Kryeministri Edi Rama i është rikthyer sërish sot mbylljes së pikave të basteve nga janari i vitit të ardhshëm. Reagimi i kreut të qeverisë vjen pas akuzave se me mbylljen e salloneve ku luhen baste, do lulëzojnë bastet online. Rama thotë as ato nuk do ekzistojnë pas vitit të ri 2019, ndërsa shton me ironi se ata që përhapin informacione të rreme për bastet, duhet të kujdesen për "Babalen". Kreu i qeverisë ka zgjedhur që në këtë reagim në Twitter të përdorë një emoji fyes, atë të gishtit të mesit, ndaj të gjithë atyre që u shprehën se qeveria do favorizojë një monopol online për të zëvendësuar pikat e basteve që do mbyllen. 

Postimi i Ramës në Twitter:

Paratë e zeza të basteve po derdhen kazaneve për të jashtëqitur llafin se kjo u bëka që të mbetet një monopol online!Këtë për çudi s'e paska Taulanti. Mos u lodhni kot, bastet s'i shpetoni dot më! Edhe bastet edhe ky monopoli online do vdesin për Vit të Ri. Amanet dëshmitarin X. 

Këtë javë qeveria depozitoi në parlament projekligjin që parashikkon mbylljen e pikave të basteve dhe largimin e kazinove nga zonat e banuara. Nisma parashikon mbylljen e çdo pike basti në të gjithë vendin. Ndërsa kazinotë, do vijojnë të jenë funksionale, por larg qendrave të banuara. Projektligji do diskutohet në komisionet parlamentare dhe më pas do kalojë në seancë plenare për miratim. Shqipëria pritet të bëhet kështu vendi i parë në rajon që ndalon me ligj bastet sportive