Tre të rinj kanë tentuar të kalojnë në drejtim të Italisë përmes Portit të Durrësit të fshehur në një kamion. Policia njofton se gjatë kontrollit në vijën e dytë kanë gjetur të fshehur në rimorkion e një kamioni tip "Scania" tre të rinj shqiptarë. Ata po tentonin të kalonin kufirin drejt Italisë në mënyrë të paligjshme. Policia bën të ditur se ka ndaluar A.Z. 23 vjeç, banues në Lezhë, M.Gj. 27 vjeç, banues në Mirditë dhe B.T. 23 vjeç, banues në Mirditë.
Tre të rinjtë e ndaluar janë ndëshkuar me masë administrative për shmangie të verifikimit kufitar me 20 mijë lekë të reja gjobë secili. Ndërkohë është arrestuar në flagrancë drejtuesi i kamionit, T.M. 30 vjeç, banues në Sukth, Durrës. U sekuestruan në cilësinë e provave materiale kamioni dhe shuma monetare prej 1000 Euro dhe 4 aparatë telefoni celular.
Gjithashtu policia njofton se nga kontrollet e dokumentacionit të udhëtarëve janë kapur dhe proceduar në gjendje të lirë L.K. 22 vjeçe dhe A.A. 56 vjeç, të cilët tentuan të kalojnë kufirin me dokumenta të falsifikuara.
L.K. gjatë kontrollit të dokumentacionit iu gjet një kartë identiteti italiane e dyshuar e falsifikuar ndërsa A.A. një leje drejtimi e dyshuar e falsifikuar. Policia Kufitare Durrës vazhdon punën për të goditur kalimet e paligjshme të kufirit duke forcuar kontrollet për verifikimet kufitare.
Shoket kane kaluar tani u prish ndonje gje ......
Përgjigju