Më mirë mbi kurriz, sesa në mjedis

Më mirë mbi kurriz, sesa në mjedis
Disketa të vjetra kompjuterash, bustina kafesh, kartolina, qese plastike, gota plastike, bizhuteri të vjetra, thasë, mbetje nga fustanet e qepura në rrobaqepësi, surprizat plastike Kinder... dhe lule.
 
EcoFashionShow solli në Tiranë edhe në edicionin e këtij viti ide nga më fantastiket për të ripërdorur çdo gjë që mendojmë se duhet të hedhim në plehra, e që më pas përfundon në mjedis. Sidomos në Shqipëri.
Prej pak vitesh ka lindur dhe po zhvillohet një embrion qytetar në mbrojtje të mjedisit dhe natyrës edhe tek ne. Individë kanë nisur rrugën e tyre personale me ide të vogla, që ditë pas dite, vit pas viti, po gjejnë mbështetës gjithnjë e më shumë. Të mos hedhim plehra në ambjentin ku jetojmë, në vendin ku na ka qëlluar të lindim, është një sfidë e qytetarisë së vërtetë dhe të shëndetshme shqiptare. Unë njoh disa që për këtë qëllim punojnë, janë pak, as sa gishtat e një dore që herë me mbështetje e herë jo po bëjnë hapa konkretë, të dukshëm, të prekshëm, në mbrojtje të mjedisit. Njoh Ened Maton, djali i Xhemal Matos, që në shtëpi do të jetë rritur e do të ketë dëgjuar fjalë për mbrojtjen e mjedisit. E nisi me një biçikletë, lëvizte nëpër Tiranë ai, tashmë prind, me djalin e vogël në "kosh" dhe këmbëngul tani me Ecovolis, njoh Mentor Kikinë që pastron plazhet, Eljan Taninin që mbjell pemë, Rajmonda Zajmi Avignon që prej 4 vitesh propozon EcoFashionShow. Njoha në këtë aktivitet dhe mrekulli të tjera që po lindin me idetë e riciklimit, si për shembull "Nji mar, Nji mrapsht".
 
Dua të flas në këtë shkrim për Mondën dhe për sfilatën e saj më të fundit organizuar mbrëmjen e 4 qershorit në mjediset e Muzeut Kombëtar. Gjithmonë kam besuar se bota përmirësohet dhe ndryshon, vetëm nëse seicili prej nesh bën veprimin e duhur. Por pak veprojnë. Shumica e njerëzve vetëm ankohen, shajnë të tjerët për mosveprim dhe nuk janë aktivë në veprime të vogla në të përditshmen e tyre. Të mos hedhësh cigare përtokë, letrën e çokollatës, shishen plastike, gotën plastike ku sapo ke pirë kafe apo ujë, çamçakizin etj... janë veprime të vogla, por që dikush duhet t'i bëjë. Nuk vlen të bërtasësh për mjedisin, për pemët, për ajrin e pastër, kur sapo ke hedhur nga ballkoni, apo nga dritarja e banjos tubetin e kolinozit të shtrydhur, shampon e mbaruar, apo detergjentin që nuk e përdor më. Janë veprimet e gabuara të seicilit që bëjnë të përgjithshmen e ndotin atë që duhet të mbrojmë.
 
Në shtëpinë e Rajmondës dhe të Antoine Avignon, në këtë familje franko-shqiptare, tre fëmijët janë mësuar ndryshe: Dinë të riciklojnë, dinë të ripërdorojnë, dinë të mos hedhin plehra, apo të grumbullojnë dhe diçka që kanë hedhur të tjerët me shpërfillje në tokën tonë.
 
Dashuria për mjedisin, për natyrën, ushqehet për të vegjëlit në shtëpi dhe në shkollë. Ata do të veprojnë, do të imitojnë atë që bëjnë më të mëdhenjtë. Dhe kur një individ e ka të madhe dashurinë për mjedisin, vjen një ditë dhe vepron.
 
EcoFashionShow është një provokacion ndaj mendjeve dembele dhe indiferente në çështje të mjedisit shqiptar. Disa punime janë vepra të mirëfillta arti, japin ide se si një fustan i bërë me materiale që nuk i hedhim në mjedis, mund të qëndrojë tamam si një skulpturë moderne në çdo shtëpi. Krijimet e EcoFashionShoë, janë fare mirë skulpturat moderne të prodhuara si rezultat i plehrave pa kufi që ne prodhojmë.
 
Pasioni i Rajmondës dhe i familjes së saj na përfshiu të gjithëve, miq, fëmijë, njerëz të profesioneve të ndryshme. Shpresojmë dhe urojmë që të shtohen sa më shumë shqiptarët që do të preferojnë që një mbeturinë, para se ta hedhin në mjedis, ta mbajnë në kurrizin e tyre, ta veshin. Vetëm kështu do të kemi gjithnjë e më shumë një Shqipëri të pastër, siç na e ka lënë Zoti dhe të parët tanë.

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë