DURRËS - Një 43-vjeçar u arrestua nga policia e Durrësit, pasi lëvizte me pistoletë me vete ndërsa një 28-vjeçar u arrestua për moskallëzim të krimit.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, arrestuan në flagrancë R. F., 43 vjeç dhe S. H., 28 vjeç, të dy banues në Manzë, Durrës.
Policia kishte marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri dhe gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip "Audi" në pronësi të S. H., në sediljen e pasagjerit ku ndodhej R. F., në një çantë dore, Policia gjeti një armë zjarri tip "Beretta" dhe 23 fishekë.
Ata do të hetohen për veprën penale "Armëmbajtja pa leje", për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.