe anëtaren e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviç. Serbia mungoi për të dytin vit radhazi.
Në prag të takimit, liderët e rajonit shprehën pritshmëri të ndryshme nga Brukseli. Kryeministri Edi Rama kërkoi më shumë guxim nga Bashkimi Europian për të avancuar integrimin, Albin Kurti e cilësoi urgjente dhënien e statusit të vendit kandidat për Kosovën, ndërsa Mali i Zi shprehu ambicien për t’u bërë anëtari i 28-të i unionit deri në vitin 2028.
Një nga çështjet kryesore në axhendën e samitit ishte se si vendet e Ballkanit Perëndimor mund të përfitojnë nga integrimi gradual në BE, edhe përpara anëtarësimit të plotë. Përmes Planit të Rritjes, të prezantuar në vitin 2023, Bashkimi Europian ka parashikuar deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime, me synim afrimin ekonomik të rajonit me unionin dhe integrimin në tregun e vetëm europian.
Në axhendë ishte gjithashtu normalizimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe përballimi i kërcënimeve kibernetike në një kohë pasigurie gjeopolitike.
Lajmi në përditësim










Komente
Komento