TIRANË- Procesi i Këshillimit Kombëtar do të përfundojë më 31 mars. Lajmi është bërë me diej nga kryeministri Edi Rama përmes një postimi në ‘Facebook’, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që nuk e kanë plotësuar formularin të shfrytëzojnë ditët që kanë mbetur.

Të gjithë ata që nuk e kanë dhënë mendimin e tyre në formular, për çështjet e ngritura nga qeveria, kanë edhe katër ditë kohë. Veçse online, formularët e Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë u janë dërguar tashmë qytetarëve në shtëpi. Ata mund t’i plotësojnë dhe më pas me anë të një zarfi mund t’i dërgojnë me postë falas në kryeministri.

Nisma e Këshillimit Kombëtar ka nisur që prej muajit janar të këtij viti, ndërsa Rama ka dhënë edhe shifra konkrete, duke theksuar se deri më tani formulari është plotësuar nga 513.790 qytetarë.

Kujtojmë që Partia Socialiste do të mbajë më 9 prill Kongresin, ku pritet që të analizojnë edhe përgjigjet e marra nga qytetarët përmes formularit të Këshillimit Kombëtar.

“Më 31 mars mbyllet procesi i Këshillimit Kombëtar, ku prej muajit janar përtej të gjitha pritshmërive, 513.790 qytetarë kanë dhënë opinionet e tyre për secilën nga temat e pyetësorit tonë. Kush ende nuk është përfshirë ka të gjithë mirëkuptimin tonë dhe në çdo rast, ka edhe disa ditë që të mundet t'i bashkohet nismës për të dhënë opinionet e veta, përmes platformës www.keshillimikombetar.al apo duke kthyer me postë pyetësorët e plotësuar”, shkruan Rama.