Selia blu hesht! Edhe pse procesi i votimit është mbyllur dhe rreth mesnatës pritet të nisë procesi i numërimit, asnjë përfaqësues nga PD nuk ka dalë për mediat, qoftë edhe për të falënderuar votuesit e tyre që morën pjesë në zgjedhje. Ndryshe nga çdo zgjedhje të tjera, ku vetë kryetari i PDsë, Lulzim Basha dilte menjëherë pas mbylljes së votimit dhe shpallte fitoren, sot asnjë reagim.
Madje në selinë blu nuk ka asnjë lëvizje ku korridoret janë bosh, ndërsa në to ndodhen vetëm gazetarët që presin ndonjë prononcim nga Basha, i cili ndodhej i vetëm në zyrën e tij dhe u largua pak para mesnate.
Edhe më të heshtur situatën në PD e bënë fakti se para selisë blu nuk ka asnjë militant. PD ka pësuar humbjen e parë në këto zgjedhje, ku bashkia Vorë u fitua nga PS. Madje humbjen edhe më të rëndë ai e pati brenda ‘llojit të tij’ ku demokratët zgjodhën të përkrahin koalicionin Berisha-Meta, kandidati i të cilëve mori 4-fish më shumë vota se kandidati demokrat.
Kryedemokrati Lulzim Basha ka lënë selinë rreth orës 23:30. Report Tv sjell videon nga momenti kur ai është larguar nga zyra e tij, i vetëm, teksa refuzoi që të jepte një prononcim për gazetarin Freard Rista.