Mbyti gruan me litar, i mbuloi
qafën me shall, pranga burrit

Mbyti gruan me litar, i mbuloi<br />qafën me shall, pranga burrit<br>
Zbardhet pas një viti e vërteta e një krimi makabër brenda familjes Velaj në qytetin e Fierit. Vdekja e 74-vjeçares Verke Velaj, në muajin janar të 2017-ës u deklarua fillimisht si vdekje natyrale pasi vuante nga hipertensioni dhe problemet me zemrën, por dyshimet e vëllezërve të viktimës dhe kallëzimi në prokurori zbuluan detaje rrëqethëse nga vdekja e motrës së tyre.

Pas një viti hetimesh intensive dhe përgjime të familjarëve të viktimës, rezultoi se 74 vjeçarja Velaj ishte vrarë duke u mbytur me litar nga bashkëshorti i saj Namik Velaj. Nga hetimet e udhëhequra nga Prokurori i Krimeve të Rënda Besnik Muci, rezultoi se Namik Velaj pasi e kishte mbytur me litar bashkëshorten, kishte kryer edhe të gjitha ritet duke e veshur dhe rregulluar për të kryer ceremoninë e varrimit. Pas vrasjes ai ka njoftuar edhe mjekun e familjes dhe mjekun përgjegjës që duhet të firmoste kartelën e vdekjes, të cilët kanë vulosur krimin e 75 vjeçarit Namik Velaj.

Report Tv ka arritur të zbardh detaje nga kjo dosje, ku rezulton se fillimisht kanë qenë të afërm të viktimës që gjatë ceremonisë së varrimit kanë konstatuar shenja të zeza mbytjeje në qafën e viktimës. Por teksa janë përpjekur për të zbuluar shenjat duke i hequr shallin që mbante në qaf, ka ndërhyrë autori i krimit duke u kërkuar që të mos e prekin shallin pasi e kishte amanet nga e bija. Ky insistim nga ana e autorit për të mos e zbuluar trupin e viktimës ka ngjallur edhe më tek dyshimet e të vëllait të 74 vjecares, Sami Muskaj, i cili tre ditës pas krimit të rëndë ka shkuar në Policinë e Fierit për të kryer kallëzimin. Pasi u konstatuan provat e para, në shtator të viti të shkuar Prokuroria e Fierit e kaloi për kompetencë dosjen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku nisën edhe hetimet intensive duke vendosur në përgjim familjarët e viktimës.

Pas përgjimeve të para dalin detaje edhe më të forta, ku mësohet se në dijeni të krimit makabër ishte edhe vëllai i autorit apo kunata e tij. Në përgjimet telefonike të tyre dalin biseda ku ata ngrenë pikëpyetje se përse nuk u tregohet e vërteta hetuesve dhe se të gjithë familjarët ishin konsultuar paraprakisht për të mbajtur të gjithë të njëjtin qëndrim. Sikur të mos mjaftonte vetëm inskenimi i bërë nga autori i krimit, edhe mjekët kanë mbuluar të gjithë krimin, duke shkruar në kartelë se vdekja është natyrale dhe se nuk ka dyshime. Për këtë, prokurori ka vënë nën akuzë edhe mjekun Ilir Tanku, i cili ka firmosur kartelën. Ai është marrë në pyetje nga ana e Prokurorisë por ka deklaruar se nuk e ka parë trupin e viktimës për faktin se ky verifikim është bërë nga mjeku i familjes, Anisa Lapi.

Por pas marrjes në pyetje mjekja e familjes ka deklaruar se ajo është thirrur nga familja Velaj për të plotësuar kartelën në mënyrë që të bënin edhe çregjistrimin nga gjendja civile. Por mjekja Lapi ka shtuar se pasi ka kryer procedurat ja ka kaluar dosjen mjekut Ilir Tanku, i cili duhet të kryente edhe kqyrjen e trupit. Në kartelë ai ka shkruar se ka kryer verifikimet dhe se nuk ka konstatuar shenja dhune, por familjarët e tjerë që kanë qenë të pranishëm kanë ngritur dyshime edhe mbi punën e tij, duke pohuar se ai ka fshehur edhe provat. Përball këtyre provave prokurori i çështjes Besnik Muci ka bërë edhe ballafaqimin e personave që kishte dijeni dhe pas dëshmive kontradiktore, familjarët e viktimës dhe autorit kanë pranuar dyshimet për vrasje duke u bërë edhe dëshmitarë të kësaj ngjarje të rëndë. Nuk raportohet se mes çiftit të moshuarve të kishte pasur përplasje apo debate, por pak vite më parë kjo familje kishte kaluar një tragjedi pasi i kishte vdekur vajza e vetme.

Njoftimi i policisë: Fier
Zbardhet vrasja e një shtetaseje nga bashkëshorti i saj në Janar të vitit 2017. Policia ndalon autorin e dyshuar të ngjarjes. Procedohet penalisht edhe mjeku i Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier për veprën penale "Shpërdorim detyre". Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, kanë rifilluar hetimet për një ngjarje të ndodhur në Janar të 2017 ku ka humbur jetën shtetasja V.V, vdekja e së cilës është trajtuar si vdekje natyrale.

Pas një pune hetimore disa mujore nga Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, është arritur të sigurohen prova dhe të meret masa e ndalimit ndaj autorit të dyshuar të vdekjes së shtetases V.V, bashkëshortit të saj, shtetasit: -Namik Velaj, 75 vjeç, banues në Patos. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 23.02.2018, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në Burg” për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” parashikuar nga Neni 79/c i Kodit Penal.

Gjithashtu është marrë masa e heqjes së të drejtës së ushtrimit të profesionit për mjekun e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, shtetasin I.T si edhe ka filluar procedimi penal për veprën penale "Shpërdorim i detyrës" dhe është dhënë masa e sigurisë "Detyrim paraqitje" në Policinë Gjyqësore. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?