Një tjetër tragjedi e rëndë ka ndodhur në Mesdhe. Të paktën 116 emigrantë kanë humbur jetën pas mbytjes së një mjetit të tyre lundrues përgjatë itinerarit të Mesdheut qendror. Lajmi është bërë i ditur nga organizata humanitare Sea Watch.
Sipas të dhënave, nga ngjarja ka vetëm një të mbijetuar, i cili është shpëtuar nga një anije peshkimi tuniziane. Mjeti lundrues ishte nisur të enjten nga brigjet e Libisë, por pak kohë pas nisjes ishte lëshuar një sinjal SOS.
Avioni Seabird, i angazhuar në monitorimin e zonës ku kalojnë zakonisht emigrantët, nuk arriti ta lokalizonte anijen, duke ngritur që në fillim dyshimet se kishte ndodhur një mbytje.
Organizata Alarm Phone ka rindërtuar ngjarjen duke bërë të ditur se mbytja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës së 19 dhjetorit. Në orën 14:00, Alarm Phone u njoftua për një anije të nisur nga qyteti libian Zuwara me 117 persona në bord. Edhe pse nuk kishte një pozicion GPS, organizata njoftoi rojen bregdetare dhe organizatat joqeveritare përkatëse, ndërsa gjatë gjithë ditës u tentua kontaktimi i anijes përmes telefonit satelitor, pa sukses.
Dy ditë më vonë, mbrëmjen e 21 dhjetorit, Alarm Phone mori informacion se disa peshkatarë tunizianë kishin gjetur një të mbijetuar të vetëm në një varkë druri. Burri kishte deklaruar se ishte nisur nga Zuwara dy ditë më parë dhe se ishte i vetmi që kishte mbijetuar.
Sipas dëshmisë së tij, vetëm pak orë pas nisjes kushtet e motit u përkeqësuan ndjeshëm, me erëra që arritën deri në 40 km/orë. Alarm Phone bën me dije se po përpiqet të verifikojë plotësisht këtë informacion, por deri më tani nuk ka arritur ta konfirmojë në mënyrë të plotë.
Komente











