Ervin Skela, një prej emrave legjendarë që ka veshur fanellën kuqezi të kombëtares, nuk e mohon dëshirën për të qenë një ditë trajner i Shqipërisë. Edhe pse pranon se kjo ditë mund të jetë e largët, ai u shpreh se do të vinte edhe me biçikletë që ta pranonte një detyrë të tillë.
“Ëndrra e çdo ish-futbollisti të Kombëtares që pretendon të jetë trajner, nuk diskutohet që është për të qenë një herë trajneri i Kombëtare. Për mua do ishte një ëndërr. Nëse një ditë do më kërkonte kombëtarja e Shqipërisë, për të cilën mendoj se është ende larg, në mënyrë absolute që do pranoja, do vija me biçikletë është një shprehje këtu në Gjermani. Do nisesha që tani, direkt”, tha ai në një intervistë për FSHF TV.
Skela nënvizoi se në vitet e fundit si lojtar i ofruan të bashkohej me Skënderbeun ndërsa si trajner nuk ka pasur oferta.
“Në vitet e fundit si lojtar, ka qenë Agim Zeqo, president i Skënderbeut asokohe, më ka ofruar që të bashkohesha me skuadrën korçare. Po bënin një ekip që donte të shkonte në Champions. Si trajner nuk kam pasur oferta, pasoi njerëzit mendojnë se unë nuk kthehem në Shqipëri, pasi jam në Gjermani e këtu ndihem shumë mirë”, tha ai.
49-vjeçari mban rolin e teknikut te skuadra U-19 e akademisë së Eintracht Frankfurt, ku ka shkëlqyer pasi së bashku me skuadrën ka shkuar deri në 1/8 e Youth League.
Komente











