Pas tensioneve dhe përplasjeve fizike mes deputetëve në Kuvend, Tedi Blushi kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar këtë si kusht të panegociueshëm për zgjidhjen e krizës politike.

Në një postim në rrjetet sociale, Blushi akuzon Ramën se po përpiqet të fitojë kohë përmes tensioneve dhe zvarritjes së zgjidhjes politike. Ai i drejtohet edhe Partisë Socialiste, së cilës i kërkon të zgjedhë nëse do të bëhet pjesë e zgjidhjes apo do të vazhdojë të mbështesë kryeministrin.

Blushi paraqet edhe katër kushtet e Partisë së Lirisë për daljen nga kriza: largimin e Ramës, rikthimin e Kushtetutës përpara ndryshimeve të vitit 2008, krijimin e një qeverie teknike përpara zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga populli.

Reagimi i plotë i Tedi Blushit:

Sot, Kuvendi i Shqipërisë duhej të mblidhej në një seancë të jashtëzakonshme për t’i ofruar vendit një zgjidhje të shpejtë, konkrete, të qartë dhe afatgjatë për daljen nga kriza e rëndë politike, institucionale dhe shoqërore, e shkaktuar nga Edi Rama dhe keqqeverisja e tij.

Por, në vend që të përballej me përgjegjësitë kushtetuese dhe politike, Kuvendi u kthye sërish në skenën e shmangies, provokimeve, dhunës dhe zvarritjes së zgjidhjes.

Shtyrja e seancës dhe ndërprerja e nxituar e punimeve, në një klimë të tensionuar dhe përplasjesh fizike mes deputetëve, nuk e zgjidhin krizën, por e thellojnë atë.

Duhet ta themi qartë: Edi Rama nuk kërkon zgjidhjen e krizës.

Kriza permanente është instrumenti i tij për të mbajtur pushtetin me dhunë dhe me çdo kusht.

Ai kërkon të fitojë kohë, të lodhë shqiptarët, të provokojë përplasje dhe të mbajë gjallë një klimë dhune dhe tensioni të vazhdueshëm, duke e shtyrë sa më larg llogaridhënien dhe përballjen me hajdutëritë, krimet dhe përgjegjësitë e veta shumë të rënda penale.

Sa më shumë zvarritet zgjidhja, aq më shumë zgjatet jeta e regjimit.

Frika, dhuna dhe gjaku janë adrenalinë dhe oksigjen për çdo diktaturë.

Zvarritja e zgjidhjes e lë dhunën shtetërore si instrumentin e vetëm të një regjimi që nuk dëshiron dhe nuk di të qeverisë ndryshe.

Shqipëria ka sot nevojë ulëritëse për një zgjidhje të shpejtë, të qartë dhe afatgjatë, që i jep fund krizës, garanton votën e lirë, rikthen funksionimin demokratik të institucioneve dhe ia kthen sovranitetin qytetarëve.

Kjo kërkon përgjegjësi politike, vullnet të palëkundur dhe, mbi të gjitha, largimin e panegociueshëm të Edi Ramës, si kusht themelor për t’i hapur vendit rrugën drejt ndryshimit.

Këtë të vërtetë duhet ta kuptojë, sa më parë, edhe Partia Socialiste. Ajo duhet të zgjedhë nëse do të bëhet pjesë e zgjidhjes politike për Shqipërinë apo do të vazhdojë të mbetet peng i Edi Ramës dhe i “çunave të IKMT-së”, që me maska dhe shkopinj bejsbolli kanë zëvendësuar institucionet shtetërore dhe e kanë kthyer dhunën në instrument qeverisjeje.

Me maska dhe shkopinj nuk ka dialog.

Me kërcënime nuk ndërtohet kompromis.

Dhe dhuna nuk mund të barazohet kurrë me demokracinë.

Edi Rama nuk mund të jetë njëkohësisht shkaku i krizës dhe të pretendojë të jetë faktori që e zgjidh atë.

Përgjegjësia për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje kërkon që politika të marrë në dorë fatet e vendit, përmes një zgjidhjeje që buron nga Kuvendi dhe vendos interesin kombëtar mbi çdo interes tjetër.

Kjo zgjidhje mbështetet në katër kushte themelore:

  1. Largimi i panegociueshëm i Edi Ramës, si kusht themelor.

  2. Rikthimi i Kushtetutës së miratuar me referendum nga populli, përpara ndryshimeve të vitit 2008.

  3. Krijimi i një Qeverie Teknike përpara çdo palë zgjedhjesh parlamentare, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut.

  4. Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga populli.

Këto nuk janë kërkesa për të ushqyer konfliktin, por kushte për t’i dhënë fund atij.

Nuk janë formula për ta zgjatur krizën, por një rrugë konkrete për të rikthyer lirinë, demokracinë, sovranitetin popullor, besimin te institucionet dhe perspektivën europiane të Shqipërisë.

Partia Socialiste duhet të zgjedhë. Të bëhet pjesë e zgjidhjes politike apo të vazhdojë të mbetet peng i “çunave të IKMT-së” me shkopinj bejsbolli.

Historia nuk do ta gjykojë nga sa gjatë e mbrojti Edi Ramën, por nga përgjegjësia që tregoi ndaj Shqipërisë në momentet më kritike të saj.

Zgjidhja është ofruar nga Partia e Lirisë. Janë vetëm katër hapa themelorë për t’i hapur vendit një rrugë të re.

Shqipëria ka nevojë për zgjidhje, jo për gjak. Për demokraci, jo për diktat. Për ndryshim, jo për një regjim që ushqehet nga kriza për të shtyrë fundin e vet dhe të pashmangshëm politik.

Për këtë zgjidhje duhet të investohemi të gjithë. Pa hezitim!


Lajmi kryesor:

Bllokuan foltoren, sulmuan dhe goditën fizikisht, PS kërkon përjashtimin me 2 muaj nga Kuvendi të Nokës, Krekës e Këlliçit dhe 3 të tjerëve! 10 ditë për 14 deputetë të PD, 'Etika' vendos nesër