Dy ngjarje të rënda janë shënuar mesditën e së martës në Sarandë dhe Vjosë, kur dy mjete lundruese, varka, jaë fundosur nga dallgët e forta duke bërë që një person të mbytet, një tjetër të zhduket dhe 4 të tjerë të shpëtojnë. 

Sipas të dhënave,në Butrint, në varkë kanë qenë duke lundruar babë e bir, ku djali fatmirësisht ka mundur që të dalë me not në breg, ndërsa trupi i babait të tij është zhdukur.
 
Policia saktëson se i zhdukur rezulton të jetë Eduard Shahini që dyshohet se është mbytur si pasojë e dallgëve të forta që kanë qenë në liqenin e Butrintit, në momentin kur ata kanë dalë për të peshkuar.

Në momentin kur dallgët e forta kanë nisur babë e bir kanë qenë duke mbledhur rrjetat e peshkimit dhe shkak për dallgët e mëdha kanë ardhur si pasojë e motit të paqëndrueshëm.

Ja njoftimi i policisë Sarandë
Rreth orës 13:00, është marrë njoftimi se është mbytur një shtetas në liqenin e Butrintit.
Menjëherë Shërbimet e Policisë pasi janë afruar në vendin e ngjarjes, kanë konstatuar se:
Dy shtetas: E.Sh dhe S.Sh (babë e birë, banues në Ksamil) kanë qenë duke peshkuar me një varkë të vogël në liqenin e Butrintit, vend të të cilin varka është përmbysur dhe për pasojë shtetasi: S.Sh (i biri, 18 vjeç) ka shpëtuar duke dale me not nga liqeni, ndërsa shtetasi: E.Sh (babai, 48 vjeç) nuk ka mundur të dalë dhe dyshohet të jetë mbytur në ujë.
 
Shërbimet e Policisë të Komisariatit Sarandë po punojnë për gjetjen e trupit të këtij shtetasi si dhe janë njoftuar Shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, të bashkëpunojnë për gjetjen e tij.

Ndërkohë që në Vlorë, ngjarja ka ndodhur në fshatin Dëllënjë në grykëderdhjen e lumit Vjosa ku varka e peshkimit ka qenë me 4 persona, kur papritur moti i paqëndrueshëm ka sjellë edhe dallgët e forta.

Për pasojë Vasil Kola 23 vjeç ka gjetur vdekjen dhe 3 personat e tjerë kanë shpëtuar.

Ja njoftimi i policisë Vlorë
Policia: Rreth orës 13:20, është marrë njoftimi se është mbytur një shtetas në grykëderdhjen e lumit Vjosë.
 Shërbimet e Policisë kanë konstatuar se në grykëderdhjen e lumit Vjosë, kanë qenë 4 shtetas duke lundruar mbi një varkë me qëllim për të kaluar në anën tjetër të lumit.
Në mes të lumit, varka është përmbysur dhe 3 prej këtyre shtetasve kanë mundur të dalin nga lumi duke notuar, ndërsa njëri prej tyre nuk ka mundur t'ia dalë dhe për pasojë dyshohet të jetë mbytur në ujë pasi ende nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Shërbimet e Policisë së Vlorës ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për gjetjen e trupit të shtetasit:
Vasil Kola, 23 vjeç, me banim në fshatin Poro - Vlorë.
 
Punohet për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes.

varka
varka
(Zona ku u mbyt varka në grykëderdhjen e lumit Vjosë)

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)