Dardha është zgjuar këtë të diel nën petkun e bardhë të dëborës. Reshjet kanë nisur mbrëmjen e djeshme dhe trashësia e dëborës në fshatin turistik ka arritur deri në 7 centimetra.
Shtëpitë karakteristike prej guri, rrugicat me kalldrëm dhe pyjet që rrethojnë fshatin kanë marrë një tis bardhësie duke rikthyer në Dardhë peizazhin magjepsës dimëror që çdo vit tërheq turistë nga e gjithë Shqipëria e bota.
Për ata që duan të kalojnë ditën e fundit të festave të nëntorit mes dëborës, rruga drejt Dardhës është e kalueshme. Deri më tani, reshjet nuk kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e automjeteve.
Vetëm 20 kilometra larg Korçës dhe në lartësinë 1344 metra mbi nivelin e detit, Dardha është ndër destinacionet e njohura të turizmit dimëror në Shqipëri, veçanërisht për të apasionuarit pas skive.
Por përtej dëborës, fshati ka edhe një histori disashekullore. I themeluar rreth viteve 1600, Dardha ruan arkitekturën tradicionale, ndërsa disa prej shtëpive të vjetra janë kthyer në ambiente pushimi për turistët.
Shëtitjet në natyrë, qëndrimi në bujtinat karakteristike dhe gatimet tradicionale, ku spikat lakrori i pjekur në saç, janë pjesë e asaj që ofron fshati korçar edhe gjatë ditëve të ftohta të dimrit.




Komente
Komento