Më pak borë do të thotë më pak ujë në verë

Më pak borë do të thotë më pak ujë në verë

Foto ilustruese

Nga Gjermania dhe Franca, e deri në Republikën Çeke, shumë resorte evropiane për ski nuk janë ‘vendi i çudirave' të dimrit për këtë sezon. Në vend të kësaj, shpatet e vetmuara të mbuluara me borë artificiale njollosin në mënyrë sporadike peizazhet e gjelbra dhe kafe. Teksa emetimet e shkaktuara nga djegia e lëndëve djegëse vazhdojnë të ndryshojnë klimën, temperaturat janë mjaftueshëm të ngrohta sa për të shkrirë borën. Në shumë vende bie shi në vend të borës. Pasojat shkojnë përtej sporteve dimërore, duke dëmtuar furnizimin me ujë dhe biodiversitetin.

"Bora luan një rol të rëndësishëm në ciklin e ujit," shprehet Daniel Farinotti, një glaciolog nga universiteti ETH Zyrih dhe Instituti Federal Zviceran për Kërkimin e Pyjeve, Borës dhe Peizazhit. "Bora ruan ujin për një kohë të caktuar. Uji i gjendur në borë nuk rrjedh menjëherë, por në verë dhe pranverë."

Vetëm kur bora shkrihet, uji lëshohet gradualisht nëpër liqenet, lumenjtë dhe ujërat nëntokësore përreth. Bora vepron si një lloj pajisje ruajtëse dhe kur ka më pak ose aspak borë, ndikon në sasinë e ujit gjatë vitit. Lumenjtë e ushqyer pjesërisht nga shkrirja e borës gjithashtu përfundojnë me nivele më të ulëta uji. Kjo përfshin edhe lumin e Rinit, një nga rrugët ujore më të rëndësishme të Evropës.

Mungesa e borës sjell pasoja negative për transportin dhe furnizimin me energji elektrike

Për Rinin, rezervat e ujit të shkrirë janë thelbësore për t'i kaluar muajt më të thatë të verës dhe të vjeshtës.

"Sasia e pakët e borës mund të përkeqësojë nivelet e ujit në Rin nga Bazeli në Detin e Veriut”, tregon një studim i Komisionit Ndërkombëtar për Hidrologjinë e Basenit të Rinit. Sipas studimit, reshjet e shiut nuk do të jenë në gjendje të kompensojnë mungesën e ujit të shkrirë. Dhe një Rin më i cekët prek të gjithë ata që e përdorin këtë rrugë ujore.

Anijet e mallrave mund të ndërpresin transportin për një mesatare prej më shumë se dy muajsh në vit deri në fund të shekullit, thuhet në raport. Prodhimi i energjisë elektrike mund të pakësohet. Furnizuesit e ujit të pijshëm dhe fermerët do të duhet të përgatiten për mungesa më të shpeshta në një verë rrjedhimisht të nxehtë dhe të thatë, kur uji është në kërkesë edhe më të madhe.

Përshtatja me mungesën e borës

Basenet artificiale që mbledhin shiun në dimër janë të nevojshme për të kompensuar mungesën e ujit të shkaktuar nga shkrirja e borës, thotë Marc Zebisch, një shkencëtar për klimën në Eurac Research, një qendër kërkimore ndërdisiplinore me qendër në Tirolin e Jugut, në Itali.

Por kjo nënkupton ndryshimin e mjedisit natyror, shton Zebisch. Gjithashtu në male ka hapësirë të kufizuar për pellgje të tilla.

Kjo është arsyeja pse "kur rreziku i thatësirës rritet, ne duhet të kursejmë ujin kudo që të mundemi", tha studiuesi.

Sektori bujqësor në Alpet jugore ende harxhon shumë ujë, sipas Zebisch. Fermerët duhet të marrin në konsideratë se cilat lloje të kulturave mund të rriten në një mjedis më të thatë në të ardhmen, tha Robert Steiger, një gjeograf dhe studiues i turizmit nga Universiteti i Insbrukut në Austri.

"Në luginën e Po-së në Itali, ka plane për të kultivuar shumë më pak oriz sepse kjo kërkon shumë ujë," tha Steiger. Verën e kaluar lugina Po thuajse u tha. Përveçse u përball me një periudhë jashtëzakonisht të nxehtë dhe të thatë, Italia luftoi edhe me mungesën e borës dhe të shiut gjatë dimrit të kaluar. Kjo bëri që uji në shumë lumenj evropianë të arrinte nivele të ulëta dramatike.

Mungesa e borës dëmton malet

Pasojat e zhdukjes së borës po i ndjejnë edhe rajonet malore. Kur shiu i dendur zëvendëson reshjet e borës, rreziku i rrëshqitjeve të dheut rritet, shprehet Steiger. Reshjet e pakta të borës gjithashtu ndryshojnë ekosistemet, sipas Farinottit nga ETH Zurich.

Shkrirja e borës e mban tokën malore të lagësht për më gjatë se uji i shiut, sepse ai lëshohet gradualisht në një periudhë të gjatë dhe jo në shpërthime të shkurtra. Ndër të tjera, kjo lagështi është e rëndësishme për rritjen e bimëve në pranverë.

Mungesa e ujit nxit gjithashtu dëmtuesit e tokës. Në Tirolin e Jugut, Zebisch raportoi një rritje të infektimeve nga brumbujt. Insektet e kishin më të lehtë rrugën e tyre dukë përtypur pemë të thata dhe të dobëta.

Kur nuk ka borë, ka më pak reflektim diellor

Mbulesa e borës është një pjesë e rëndësishme e efektit "albedo”, që i referohet aftësisë së një sipërfaqeje për të reflektuar dritën. Duke reflektuar dritën, bora e bardhë ndihmon në uljen e temperaturës së planetit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në rajonet polare - vetëm mendoni për akullin mbi sipërqafen e detit dhe tundrat e mëdha të mbuluara me borë të Skandinavisë dhe Siberisë.

"Bora është krem kundër diellit për Tokën. Ajo e mbron nga nxehja," thotë Zebisch.

Në vargmalet e ulëta malore, humbja e borës nuk luan një rol të madh në efektin global albedo. Por ka një ndikim të rëndësishëm lokal. Pa borë të bardhë reflektuese, toka nxehet më shpejt dhe thahet. Shiu rrjedh nga toka e thatë në vend që të depërtojë, gjë që rrit rrezikun e zjarrit në pyje, sepse një mjedis më i thatë është më i ndezshëm.

Bora artificiale nuk e zëvendëson dot atë natyrore

Është praktikisht e pamundur të zëvendësohet ose të ruhet bora. Për ta bërë këtë ka shumë shpenzime dhe është e realizueshme vetëm në vende të caktuara ku ka një motivim ekonomik, si për sportet dimërore, thotë Steiger.

Prodhimi i borës artificiale kërkon shumë energji dhe ujë. Dhe në shumë rajone, sipas ekspertëve, një ditë do të bëhet shumë nxehtë edhe për borën artificiale. Të mbrosh borën me pëlhura të bardha plastike, siç është vepruar në disa akullnaja, është një nismë e madhe. "Duhen disa javë për t'i zbërthyer këto fletë dhe për t'i hequr përsëri", tha Steiger. "Gjithashtu, është raportuar se lëshojnë mikroplastikë në mjedis."Për të shmangur një botë pa borë, ka vetëm një gjë që mund të bëjmë, sipas Farinottit. Dhe ajo është të frenojmë ndryshimet klimatike duke ulur emetimet e dioksidit të karbonit. "Unë besoj se do të ishte shumë më e lehtë se të gjitha këto masa të tjera teknike," thekson Farinotti./DW

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille