Zbardhen detaje të reja nga plagosja e Eljus Thartorit mbrëmjen e djeshme në Vlorë. Në atentatin ndaj ish-mësuesit të edukimit fizik të shkollës 9 vjeçare “Teli Ndini” në Vlorë dyshohet se kanë marrë pjesë dy persona, ndërsa është transportuar në Tiranë në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën, pasi ka plagë të shumta të trup.

Sipas policisë, Thartori u qëllua me armë, ndërsa e kapën dy plumba, por gazetari i Report Tv në Vlorë, Armand Xhelili raporton se 36-vjeçari ka deklaruar se 'më plasi celulari në dorë'. Dëshmia e tij, por edhe fakti që të plagosurit i janë gjetur copa metali në disa pjesë të trupit ka ngritur dyshimet se veç breshërisë me armë ka pasur edhe shpërthim të lëndë plasëse.

Autorët dyshohet se fillimisht përdorën një shpërthim eksplozivi për ta nxjerrë nga shtëpia dhe më pas e qëlluan me armë për t'u siguruar se e kanë vrarë, por detajet janë të pakta nga grupi hetimor që po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Deri tani janë shoqëruar 10 persona, fqinj por të tjerë që mund të kenë qenë në rrugë në momentin që ka ndodhi ngjarja mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:20. Dy nga tre pistat ku po hetohet janë e kaluara e 36-vjeçarit, i cili ka qenë dënuar me 10 vite burg për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje, por edhe hakmarrja, pasi dyshohet se ka qenë pjesë e organizatave kriminale. 

Vetë 36-vjeçari i trembej një hakmarrje të tillë, pasi në banesë kishte vendosur disa kamera sigurie dhe ruhej, por autorët arritën që ta plagosnin. Shtëpia e ish-mësuesit ruhet nga efektivët e policisë së Vlorës prej mbrëmjes së djeshme. Report Tv sjell pamjet nga Vlora, teksa duket makina e policisë që qëndron pranë banesës. Ndërkohë që grupi hetimor ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë për të shkuar në gjurmët e autorëve.

Eljus Thartori ishte duke qëndruar në bllokonin e banesës së tij në Vlorë në momentin kur persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të tij duke e plagosur rëndë. Megjithatë të dhënat për kronologjinë ende nuk janë sqaruar plotësisht.

Foto nga vendi i ngjarjes



Shtepia qe ruhet nga policia