Një 27-vjeçar polak ka rënë në prangat e Policisë në Krujë, pasi dyshohet se gjatë javës së fundit ka kryer tre vjedhje në hotele dhe lokale të qytetit.
Arrestimi u bë pas kallëzimeve të bëra nga qytetarët.
Ai është identifikuar si Tomasz Fortuna, banues në Angli. I riu lëvizte me biçikletë në qytetin e Krujës dhe dyshohet se në të paktën tre raste ka vjedhur shuma parash, një aparat celular dhe sende të tjera nga hotele dhe lokale.
" Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar, shtetas polak. Në vijim të punës hetimore të kryer menjëherë pas kallëzimeve të administruara për vjedhje të pronës/pasurisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë kapën dhe vunë në pranga shtetasin e huaj T. F., 27 vjeç, banues në Angli. Nga veprimet hetimore rezulton se 27-vjeçari, i cili lëvizte me biçikletë gjatë javës së fundit në qytetin e Krujës, dyshohet se ka kryer 3 vjedhje në hotele dhe lokale, ku ka marrë shuma parash, një aparat celular dhe sende të tjera.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, aparatin celular, një shumë parash, si dhe biçikletën që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Punohet për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të ketë kryer ky shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”."
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento