Me Macron nis fundi i politikës së instikteve?

Me Macron nis fundi i politikës së instikteve?
Fitoret e njëpasnjëshme të Presidentit francez Emmanuel Macron sjellin një erë të re fantastike në Europë. Nuk është e rastësishme ardhja e këtij politikani të ri në majë të një vale suksesi, pas vitesh absurde, ku dhe në djepet më të lashta të civilizimit botëror po kërcënonin politikanë ekstremistë alla Bossi në Itali, Le Pen në Francë apo ekstremistë të tjerë në Austri, Gjermani a Britaninë e Madhe etj. Zgjedhja e 39 vjeçarit si President i Francës dhe uragani i partisë së re të tij në parlamentin Francez ku mori fetën më të madhe të tortës së pushtetit, mund të përkthehet si një dëshirë për moderim, civilizim, rregulla, por dhe individualitet.

Janë bërë shumë portrete të presidentit Macron, por e përbashkëta, pavarësisht rrymave dhe opinioneve nga vijnë, është ajo e një të riu të moderuar, i cili nuk pëlqen të përkufizohet as i majtë dhe as i djathtë, një politikan që ka përzemër bashkimin më shumë se thellimin e konflikteve apo të diversiteteve. Një politikan që pëlqen të flasë shumë për punën si i vetmi mjet për fitoren e dinjitetit dhe progresit, për ekonominë, por edhe për ruajtjen e të qënit vetvetja, origjinaliteti i seicilit njeri. Dhe sa për origjinalitet Emmanuel Macron besoj se i kapërcen parashikimet e vendosura nga shoqëria moderne, edhe nga ajo franceze e cila me trasgresione është mësuar në qindravjeçarë.

Si pasues i Sarkozisë që si bashkëshorte kishte fotomodelen e bukur Carla Bruni apo Hollande që si "adoleshent" in love shkonte të takonte me Vespa të dashurën më të re, Macron është ndryshe. Asnjë kompleks për t'u dashuruar me mësuesen e tij Brigitte Trogneux 24 vite më e madhe, dhe asnjë kompleks për t'u martuar me të e për të injoruar të gjitha përshpëritjet, batutat e botës rreth tyre. Mesa duket, liria individuale, për Presidentin e ri francez, bën të mos ketë veshë për këtë lloj bisedash e përshtypjesh të frekuencave të valëve të provincës, qoftë ajo edhe franceze.  

A është Macron era e një fryme tjetër europiane?

Goditje të papritur mori në zgjedhjet administrative edhe një tjetër ekstremist i famshëm europian: Beppe Grillo dhe lëvizja e tij 5 yje në Itali nuk doli forcë e parë në asnjë prej qyteteve kryesore. A ka lodhur politika që u thërret instikteve dhe jo logjikës njerëzore për të fituar votat e të dëshpëruarve, të inatosurve, të ziliqarëve, të agresivëve, ekstremistëve, racistëve, por edhe të uriturve, të sëmurëve... etj. etj.? Mbetet për t'u verifikuar efikasiteti i  punës, origjinalitetit dhe pozitiviteti prej të cilave francezët zgjodhën presidentin e që i besuan administrimin e këtij vendi të lavdishëm. Por një gjë duket qartë në këtë zgjedhje: Ata i besuan logjikës, fakteve, të një njeriu që kërkon ta pranojnë siç është, pa patur nevojë të thërrasë në vëmendje instiktet më të ulëta të cilave shpesh, këto vitet e fundit, iu janë referuar një pjesë e politikës. 

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare