Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, do të performojë në Zarë të Kroacisë, aty ku janë edhe ngulimet arbëreshe të 500-vjetëve më parë. Koncerti do të mbahet më 30 gusht 2019 në Qendrën Sportive “Visnjik” në Zarë, njoftojnë organizatorët e koncertit, të cilët pohojnë se shumica e biletave janë shitur, që kur koncerti u njoftua në datën 3 korrik. “Për biletat ka pasur interes të madh nga fansat e Rita Orës në Ballkan, duke marrë parasysh faktit që këngëtarja është me origjinë nga Kosova”, pohojnë organizatorët.
“Të gjithë fansat dhe ata që duan të dëgjojnë një nga yjet më të mëdhenj të muzikës pop dhe të kërcejnë me hitet si: “Let You Love Me”,”Your Song” ,”Anyëhere” dhe një numër këngësh të tjera, ne ju këshillojmë ta siguroni biletën tuaj sa më shpejt të jetë e mundur me çmim të zbritur“, është shprehur në një deklaratë për shtyp Qendra Sportive “Visnjik”.
Rita Ora do të performojë në Zarë si pjesë e turneut të saj “Phoenix”, për të promovuar albumin e saj të fundit me të njëjtin titull. Turneu ka filluar në Australi në mars, duke vazhduar më pas në Azi dhe qytetet e mëdha të Evropës si: Paris, Milano, Londër, Oslo dhe Stokholm. Ora, kohët e fundit ka bërë histori në top listat në Mbretërinë e Bashkuar me hitin e saj “Let You Love Me”, duke u bërë këngëtarja femër me më së shumti këngë solo në Top 10, në Britaninë e Madhe. Ardhja e saj për të performuar në Ballkan ka zgjuar jo vetëm interesimin e madh të fansave të saj shqiptarë, duke patur parasysh faktin që ky koncert është shumë pranë Kosovës, Shqipërisë dhe trevave shqiptare në përgjithësi, por edhe të shumicës së vendasve me origjinë arbëreshe, të integruar përgjatë 500-vjetëve me popullsinë vendase, por që ende ruajnë gjuhen dhe tradita shqiptare./ Përgatiti Dhurata Hamzai