'110 makina të blinduara qarkullojnë në Shqipëri, të cilat kanë marrë leje nga autoritetet shqiptare' ky fakt u soll në vëmendje gjatë emisionit Repolitix të transmetuar këtë mbrëmje në Report Tv.

Burime për emisionin Repolitix nga Drejtoria e Transportit bënë me dije se janë dhënë 110 leje për makina të blindura përgjatë këtyre viteve. Megjithatë, numri i makinave të blinduara mendohet se është shumë herë më i lartë, afërisht rreth 400. Në aksionin e fundit të Policisë së Shtetit “Vjeshtë 2017”, janë sekuestruar 13 makina të blindura, pa leje nga autoritetet.

Por si merret një leje për makinat e blinduara?
Një udhëzim i Ministrit të Brendshëm dhe i Ministrit të transporteve në maj të 2016-së përcaktonte se të gjithë pronarët e mjeteve të blinduara që qarkullojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë kanë nevojë të pajisen me një autorizim të veçantë për t’u pajisur me targa regjistrimi.

Drejtuesit e mjeteve të blinduara, duhet të pajisen me një autorizim të veçantë vjetor të lëshuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Drejtuesit e mjeteve që i përdorin ato për qëllime personale private duhet të pajisen me një autorizim të veçantë të lëshuar nga drejtori i policisë së qarkut pas paraqitjes së kërkesës paraprake. 

Më pas është drejtoria e Transportit që i pajis makinat e blinduara me targa, vetëm nëse marrin leje nga drejtuesit e Policisë. Makinat e blinduara përdoren nga biznesmenët, nga personat që u kërcënohet jeta, por gjerësisht blihen nga grupet kriminale.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com