'Më fusnin në dhomë me burra' Dëshmia tragjike e Terezina Palit: Tortura të tmerrshme, më lidhën te qelia e dajës tim

'Më fusnin në dhomë me burra' Dëshmia tragjike e Terezina Palit: Tortura të tmerrshme, më lidhën te qelia e dajës tim

Terezina Pali

Familja Pali, ishte një familje shkodrane me origjinë nga zona e thellë e Dukagjinit dhe të gjithë pjesëtarët e saj, kishin luftuar në çetat e Mehmet Shpendit dhe të Gjon Lulit, për liri e pavarësi. Ishte një familje e lumtur me pesë vajza dhe një djalë. Por prindërit e motrat, djali i kësaj familjeje, provuan vuajtje të pafund, plot dhimbje shpirtërore, e duke u diskriminuar dhe e rrënuar ekonomikisht.

Ata nuk përfitonin triskat e bukës, nuk kishin as triskat e Frontit Demokratik, gjë që u mohonte të drejtën e votës. Harmonia e kësaj familjeje shkodrane, do të prishej që në fillimin e vitit 1945, kur u vendos pushteti sllavo-komunist, me në krye Enver Hoxhën. Qyteti i Shkodrës ishte i mbushur me burgje, njerëz që pushkatoheshin pa gjyq, shumë të tjerë të burgosur, por edhe pse ishte një dhunë e egër, një pjesë e mirë e njerëzve, i’u kundërvu regjimit të ri, me rezistencë antikomuniste. Qytetit i kishte ra një hije e zezë, shumë trishtim dhe plot të papritura po ndodhnin, po fillonte një vuajtje e re, me dhimbje nga më të ndryshmet.

Arrestimi dhe dënimi i Marije Palit (Thani), me të bijën, Terezinën

Në vitin 1945, nanën Marije, zonja e kësaj familje, (ishte motër e vëllezërve Thani), bashkë me vajzën e saj Terezinën 18 vjeçare, e futën në burg. E dënuan zonjën Marije, se kishte ruajtur uniformën e akademistit të vëllait të saj, që ishte pushkatuar nga komunistët, pa gjyq (i’a gjetën oficerët e Sigurimit gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e saj), dhe e akuzonin se dinte vendstrehimin e vëllait tjetër (ish-kapiten i ushtrisë shqiptare), që ishte në mal, me rezistencën antikomuniste. Çdo ditë, hetuesi Elez Mesi, e merrte në pyetje Terezinën vajzën e kësaj familje dhe e akuzonte se mbante lidhje, me dajën e saj në mal(?)

U mbajtën nanë e bijë, pesë javë në qelitë e Sigurimit të Shtetit, nën hetim. I dënuan: nanën Marije me 2 vjet heqje lirie dhe Terezinën 5 vjet. Më pas, i’a kthyen në liri me kusht, ku çdo moment i jetës, kontrollohej nga Sigurimi i Shtetit nëpërmjet oficerëve të saj dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Pas lirimit, në shtëpi, nanën Marije e pritnin fëmijët, ku më e vogla ishte 6 vjeçe. Zemra e zonjës Marije u copëtua nga tragjedia, që i ndoqi vëllezërit e saj: Një vëlla, Mark Thani, akademist, studiue në Padova (Itali) u pushkatua nga komunistët pa gjyq, vëllau tjetër, Pal Thani, oficer i Ushtrisë Shqiptare, akademist, (mbaruar shkollën në Parma të Italisë) u dorëzua, kur u bë amnistia nga regjimi komunist, por vdiq në hetuesi, nën torturë. Vëllai tjetër, Dedë Thani, i’u dorëzua jugosllavëve, ku u dënua dhe bëri 13 vjet burg. Por vuajtjet e kësaj gruaje, nuk do të kishin mbarim, pasi ato do të vazhdonin me vajzat e sajë…!

Kush ishte Terezina Pali?

Vajza e Marije e Kolë Palit, Terezina, lindi në qytetin e Shkodrës në vitin 1927. Ajo ishte një vajzë shumë studioze, vazhdoi shkollën e hapur prej Murgeshave Stigmatine dhe gjimnazin shtetëror të qytetit të Shkodrës. Shkëlqente në mësime, nën influencën e profesorit të nderuar të gjimnazit, Qemal Draçini, i cili u përpoq të edukonte nxënësit e tij dhe brezin e ri të asaj kohe, me frymë atdhedashurie, dhe i bëri ata me personalitet, duke i thënë jo komunizmit, por ky profesor i nderuar, pikërisht për këtë shkak, në vitin 1946, u arrestua nga Sigurimi i shtetit dhe vdiq në hetuesi nën tortura çnjerëzore.

Terezina, ishte një vajzë e shkathët dhe që në fillimet e formimit të saj, ajo u aktivizua në grupet artistike amatore të qytetit të Shkodrës, ku u njoh me të riun Zef Zorba, që ishte regjisor i shfaqjeve, i cili më vonë do të bëhej bashkëshorti i saj. Në atë kohë u vunë në skenë disa drama, me temën e atdhedashurisë, ku flitej hapur për liri. Gjatë shfaqjeve, salla ushtonte nga thirrjet: – Liri! Liri! Por fatkeqësisht kjo gjë nuk do të zgjaste shumë, pasi në vitin 1946, Sigurimi i Shtetit, arrestoi edhe regjisorin Zef Zorba.

Terezinën e përjashtuan nga shkolla, sepse mori pjesë në funeralin e Dom Gaspër Thaçit, i cili kishte qenë Arqipeshkvi i Shkodrës. E gjithë familja ishte nën vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit, pasi ata donin të zbulonin vendstrehimin e Pal Thanit (që në të vërtetë ishte strehuar në shtëpinë e tij, në pjesën e vjetër, ndërsa pjesa e re e shtëpisë, ishte e zanun nga një funksionar komunist).

Largimi i Terezinës për në Tiranë!

Për ta larguar vajzën nga qyteti i lindjes, familja vendosi ta dërgojë Terezinën në Tiranë, tek kushërinjtë, që të vazhdonte gjimnazin atje, me shpresë që të humbiste gjurmët. Megjithatë, Sigurimi i Shtetit e arrestoi Terezinën në Tiranë, në tetor të vitit 1946. E mbajtën vajzën 19 vjeçare, 17 muaj në hetuesi, duke e torturuar dhe duke e mbajtur të lidhur, të varur nga krahët, pa takuar këmbët në tokë. Lidhur me këtë, midis të tjerash ajo tregonte: -“Shefi i Degës së Brendshme, me dorë të vet, më rrahu me kamxhik duke me gjuajtur shpinës. Trimëri kalorësiake, për një burrë, madje oficer me grada, ndaj një vajze 19 vjeçare…! Pastaj ai urdhëroi të më lidhnin me litar, nën sjetull e duart për hekura, tek birucat e Degës së Brendshme. Më kanë torturuar me ditë e me muaj, por asgjë nuk është kjo, çfarë i kanë bërë të riut, Sami Barbullushi, e dajës tem Pal Thanit, të cilin e torturuan, deri sa i’u trash gjuha dhe e mbytën. Po kështu, e pësoi dhe Qemal Draçini, pedagog i ri i gjimnazit, idhull i rinisë shkodrane”.

Terezina kishte ënjtje të këmbëve, kur e dërguan në spital, në gjendje shumë të rëndë, Dr. Mborja është tmerruar. I kanë dalë lot nga dhimbja që provoi, kur pa këmbët e vajzës të fryra jashtë mase, të shpërfytyruara…!

– “Oh, çfarë tmerri”! – i’u drejtua policëve plot kurajo Dr. Mborja dhe shtoi! – Kur i çoni në këtë gjendje, mos na i sillni këtu”!

E lanë gjashtë muaj nën torturë Terezinë, por më e vështira për vajzën e re, ishte që s’lejohej të përdorte ujin, për nevoja personale, i jepnin ujë sa për të shuar etjen. Gjithë ato muaj pa larë duart, fytyrën, pa ndërresa, pa veshje.

E futën me burra në një dhomë, si me: Guljem Sumën, Xhemal Naipin, Idris Tahirin nga Vorfa, Myrto Danin nga Drishti, Mustafa Dragushën që ishte 70 vjeç. Mendoni në ç’vështirësi vihej vajza e re, në dhomë me burra, ndjeheshin të dy palët të fyer, nga mënyra e mirësjelljes.

Torturën më të rëndë, Terezina pati atë psikologjike, që ia ka bërë Fadil Kapisyzi. Ai ishte torturuesi dhe ekzekutuesi i dajës së saj, Pal Thanit. Hetuesi e mbante Terezinën të lidhur në dritare, aty ku po torturohej daja i saj, të cilin e rrihnin dhe e lanë 14 ditë pa ujë, aty nën torturë, deri sa vdiq dhe mbesa shihte skenën makabre, të vdekjes së dajës së saj.

Mbas torturash e kthenin në dhomë, ku ishin të burgosurit e tjerë, ndër ta edhe Padër Mati Prendushi, të cilët përkujdeseshin për të, duke treguar dhembshurinë e tyre dhe njëherë respektin për heroinën e re shkodrane, që Sigurimi i Shtetit, nuk arriti ta thyente dot.

Gjyqi, ku Terezina u dënua me personat e tjerë të qelisë!

Gjatë asaj kohe që Terezina mbahej aty, torturat ishin të shumëllojshme: kanë përdorur korrentin në trupin e saj, me javë e kanë mbajtur të burgosur në birucën e qenit, d.m.th. me qëndrim kutullaç. Në janar të vitit 1948, mbas 17 muajsh hetuesi e nën torturë, u bë gjyqi, duke nxjerrë në bankën e të akuzuarve, të pandehurit – Terezina Pali, Zef Zorba, Kolë Kurti, Karlo Suma, Xhabir Dibra, Maliq Bushati.

Pretenca: Agjitacion e propaganda. U dënuan me 5 vite heqje lirie. Terezina vuajti dënimin me shumë femra të burgosura si ajo (të burgosura politike), si me: Agime Pipën, Drita Kosturin, Ana Dajën, Dila Zef Dodën, Nasiben nga Tropoja, Naxhije Hardallin, Bedrije Ashiken, Leze Kolën, Vitore Kukën, etj. Edhe pse në ato kushte çnjerëzore, Terezina u tregua një vajzë me zëmër të madhe, shumë bamirëse duke i shërbyer shoqes së saj të dhomës, Bardha Kroçaj dhe ajo e dënuar politike, por që ishte e sëmurë nga ‘TBC’ dhe vdiq në qeli.

Terezina i dhuroi shumë përkujdesje, me plot dashuri e shumë dhimbje, bashkëvuajtëses së saj, që jeta e la në moshën 18 vjeçare. I qëndroi pranë, u kujdes për të dhe s’mendoi që tuberkulozi mund t’i ngjitej.

Vazhduan pesë vitet në Burgun e Madh, në Burgun e Kishës së Fretërve, punonin, por gjithmonë qëndrimi në burg shoqërohej me frikën, se mos thirreshin në hetuesi e nën torturë! Kur Terezina doli nga burgu, ishte me sëmundje polmonare, kjo e detyronte të shtrohej shpesh nëpër spitale. Por jeta ka pjesën e dritës e të diellit. Njeriu i zemrës, regjisori i njohur, Zef Zorba, mbasi doli nga burgu, i dhuroi shumë dashuri e përkujdesje.

Dy bashkëshortët u martuan në vitin 1953. E mira e ëmbla Terezinë, lindi dy vajza: Lejla (1954) dhe Luçia (Lali, 1958); të cilat i rriti plot dashuri dhe i edukoi ato, më cilësitë me të mira të të parëve të tyre. Kështu edhe pse ato ishin nxënëse të shkëlqyera në gjimnaz, nuk iu dha e drejta, për të vazhduar shkollat e larta. Por edhe pse i’u refuzua e drejta e shkollimit, shtëpia e tyre ishte dhe mbete një çerdhe lumturie, pasi aty lëvrohej poezia, flitej me plot pasion për libra dhe shkrimtarë të mëdhenj, dëgjohej muzika klasike, etj. Ishin të lirë dhe në paqe me vetveten, në brendësi ruajtën lirinë e tyre edhe pse regjimi komunist, vazhdonte të ishte përherë i egër dhe i dhunshëm.

Letra e Zef Zorbës, për bashkëshorten, Terezinën, që vuante në Sanatorium

Në arkivin e familjes Zorba, me disa relikesh që kanë shpëtuar për mrekulli nga përndjekja e regjimit komunist, ruhet edhe një pjesë e një letre e vitit 1973, kur Terezina kurohej në një spital (Sanatorium) dhe bashkëshorti i saj, në pamundësi që ta vizitonte shpesh në spital, i shkruan:

– “E dashur Terezina, pashë letrën tënde. Kërkojshe me të shkru unë…”, vazhdon letra…! “Sa shtigje të vështira kemi kaluar bashkë. Nganjëherë çuditem me vete si kemi dalë m’anësh. E me çfarë mjetesh? Gati gjithmonë me aq pak, sa që në çdo moment, me dukesh se gjithçka do të groposej. Jetë e mundimshme, por kush po i jep randësi. Na të dy s’i kemi vue randësi mungesave e mundit e lodhjes kurrë, e jo me tash, që na janë ba petk, pavarësisht se forcat tona, s’janë ma ato të dikurshmet, madje çdo ditë e ma tepër, vijnë t’ue u paksue. Veçse vullnetin e kemi ende të ri, kjo ka ma vlerë se çdo gja tjetër…!

Plakemi: reumatizma, stomaku e kushedi tjetër mund të na trazojnë ndonjëherë…! Por mandej do të vejmë në gramafon, diskun e poemës simfonike të Ravelit “Nëna ime pata”, e do ta dëgjojmë bashkë…! Pardje kam ndje se mjellmat jetojshin deri në njëqind vjet dhe çifti që bashkohet një herë në rini, nuk ndahet kurrë ma, për gjithë jetën…!

Bepi. (Zef Zorba – bashkëshorti i Terezinës)

Unë, autorja e këtyre radhëve, pata fatin të njihesha me këtë grua të urtë, të qetë, të ëmbël, të thjeshtë, me të gjitha virtytet e një zonje të nderuar shkodrane. Ajo edhe në moshë të thyer, të jepte dhuratë, shikimin e saj të ëmbël, që fitohet nga një jetë me shumë dhimbje.

Ajo mbeti, po ajo vajzë e re, e papërlyer me të keqen dhe mbas viteve 1990, shihte e çuditur se si njerëz persekutorë, quheshin të persekutuar dhe njerëz që s’kishin qenë as të burgosur politikë, as të internuar e as të dëbuar, ishin pajisur me të tilla dokumenta, që i tundnin nëpër tribuna.

Çdo 28 Nëntor do të ishim bashkë, duke vendosur lule e ndezur qirinj, aty tek Vorret e Rrmajt, ku shumë bashkëvuajtës të saj, ishin pushkatuar dhe ishin varrhumbur…!

Pleqëria i erdh me shumë sëmundje, por pat shumë përkujdesje dhe dashuri. U largua nga jeta e qetë dhe e thjeshtë, si vetë qenia e saj, në pranverën e vitit 2004, tek fëmijët, tek pjesa më e dhimbshme e jetës së saj, me vajzat dhe djalin e vetëm.

Rrëfimi prekës i vajzës tjetër, Liza Pali

Por në familjen e Kolë e Marije Pali, s’kishin të mbaruar vuajtjet?! Po si do të rridhnin ngjarjet për vajzën tjetër, që ishte një vit më e vogël se Terezina, Lizën, dhe ç’fat do të kishte ajo?!. Jetën e saj na e tregoi gjatë bisedës, që pata me këtë zonjë të nderuar, në qytetin e Shkodrës, në shkurt të vitit 2006.

Ja si e tregon jetën e saj Liza: U linda në Shkodër në vitin 1928. Mua më arrestuan dhe më futën në burg me 1 tetor të vitit 1947, ndërsa motrën e madhe Terezinën, e kishin burgosur në tetor 1946, kur ishte në gjimnazin e Tiranës dhe e akuzonin se kishte dijeni për Lëvizjen e Postribës.

Në shtëpinë tonë jetonte S.R. (komunist dhe funksionar i lartë i shtetit). Atëherë strehimin në Shkodër e drejtonin komunistët, vendosnin nëpër shtëpitë e qytetarëve, funksionarët e kuq, ndërsa familjarët, pronarët e shtëpisë i detyronin të banonin, në një dhomë në katet poshtë, më së shumti nëpër bodrume ose në shumë raste i nxirrnin përgjithmonë nga shtëpia.

Më futën në punë si karteliste (provizore) në NIL Prodhime”, tregon Liza. “Sa mori vesh S.R., që unë isha punësuar, të nesërmen. më larguan fill nga puna. Më dhanë një letër për t’ia dërguar F.K., që punonte në Sigurimin e Shtetit.

– Me një shoqe që mora me vete e më shoqëroi, i’a dorëzova letrën, ndërsa ai më tha: – Duhet të marrësh letrën në Komitet Ekzekutiv, për të hyrë në punë. Motrën e ke në burg. A e din pse ka hyrë motra jote në burg?

– Ajo s’ka ba gja, – iu përgjigja.

Vazhdoi funksionari i Sigurimit: – Po deshët me punue me ne, motrën do ta nxjerrim nga burgu. Se ju keni miqësi me vajzat e familjeve Pipa, Kapidani, etj… dhe na tregon se ç’flasin ato. Kjo bisedë u bë me 1 shtator 1947. Pasi nuk pranova me bashkëpunu me Sigurimin, me 1 tetor 1947, më futën në burg”, kujton Liza Pali.

Gjatë bisedës, zonjës 78 vjeçare Liza, i’u mbushën sytë me lot, u drejtua nga unë dhe më tha: – “Ta kisha ditë se ç’do të vuaja në burg, unë do ta kisha ba bashkëpunimin, sepse burgu komunist, ishte shumë i zorshëm, sidomos për një vajzë, që po i afrohej moshës 18 vjeçare”.

Akuza për mua, vazhdon zonja Lizë, ishte: Keni luftue Pushtetin Popullor dhe i ke futun letra të burgosurve (si i futeshin letrat në atë burg, plot e plot me roje?!) Këto ishin të gjitha shpifje. Unë vetëm qaja, nuk isha e fortë si motra jeme Terezina. Më kanë ba të gjitha llojet e torturave. Natën e parë, deri në orën 1 pas mesnate, më kanë rrahun me shqelma dhe ato këpucët e tyne ushtarake, të godisnin me aq forcë…! Oh! – Nuk di ta përshkruaj dhimbjen e pafund, që kam kalue. Të hënën në darkë, erdh polici (kryesisht në hetuesi na merrnin në orët e vona të mbrëmjes) dhe më çoi tek Zoi Themeli, që ishte shefi i Sigurimit të Qarkut të Shkodrës.

Në atë kohë më kishin lanë pa ndërresa dhe pa ujë. Kur më futën në dhomën e hetuesit, isha e mbuluar me gjak (imagjinoni ç’mund të provojë vajza e re, kur është në këtë periudhë të muajit të menstruacioneve), që duhet një higjienë e mirëfilltë personale dhe përkujdesje për organizmin.

Hetuesi urdhëroi rojet dhe më dërguan tek çezma, u lava me ujë të ftohtë. Mandej në hetuesi ai më tha: -Akuza jote është e rëndë, se të ka ardhur shifrari (kodi) dhe ia ke dërguar dajës tënd, në mal (kjo ishte një akuzë absurde). – Ti do të dënohesh me vdekje, ndërsa motra jote 25 vjet. Unë (thotë Liza) i’u përgjigja: – S’kam ba gja! (dhe qaja, vetëm qaja). Por ai i ra tavolinës me gjithë forcën dhe filloi të bërtiste. Fytyra e tij u bë si një përbindësh dhe thonte – se prej teje po shkojnë policët në burg, sepse i ke dhënë letra të koduara dajës tënd.

  • – Çfarë absurditeti! – thotë Liza. – Më zbritën në bodrum, më kanë lidhur me litar në shtyllë, një pëllëmbë, pa takue këmbët në tokë dhe më lanë nga dita e mërkurë, deri të hanën, pa ujë, m’u trash gjuha, u thava për një pikë ujë. Më lanë në dyshemenë e bodrumit, pa asnjë lloj mbulese, e trupi e ndjente lagështirën e tokës, të ftohtin e vjeshtës dhe dridhjet e zemrës, në atë errësirë të përjetshme.

Mandej më kanë çue te birucat, ishte koha kur po u bënte gjyqi i z. Fahri Rusi (atdhetar dhe anëtar i ‘Ballit Kombëtar’ Shkodër), të cilin e pushkatuan. Ndigjoja se si i torturonin burrat dhe britmat e tyre më tronditnin shpirtin, më çahej zemra nga dhimbjet, që ata të shkretë po provonin…!

Frika të hynte deri në palcë…! Më lidhën duart e më lanë në korridor. Ma ndigjoi zanin daja i jem, Pal Thani, që e kishin torturuar në mënyrën më çnjerëzore dhe i foli rojës:

  • -Kam 14 ditë pa ujë, më sillni pak rrush sa të lag gojën, kërkojuni mbesave të mia, Terezinës dhe Lizës. I shkreti dajë, nëpërmjet atyre fjalëve, na dërgoi mesazhin e tij, që e dinte se mbesat i kishte në burg dhe nën torturë dhe më la me kuptue, që në minutat e fundit të jetës së tij, po mendonte për mbesat e dashura, të cilat po provonin edhe ato torturat.

Atë natë daja i jem, Pal Thani, kapiteni i Ushtrisë Shqiptare, që ishte diplomuar në universitetin e Parmës-Itali, vdiq nën torturë dhe i etur për një pikë ujë…!

Më çuan në birucën nr. 14, aty ku kishte vdekur daja, ndërsa dajën tjetër, Mark Thani, edhe ai akademist, mbaruar në Padova të Italisë, e kishin pushkatue, pa gjyq në vitin 1944. Dajën, Ded Thani, që kish qenë Nën/Prefekt në Tuz, ia dorëzuan shtetit jugosllav, ata e dënuan 13 vjet burg, i vetmi që u kthye, mbasi mbaroi dënimin dhe punoi punëtor krahu, deri sa vdiq nga sëmundja e kancerit, që iu shpif prej tmerreve që kishte pa dhe kalue vetë ndër burgje.

Në trupin tem, thotë znj. Liza, kam provuar lloj-lloj torturash, si: lidhje duarsh e këmbësh, me kanë lanë pa ushqim. Më dënonin kur nuk iu përgjigjesha pyetjeve në hetuesi, më hiqnin rrobat, më linin pa mbulesa, pa ushqim, pa ujë, më kanë vue korrentin në veshë. Ky korrent më hidhte nga karrigia, në anën tjetër të dhomës. S’kanë lënë torturë pa më ba. Këto lloj torturash, ua kanë ba dhe vajzave e grave të tjera, të burgosuna politike.

Ajo që më ka ba të qaj më shumë dhe të vuaj shpirtërisht, është një ngjarje në burg, në lidhje me motrën teme, Terezinën. Më thirrën në hetuesi F.K. dhe Zoi Themeli, më detyruan me i shkrue një letër Terezinës, që ishte tek burgu i Kishës. Terezina nuk e dinte që edhe unë isha e arrestuar. Do të shkruaja nën diktimin e tyre, ç’të thonin ata, isha e detyruar ta shkruaja.

Letra thoshte:

  • – Ne kemi një oficer Sigurimi, që rri në shtëpinë tonë me qera dhe më ka thënë me i çue letër Terezinës, që ta pyesim, që çfarë ke pranue e ça s’ke tregue?

E shkrova letrën, që më detyruan, nën diktatin e tyre dhe shkrova emrin “Liza”. Kam qarë gjithë natën në birucë, se si unë, motra, mund të bëja një gja të tillë, me dhimbte zemra, shpirti, truri, e gjithë qenia ime dëneste. Por, Terezina i’u përgjigj letrës, ku shkruante: Nuk më intereson ai oficeri që keni aty. Unë s’kam ba gja, pres të lirohem. Jam në merak për ju, a keni dru për dimër dhe a jeni mirë me shëndet?

 Terezina

Ndërsa një ngjarje tjetër, po përsëri në lidhje me motrën – Terezinën. Na lejonin me kërkue libra, në veçanti romane, për të lexuar. Terezina kërkoi librin “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit, në italisht, sepse atëherë nuk kishte variant në gjuhën shqipe. Librin e sollën familjarët, por ç’ndodhi?! Polici u egërsua, pasi e quante libër armiqsh, tradhtarësh dhe Terezinën e futën në birucë, por ma e keqja, tregon Liza, duke iu dridhë zani dhe duart, mua më detyruan policët t’ia hidhja kovat me ujë, në atë birucë, ku motra torturohej dhe uji i ftohtë i hidhej me kovë, nga duart e mia, mbi motrën teme të dashur. Kjo ndodhi natën e festës së Pashkës, festës se Rilindjes. Këtë metodë policët e përdornin edhe me të tjerët, kur detyronin djemtë e rinj, t’ua hidhnin ujin në birucë, më të moshuarve, siç ishte rasti i Pjeter Z. Saraçit, i izoluem nga policët dhe detyruan djemtë, t’ia hidhnin kovat me ujë, ndërsa atë e kishin lanë vetëm në mbathje…!

Erdhi në burg Prokurori i Përgjithshëm B.K., hapi katrorin e vogël të derës së birucës dhe më pyeti: -Si e ke emrin? -Liza Pali. – Pse ke hyrë në burg? Unë i përgjigjem: -Kam ba disa gabime. Ai me një zë të lartë, tha: – Ti ke bërë faje, se je me kriminelët numër një këtu. Më mbajtën pesë muaj nën torturë, deri në shkurt 1948, ndërsa motrën Terezinë, 17 muaj (tetor 1946 – janar 1948). Në ish-burgun e Gestapos Gjermane, më mbajtën tre javë, tek burgu i Kishës, derisa dola në gjyq. Në shkurt 1948 na morën në gjyq të gjithë grupin. Motivacioni: Agjitacion e propagandë për përmbysjen e pushtetit popullor. (Se çfarë Pushteti Popullor ishte ky, do e vërtetonte koha). Më dënuan 3 vjet heqje lirie. Lilo Zeneli (shef i Sigurimit), u tregua më i arsyeshëm se të tjerët, në momentin kur motrën teme, Terezinën, do e largonin nga Shkodra, në drejtim të një burgu tjetër, se gjoja nuk bënte të ishin dy motra bashkë.

Më pyeti: -Pse qan? Nëpërmjet lotëve i’u përgjigja: – Më kanë ndarë nga motra. Ai më bashkoi me motrën. Ishte një domosdoshmëri, se të dyja bashkë e përballonim vuajtjen më mirë, se motra e madhe ishte e fortë, trime, ndërsa unë vetëm qaja. Vitet e burgut kaluan dhe unë u rrita.

U bë amnistia e vitit 1949, përfitova dhe u lirova me 1 maj, ndërsa dënimin e plotësoja në tetor, me një fjalë, përfitova 5 muaj ulje. U ktheva në shtëpi, motra e madhe Terezina, vazhdonte të ishte në burg, atë s’e kapi asnjë amnisti. Nuk gjeja punë, por mësova rrobaqepësi dhe punova me gruan e dajës, sa me fitue bukën e gojës. U martova në vitin 1959, me Z.B. Dajçi, në 1964-ën, linda djalin e me vonë dhe vajzën. Dhimbjen më të fortë, vazhdon rrëfimin Liza, e provova në vitin 1990, kur djali jem u largua nga Shqipëria, nëpërmjet liqenit me not (me shokë). Gjithë atë periudhë kam qëndrue me zemër të dridhur, se mos e vrisnin rojet e kufirit, siç pat ndodh me shumë të tjerë.

Në përfundim të rrëfimit me Lizën, këtë grua të  nderuar shkodrane, e  pyeta: – Ç’dini  me  thanë  tjetër për atë  kohë? Përgjigja e saj ishte: – Të jetosh si e poshtënueme, e mohueme.

Arrestimi dhe dënimi me shtatë vjet, i Tonin Palit

Por në familjen Pali, nuk do të mbaronin dhe nuk do të kishin fund vuajtjet, pasi në tetor 1949, i arrestuan djalin e vetëm, Tonin Palin, që ishte arsimtar në zonën e Dukagjinit. Në shtëpinë ku banonte Tonini, (kur ishte mësues), iku dhe u arratis nga Shqipëria, djali i asaj familje, kështu që e arrestuan Toninin, se gjoja ishte në dijeni të ikjes dhe s’ka bërë denoncim. E burgosën Toninin, dhe e dënuan me 7 vjet heqje lirie, të cilat i vuajti në burgun e Shkodrës.

Shënim: Emrat e hetuesve dhe të torturuesve të zonjës Liza Pali – Dajçi, nuk i vendosa të plotë, por vetëm inicialet, për arsye se nuk duam që familjet e tyre, ta ndjejnë veten të persekutuar dhe një pjesë e mirë e këtyre pasardhësve, janë në poste drejtuese në qeveritë – postkomuniste./Memorie.al

G.MO/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos