Paolo Maldini u dorëhoq pas vetëm 16 ditësh pune nga posti i drejorit teknik të kombëtares së Italisë. Përplasja me presidentin e federatës, Malago, filloi për çështjen e trajnerit. Maldini kishte zgjedhur Pirlon, Malago dëshironte Roberto Mancinin (u zgjodh), por prapaskenat përfshijnë edhe Pep Guardiolën.
Spanjolli është trajner i lirë pasi e mbylli përvojën me Manchester Cityn në Premier League pas dhjetë vitesh. Maldini tregon se drekuan me Guardiolën në Barcelonë, madje trajneri u tundua dhe filloi të projektonte formacionet, por u tërhoq për shkak të lodhjes, pasi dëshiron pushime edhe për shkak të një ndërhyrje kirurgjikale në shpinë.
Maldini tregon se me Guardiolën nuk ishin problem paratë, pasi kurrë nuk folën për pagën. Madje trajneri kishte kërkuar një euro më pak se trajneri i fundit i kombëtares së Italisë, Gennaro Gattuso.
"Shkuam ta takonim në Barcelonë, hëngrëm drekë së bashku dhe folëm për një ditë të tërë. Ai ishte shumë i tunduar. Ishte shumë pranë pranimit. Madje kishte filluar të shkruante formacionet nëpër fletë.
Për shkak të lodhjes ai refuzoi. Guardiola vjen nga dhjetë vite rraskapitëse në Premier League. Ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale në shpinë. Dëshiron të pushojë.
Por ishte një diskutim shumë serioz, studiuam ekipet, nga U-17 e lart. Kështu kaluam te Andrea. Malago dinte gjithçka, e informuam hap pas hapi", tha Maldini.
Sa i përket pretendimit se Guardiola kishte kërkuar një pagë prej 20 milionë eurosh, Maldini e mohon.
“Absolutisht jo. Paratë nuk kanë qenë kurrë temë diskutimi. Pep na tha qartë, më jepni një euro më pak se sa merrte trajneri i fundit dhe për mua është në rregull", rrëfeu Maldini.
Lajmi kryesor:
Italia, Maldini zbulon prapaskenat e dorëheqjes dhe përplasjen me Malago: Pep Guardiola u tundua shumë të pranonte ofertën, presidenti s'e respektoi marrëveshjen










