Mbyllet seanca parlamentare, nuk
diskutohet për themelimin e FAK-ut

Mbyllet seanca parlamentare, nuk<br />diskutohet për themelimin e FAK-ut
PRISHTINE - Kuvendi i Kosovës, ka mbyllur sot vazhdimin e seancës së djeshme, pa i diskutuar dy pikat kryesore që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës, e të cilat janë lënë në gjysmë nga seanca e ditës së djeshme.

Miratimi i amendamenteve në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të propozuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës, nuk u diskutuan.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka ftuar kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së që të flasë për këto dy pika të cilat ky i fundit kishte kërkuar dje që të shtyhen me arsyetimin se kanë nevojë për konsultime shtesë, mirëpo Grabovci nuk e morri fjalën.

“Kemi edhe dy pika të rendit të ditës që i kemi lënë në gjysmë dje që i ka shtyrë Grabovci. Zoti Grabovci a ki me shtuar diçka për dy pikat e rendit të ditës. Pikat e rendit të ditës që kanë qenë të planifikuara nuk janë të gatshme, kryesia e thirr në mbledhjen e ardhshme”, ka thënë Haliti.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, gjatë vazhdimit të seancës plenare, kanë miratuar disa projektligje edhe pse në seancë prezent nuk ishin deputetët e komunitetit serb.

Një nga to ishte miratimi i raportit të punës së Agjencionit për Mbrojtjen e të dhënave personale për vitin 2013. Megjithëse u miratua kishte disa vërejtje nga deputetët.

Vjollca Krasniqi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se LDK e përkrah këtë raport, edhe pse sipas saj, raporti nuk është i përkryer dhe se Agjencioni nuk ka arritur të jetë efektiv në punën që e kryen.

"Agjencionit i mbetet ende shumë punë për të bërë sepse është një agjencion i ri, një ligj së voni i miratuar në kuvendin e Kosovës, andaj duhet pak më shumë punë", ka thënë Krasniqi.

Deputeti i PDK-së, Ilmi Reçica, ka thënë se e mbështesin këtë raport. Ai ka shtuar se Agjencioni ka pasur rezultate të dukshme deri më tani, por nuk e përjashton se ka edhe sfida para vetes.

“Ne e kemi trajtuar si grup parlamentar raportin dhe u deklarua edhe Ramizi që e mbështesim. Është një Agjencion që është i ri por realisht ka pasur suksese dhe rezultate të dukshme. Pajtohem që akoma ka sfida të mëdha dhe besoj që do t’i përballoj”, ka theksuar Reçica.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka shtuar se ka një moskoordinim dhe bashkëpunim të këtij Agjencioni, me Agjencionin Kundër Korrupsionit, sepse sipas tij, njëri është themeluar për mbrojtjen e të dhënave personale të secilit qytetar, e tjetri e bënë zbulimin e tyre.

Haliti, ka thënë se mirë që ekziston ky Agjencion, por sipas tij, duhet që këto dy Agjencione të shohin se si mundë të funksionojnë ligjërisht.

“Unë nuk e di se çfarë të dhënash po mbron ky Agjencion ç’është e vërteta por mirë që e kemi Agjencionin, por duhet që këto dy Agjencione të shohin se si mundë të funksionojnë ligjërisht, kur njëri duhet t’i jepen të gjitha të dhënat dhe tjetri duhet ti mbroj këto të dhëna, dhe ai që i merr këto të dhëna t’i bënë publike”, ka shtuar Haliti.

Deputetët e miratuan me shumicë votash në lexim të dytë edhe projektligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti edhe pse projektligji kishte disa vërejte.

Gjithashtu, pas një votimi të fshehtë, është emëruar Flamur Keqa, anëtar në Bordin Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Flamur Keqa morri 50 vota ndërsa kundër kandidati i tij Lekë Zherka mori 22 vota.

Gjatë seancës është miratuar edhe Projektligji për masat antidamping dhe masat kundërbalancuese, Ra porti e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Aviacionin Civil, Raporti vjetor për vitin 2013 i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë të Kosovës, Raportin e Zyrës Rregullatorit për Ujëra dhe Mbeturina për vitin 2013, dhe Raporti e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2013./Kosovapress/

Redaksia Online
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike