Aleksandër Vuçiç ka pranuar humbjen e partisë së tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura këtë të diel në Serbi. Pas një dite me pjesëmarrje rekord, radhë të gjata në qendrat e votimit dhe incidente në disa qytete, Vuçiç deklaroi se Lista Studentore ka fituar zgjedhjet dhe pritet të marrë mes 135 dhe 140 vende në Parlament.
“Nuk i kemi rezultatet përfundimtare. Shumë do të habiten dhe do ta kuptoni se sa shumë kanë gënjyer disa. Dua t’ju informoj se, bazuar në një kampion të shtresëzuar, është e qartë se ne i humbëm këto zgjedhje. Fitoi lista e studentëve që organizuan bllokadat. Ata do të kenë nga 135 deri në 140 mandate, ndërsa ne rreth 105. Asnjë tjetër nuk hyri në Parlament. Në fund, po, hungarezët e Vojvodinës hynë me tri mandate, edhe shqiptarët, dhe e kam fjalën për SDA-në, por mos më merrni për bazë. Ne kemi rreth 1 milion e 720 mijë vota. Po jua them bazuar në kampion, por kjo është krejtësisht e parëndësishme. Thanë se dikush do të arratisej, gënjyen për gjithçka që thanë, për Jovanjicën... Ne do të luftojmë.”, deklaroi Vuçiç.
Deklarata e Vuçiçit vjen pas gati dy vitesh protestash të udhëhequra nga studentët, të cilat nisën pas tragjedisë së nëntorit 2024 në Novi Sad. Shembja e strehës së stacionit hekurudhor u mori jetën 16 personave dhe shkaktoi protesta kundër korrupsionit të perceptuar dhe prirjeve autoritare të qeverisjes.
Lëvizja studentore fitoi mbështetje të gjerë dhe u kthye në sfidën më të madhe politike për Vuçiçin që nga viti 2014, kur ai u bë kryeministër, dhe më pas në vitin 2017, kur mori postin e presidentit. Zgjedhjet e parakohshme u shpallën prej tij në shtator.
Dita e votimit u shoqërua me pjesëmarrje rekord që prej vitit 2006 dhe incidente në disa qytete.
Rezultatet zyrtare ende nuk janë shpallur.
Lajm në përditësim

Kongresisti amerikan Joe Wilson uroi qytetarët e Serbisë dhe veçanërisht studentët, të cilët, sipas tij, treguan “vendosmëri dhe patriotizëm historik” në përpjekjet për të rikthyer sundimin e ligjit në vend.
“Amerikanët u dërgojnë urime të përzemërta qytetarëve të Serbisë pas një fushate të vështirë zgjedhore. Tani fillon puna e vështirë. Pres me padurim ripërtëritjen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara! Zoti e bekoftë Serbinë”, shkroi Wilson në X.

Në krye të listës që mundi Aleksandër Vuçiçin është Ilija Srdanoviç, profesor i kardiologjisë në Novi Sad. Mes kandidatëve është edhe Dejan Bodiroga, ish-basketbollist i njohur, aktori Tihomir Staniç dhe Dejan Shoshkiç, ish-guvernator i Bankës Kombëtare të Serbisë.
Por si arritën këta njerëz të bëheshin kundërshtarët kryesorë të Vuçiçit, i cili ka qenë kryeministër ose president i Serbisë që prej vitit 2014?
Gjithçka nisi më 1 nëntor 2024. Shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad vrau 16 persona. Studentët kërkuan përgjegjësi për tragjedinë, të cilën kritikët e lidhën me korrupsionin dhe problemet në punimet e rindërtimit të stacionit.
Protestat nisën në universitete, por shpejt dolën përtej tyre. Në rrugë iu bashkuan fermerë, aktorë, gjyqtarë dhe qytetarë nga pjesë të ndryshme të Serbisë. Në mars 2025, Beogradi u bë skena e një prej protestave më të mëdha të zhvilluara në qytet.
Lëvizja nuk zgjodhi një kryetar. Studentët organizoheshin përmes asambleve, ku merrnin vendime së bashku. Kur erdhi momenti për zgjedhje, ata nuk kandiduan vetë, por përzgjodhën njerëz nga profesione të ndryshme.
Edhe programi i tyre është i përqendruar te çështjet që i nxorën fillimisht në rrugë. Në 11 pika kërkojnë luftë kundër korrupsionit, krijimin e një njësie policore për arrestimin e personave përgjegjës, largimin e zyrtarëve të përfshirë në shkelje gjatë ndërhyrjeve ndaj protestuesve dhe ndryshime në drejtimin e mediave publike e ndërmarrjeve shtetërore.
Një ndryshim tjetër nga zgjedhjet e vitit 2023 është se studentët nuk u bashkuan me partitë tradicionale opozitare. Përkundrazi, disa prej këtyre partive u tërhoqën nga gara për t'i mbështetur.
Dy vjet pas nisjes së protestave, Lista Studentore ka marrë 51.47% të votave, sipas CRTA-s, ndërsa lista e Vuçiçit 40.42%. Vetë Vuçiç e ka pranuar humbjen, duke deklaruar se studentët pritet të sigurojnë nga 135 deri në 140 vende në Parlamentin me 250 deputetë.
Rezultatet përfundimtare zyrtare ende nuk janë shpallur.

Lista Studentore ka marrë 51.47% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, ndërsa lista “Aleksandër Vuçiç – Serbia e Bashkuar” ka siguruar 40.42%, sipas të dhënave të publikuara nga organizata CRTA.
Drejtori i programeve të CRTA-s, Rasha Nedeljkov, njoftoi se asnjë listë tjetër nuk e ka kaluar pragun zgjedhor, me përjashtim të listave të pakicave kombëtare.
Sipas tij, 1.55% e fletëve të votimit kanë rezultuar të pavlefshme.
Nedeljkov tha se qytetarët kanë të drejtë të festojnë, por u bëri thirrje që ta bëjnë këtë me dinjitet.

Foto: Aleksander Vuçiç
Aleksander Vuçiç ka thënë se i ka humbur këto zgjedhje. Duke u bazuar në zgjedhjet paraprake Vuçiç tha në një deklaratë se 'Lista Studentore' fitoi, ata do të kenë135-140 mandate.
"Nuk i kemi rezultatet përfundimtare. Shumë do të habiten dhe do ta kuptoni sa shumë gënjyen disa dhe çfarë shpikën. Dua t'ju informoj se është e qartë se në bazë të dhënave paraprake i humbëm këto zgjedhje. Lista Studentore fitoi, ata do të kenë midis 135 dhe 140 mandate, ne kemi rreth 105. Askush tjetër nuk hyri në kuvend. Përfundimisht, po, hungarezët e Vojvodinës hynë me 3 mandate, dhe me një mandat shqiptarët, dhe dua të them SDA, mos më besoni fjalën time. Pra, kemi rreth 1,720,000. Ata kanë rreth 2,200,000", tha Vuçiç.
Aleksandër Vuçiç ka mbërritur në selinë e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), ku ndodhet edhe shtabi zgjedhor i listës “Aleksandër Vuçiç – Serbia e Bashkuar”, pas mbylljes së qendrave të votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi. Sipas mediave serbe, Vuçiç pritet të dalë në një konferencë rreth orës 22:30, ku do të prezantojë rezultatet paraprake të zgjedhjeve








Komente
Komento