Me logo në zgafellë

Me logo në zgafellë
Sulmet ndaj komponentëve të Marrëveshjes dhe dialogut janë aq absurde, iracionale dhe ad hominem sa që PDK dhe Qeveria forcohen dita-ditës si aktorë dhe partnerë stabilë dhe kredibilë ndërkombëtarë (ndoshta dhe të vetmit?), ndërsa lideri i partisë dhe Kryeministri i vendit Hashim Thaçi tashmë po përmendet edhe si kandidat i mundshëm për çmimin Nobel për Paqe nga gazeta të vërteta si The Economist dhe The New York Times, për rrolin e tij në Marrëveshjen historike.

Një nga hobit e preferuar të autorit të këtij shkrimi janë leximi i shkrimeve në mediumet radikale apo krejtësisht antagoniste ndaj politikës prezente të Qeverisë. Pak për arsye të zbavitjes, ndërsa pak edhe për të konfirmuar drejtësinë e vendimeve të aprovuara nga institucionet në lidhje me marrëdhëniet e Kosovës me fqinjë por edhe me bashkësinë ndërkombëtare.

Në Serbi, shkrimet kundërshtuese me tone të ashiqarshme të urrejtjes i gjeni tek portalet e afërta ne nacionalistin Kostunica, si në Nova Srpska Politicka Misao, apo te ndonjë gazetar i kohërave të vjetra, si Miroslav Lazanski në Politika. Ata në baza ditore sulmojnë Marrëveshjen, sidomos tani, sepse janë të shokuar për “tradhtinë” që e ka bërë Dacic dhe Vucic në Bruksel, me njohjen e ligjeve dhe legjitimitetit të Kosovës në tërë territorin e Kosovës. Këta zëra më herët e akuzonin Tadicin për mungesë nacionalizmi, por tani që stafetën e ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore e ka marrë dyshja e re qeverisëse në Serbi, nacional-fashistët e Serbisë kanë luajtur menç.

Kanë arsye natyrisht.

Marrëveshja e parë, apo Principet e Para të Normalizimit, është shumë e qartë. Nuk ka vend për kurrfarë keqkuptimi apo mëdyshje. Pika 2 e “Principeve” thotë: “Strukturat e Asociacionit do te krijohen në baza të njëjta si statuti prezent i Asociacionit të Komunave të Kosovës”. Pika 4 thotë: “Komunat mund të ushtrojnë fuqi në pajtim me ligjin e Kosovës dhe Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Lokale”, pika 7 thotë ”Do të jetë vetëm një Polici e Kosovës”, pika 10 thotë “Autoritet ligjore do të integrohen dhe do të veprojnë në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës”, pika 11 thotë: “Zgjedhjet lokale do të organizohet sipas ligjit të Kosovës.”

Është e qartë pra, që mu KQZ e Kosovës organizon zgjedhjet për trupa komunalë që do të veprojnë konform ligjeve të Kosovës, në tërë territorin e Kosovës. Votat do t'i numërojë vetëm KQZ dhe askush tjetër dhe rezultatet do t'i shpallë KQZ.

Nuk ka vend për dualitet dhe nuk ka vend për ambiguitet ligjor. Kuvendarët e rinj do të operojnë sipas ligjeve të Kosovës e në rastet e krimit, do të jenë përgjegjës para gjykatave kosovare. Financat do t'ua kontrollojë Auditori i Kosovës. Rrogat do t'u paguhen nga buxheti i Kosovës, nëpërmjet bankave të licencuara kosovare. Vendimet e tyre do të sfidohen ne Gjykatë Kushtetuese të Kosovës.

Ja që nuk ka vetëm në Serbi kundërshtues të marrëveshjes që thirren në patriotizëm dhe moral.

Shumica e kosovarëve sipas një sondazhi ndërkombëtar përkrahin dialogun me Serbinë, por zhurma e atyre që kundërshtojnë është më e madhe. Për këtë ka pak faj edhe Qeveria, ku merr pjesë edhe autori, sepse nuk kemi zëdhënës e shpesh edhe mungesë të komunikimit direkt dhe “shkurt e shqip” për çështjet e komplikuara si amnistia për ata që kanë kundërshtuar rendin kushtetues, apo çështja e dukjes së fletëvotimeve.

Zhurma tani është fokusuar në çështje jo të rëndësishme të integrimit, por në debat rreth dizajnit grafik. A do të kenë apo jo stemën e Kosovës në logo tek fletët e votimit?

Mu ata që kanë përqeshur stemën e Kosovës dhe mu ata që kategorikisht refuzojnë ta pranojnë stemën si legjitime, tani janë bërë mbrojtësit më të mëdhenj të simbolit shtetëror.

Na quajnë si gënjeshtarë apo tradhtarë neve që e kemi mbrojtur stemën nga dita një e pavarësisë dhe që na mbushet zemra mal kur ta shohim flamurin e Kosovës tek Xherdani Shaqiri në stadium apo tek Rita Ora në MTV.

Janë kundër gjithçkaje që bën kjo qeveri, edhe kur arrihen rezultate të mira, e edhe kur bëhen oportunistë politikë duke shkelur principet e veta për hir të ndonjë goditje të ulët Qeverisë. Citojnë ligje kotnasikoti, se nuk lexojnë ligje apo lexojnë çka kanë qejf e jo çka shkruan zezë në të bardhë.

Ndërsa Ligji për simbole të Kosovës mjaft saktësisht përshkruan se ku përdoret stema zyrtare, por fletëvotimi nuk përmendet kund. Me asnjë referencë të vetme.

Dikush pohon se fletëvotimet janë “dokumente zyrtare” dhe si të tilla duhet pasur stemën. Mendoj se edhe ky pohim del i gabueshëm. Dokumentet zyrtare me stemë, nënshkruhen, vulosen dhe medoemos arkivohen. Fletëvotimet pas numërimit dhe certifikimit shkatërrohen fizikisht. Pra, shkatërrohet edhe stema e printuar në to, fund jo bash dinjitoz i simboleve shtetërore.

Ambasadori Reichel, përfaqësuesi personal i Kancelares Merkel i angazhuar për Ballkan, Kaukaz dhe Turqi, i promovuar në atë pozitë për shkak të rezultateve të shkëlqyera si Ambasador në Kosovë në një periudhë jashtëzakonisht sensitive më 2011 e 2012, e tha edhe një fakt: Në Gjermani fletëvotimet nuk kanë fare logo.

Në të vërtetë, nëse hyni në Google dhe shikoni fletëvotimet nëpër botë, një shumicë e madhe nuk kanë logo. As ato për President të Amerikës, por as të shumicës se shteteve. Disa pak edhe kanë logo, por fletëvotimet janë kryesisht pa asnjë element grafik, të bardha, më shkronja të zeza. Ka arsye të shëndoshë për këtë - votuesit votojnë për partitë dhe kandidatët e jo për logon e shtetit a komunës.

Kështu u ndez parvjet edhe debati për targa të automjeteve. U shkruan artikuj të flaktë me shumë pasione se u fshi logoja nga tabelat e automjeteve kosovare duke u zbehur edhe shtetësia. E vërteta ishte mu e kundërta. Ama bash krejtësisht e kundërta. Me marrëveshjen për targa u konfirmua se i vetmi subjekt që ka të drejtë të lëshojë tabela është MPB e Republikës së Kosovës e cila përdor dy dizajnë, një për shumicën e qytetarëve që preferojnë më RKS, dhe një me KS për një grusht sosh që kanë të drejtë të mos e duan R'në. Mu ashtu siç në Britani, disa tabela kanë flamurin e BE-së, por ka britanikë të shumtë që kanë tabela pa flamurin me yje. Sovraniteti pra u konfirmua nëpërmjet ofrimit të opsioneve nga autoriteti shtetëror ekskluziv, e jo nëpërmjet reduktimit absolutist dhe komik të shtetit në simbolizma vend e pa vend.

Stema e vendit është simbol multivokal shumë i rëndësishëm për ngjizjen e shtetit dhe si projeksion i patriotizmit konstitucional e jo atij etnik. Pra një dashurie të madhe për shtetin e ri e cila do të duhej të ishte po aq e fuqishme sa dashuria ndaj etnisë. Në pasaporta e letërnjoftime, në identifikime policësh dhe fanella sportistësh është obligative. Në korrespodencë shtetit, nota verbale, komunikim formal zyrtar në letër – është esenciale. Në spote muzikore dhe lajme turistike nga Kosova është e dëshirueshme. Në targa është opsionale. A nuk do të duhej të ishte logoja poashtu opsionale në fletëvotime?

Nëse një grup qytetarësh jo edhe aq i vogël, që 15 vite rresht e ka refuzuar ligjin e Kosovës, zgjedhjet në Kosovë, policët kosovarë, doganierët kosovarë, institucionet sipas Ahtisarit dhe të cilët kanë qenë edhe burim, por edhe viktimë e tensioneve etnike dhe grupeve kriminale, sot thonë – OK, ja po i pranojmë zgjedhjet sipas sistemit kosovar, ja po i pranojmë komunat me kompetenca ahtisariane, po i pranojmë edhe gjykatat dhe një ligj në Kosovë, por dëshirojmë të kemi fletëvotime të bardha! Si t'ia bëjmë?

Dikush mund të thotë, por si mundet një pakicë të bëjë kushtëzime? Një ditë mundet “dikush” të insistojë në logo të Serbisë, apo të Marsit apo Neptunit. Prandaj, Qeveria e Kosovës u dashka të tregohet më e fortë edhe se Partia e Fortë dhe Halil Budakova bashkë dhe t'i thotë JO-në e madhe këtij 5% që refuzon logo.

Ky argumentim është një falaci logjike natyrisht. Kërkesa nuk është të vihen logo tjera apo të përqeshet procesi dhe fletëvotimi. Kërkesa është të ketë minimalizëm në fletëvotim. Fletë e bardhe me shkronja të zeza, mundësisht e shtypur me teknologji që nuk lejon falsifikimin.

Partisë më të madhe në Kosovë realisht i konvenon zhurma nga një pjesa radikale e opozitës politike që konsiston nga një amalgam i përçudnuem e joprincipiel i një partie nacionaliste, një gazetë kuazi-nacionaliste dhe 2-3 OJQ wannabe-nacionaliste me më pak se 30 aktivistë totalë.

Këta janë të vetmit që nuk pritojnë t'i lënë makiatot për të protestuar [qoftë edhe me dhunë verbale dhe fizike] kundër marrëveshjes. Këta e përkrahin njëra tjetrën në kundërshtim të progresit, dialogut dhe integrimit të veriut në shtetin e Kosovës dhe ja bëjnë “like” njëra tjetrës në rrjete sociale dhe fletushka partiake, me një mendësi të mbyllur dereistike. E ndajnë qytetarinë në dy grupe dhe pavarësisht politikave, këshillave të miqve ndërkombëtarë dhe realitetit në terren, insistojnë në këtë ndarje, të mbetur nga shekulli i kaluar. Deri në vetëshkatërrim.

Sulmet e tyre ndaj komponentëve të Marrëveshjes dhe dialogut janë aq absurde, iracionale dhe ad hominem sa që PDK dhe Qeveria forcohen si aktorë kredibilë dhe stabilë ndërkombëtarë, ndërsa lideri i partisë që solli lirinë dhe pavarësinë Hashim Thaçi tashmë po përmendet edhe si kandidat i mundshëm për çmimin Nobel për Paqe nga gazeta të vërteta si The Economist dhe The New York Times. Këto ditë, i relaksuar për sukseset e 2013, po pret edhe homologun e vet Edi Rama në Dokufestin e bukur që sivjet fatmirësisht morri ndihmë rekorde financiare nga Qeveria qendrore.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit