Me pranga në duar, historiku i burgosjes së zyrtarëve shqiptarë

Me pranga në duar, historiku i burgosjes së zyrtarëve shqiptarë

Safet Zhulali, Fatos Nano, Lefter Koka dhe Saimir Tahiri

Arrestimi dhe dënimi i zyrtarëve shqiptarë nuk është një soditje e shpeshtë për publikun shqiptar.

E aq më pak për organet dhe strukturat e drejtësisë që të kenë si të pandehur ish-funksionarë të lartë.

Madje, mes tyre bie në sy numri i lartë i zyrtarëve të brendshëm të shtetit shqiptar, të cilët janë burgosur – plot pesë të tillë.

I fundit në radhë ishte ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Apeli i Posaçëm i GJKKO-së do të dënonte të premten e 4 shkurtit Tahirin, me tre vite e katër muaj burgim.

Në argumentet e gjykatës, thuhet se u vërtetua fakti se ish-ministri ka ndihmuar dhe favorizuar Miosi dhe Artan Habilajn në trafikun e drogës, duke marrë prej tyre përfitime të padrejta.

Një tjetër ish-zyrtar shqiptar gjendet i arrestuar prej më shumë se një muaji.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u burgos pas akuzave për korrupsion në lidhje me tenderat e impianteve të përpunimit të mbetjeve.

Koka u arrestua më 14 dhjetor të vitit 2021, pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK), e implikoi atë drejtpërdrejt në çështjen e njohur si “Inceneratorët”.

Ai akuzohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Por, Tahiri dhe Koka pasojnë një historik të gjatë burgosjesh pas viteve 1990 që përfshijnë edhe ish-kryeministra.

Historiku

Në vitet e para të pluralizmit, ishin të shumtë rastet e gjykimit të qeveritarëve, prokurorëve e gjykatësve ndaj të cilëve vëreheshin shkelje të ligjit.

Në një pjesë të tyre, ata gjykoheshin dhe vuanin dënimin. Por, kishte dhe raste të tjera, që fajësia e tyre nuk provohej.

I pari që do të përfundonte prapa hekurave ishte sërish një ish-ministër i Brendshëm. Hajredin Shyti do të arrestohej më 25 korrik të vitit 1992.

Kjo, pasi u akuzua për vrasje me dashje indirekte të katër personave si dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Gjithashtu, ai u akuzua edhe për shpërdorimin e detyrës në lidhje me ngjarjen e 2 prillit 1991 në Shkodër, ndërsa u dënua me 17 vite burg.

Pas marrjes së dënimit, Hajredin Shyti u arrestua dhe e vuajti atë deri në ngjarjet e vitit 1997.

Vladimir Hysi, ish-ministër i Brendshëm, do të dënohej me 1 vit e gjysmë burgim.

Ndaj tij, në vitin 1996, qeveria do të niste një procedim penal për “krime kundër njerëzimit”, “shpërdorim detyre” dhe veprime që pengonin zbulimin e të vërtetës.

Hysi do të arrestohej më 5 mars të vitit 1996 për të njëjtat akuza.

Ndërkohë, Gjykata e Kasacionit do e shpallte ish-zyrtarin të pafajshëm.

Që nga ajo periudhë, Vladimir Hysi do shkëputej nga jeta politike.

Në vitin 1993, Shqipëria do të dëshmonte arrestimin e kryetarit – asokohe – të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

Ish-lideri socialist do të arrestohej me vendim të Prokurorisë së Përgjithshme.

Ai do të dënohej me 12 vjet heqje lirie për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Vetë Nano në një intervistë dhënë “Gazetës Shqiptare” nënvizonte se do të ndihej krenar po ta arrestonin.

Ish-kryeministri e drejtoi Partinë Socialiste përmes letrave nga Burgu i Bënçës në Tepelenë.

Trazirat e vitit 1997 mundësuan që më 12 mars Fatos Nano të fitonte lirinë.

Një javë më pas presidenti i asaj kohe Sali Berisha, do të firmoste faljen e kundërshtarit të tij politik.

Vilson Ahmeti është ish-kryeministri i dytë që përfundoi në qeli.

Ahmeti do të arrestohej në mars të vitit 1993 për skandalin e ashtuquajtur “Arsidi”.

Ish-kryeministri do të akuzohej për vjedhje dhe shpërdorim detyre. Ahmeti, një ish-ministër i Industrisë Ushqimore dhe i Industrisë së Lehtë u dënua me 12 vite burg.

Ai qëndroi në qeli 1 vit e 4 muaj dhe në arrest shtëpie tetë muaj.

Në skandalin “Arsidi” do të përfshihej edhe guvernatori asokohe i Bankës së Shqipërisë, Ilir Hoti.

Mes zyrtarëve që përfunduan prapa hekurave, ishte dhe Sabit Brokaj – një nga dy mjekët që iu dedikuan politikës së bashku me Berishën.

Edhe pse në funksionin e ish-ministrit të Shëndetësisë, ai do të arrestohej më 28 shkurt të vitit 1997.

Ndaj tij do të rëndonte akuza e organizimit të rebelimit në Jug të vendit, që nuk lidhej me postin.

“Me akuzat që më ngritën, unë duhet të isha 500 vjet në burg”, do të shprehej Brokaj. Ai u la nga gjykata në arrest shtëpie.

Safet Zhulali, ish-ministër i Mbrojtjes do të arrestohej më 22 gusht të vitit 1998 nën akuzën e “Krimeve kundër njerëzimit”.

Zhulali u dënua bashkë me pesë drejtues të lartë gjatë qeverisjes së demokratëve.

Në atmosferën e ngjarjeve të vitit 1997, Safet Zhulali, ministër i Mbrojtjes, doli kundër Berishës.

Ai denoncoi manovrat e ish-liderit demokrat për të mbajtur me çdo kusht pushtetin dhe shfrytëzimin e situatës në Kosovë për të shpërqendruar vëmendjen nga kriza vendase.

Zhulali do të lihej i lirë më 10 korrik të vitit 2000.

Halit Shamata do të arrestohej më 22 gusht të vitit 1998.

Ndaj ish-ministrit të Brendshëm do të rëndonte gjithashtu akuza e krimeve kundër njerëzimit në bashkëpunim.

Procesi i “të gjashtëve” vuri Shamatën, Zhulalin dhe drejtues të tjerë të lartë prapa hekurave.

Ai do të lirohej pas disa javësh nga gjykata.

Më 10 korrik të vitit 2001, prokuroria pushoi çështjen për mungesë provash dhe më pas gjykata i dha pafajësi.

Një tjetër zyrtar i Brendshëm që do të arrestohej ishte Perikli Teta.

Ish-ministri do të prangosej më 19 qershor të vitit 1999 në sallën e gjyqit gjatë procesit për vrasjen e ish-kryetarit të PD-së, Azem Hajdari.

Teta do të lirohej pas disa orësh me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Pas viteve 2000 i vetmi arrestim do të ishte Spiro Ksera – para precedenteve të Kokës dhe Tahirit.

Ish-ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe i Shanseve të Barabarta do të arrestohej më 29 janar të vitit 2016.

Ndaj tij do të rëndonte akuza për “shpërdorim detyre”. Gjykata e Tiranës do e dënonte me 1 vit e 8 muaj burg ish-zyrtarin.

Panorama e arrestimeve të zyrtarëve që pasuan dënime me burg, nuk është një “shëtitje në park”, por as një perspektivë e bujshme e drejtësisë shqiptare.

Në fjalët e ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, “Mund të vraponi, por nuk mund t’i fshiheni më ligjit”, zyrtarët janë thërritur në apel.

Kjo, referuar dy burgosjeve të dy ish-ministrave shqiptarë, Lefter Koka dhe Saimir Tahiri./ Albanianpost.com

J.GJ./K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 08/02/2022 03:00

    Shkrim shume interesant.Do te sugjeroja qe kjo liste te mos kufizohej vetem me ministrat e kohes se demokracise.Do te me pelqente nje liste e plote duke filluar qe nga 1912.Ketu mungojne ministrat e kohes se komunizmit,qe megjithese jane denuar padrejtesisht nga diktatura (gjykuar nga kendveshtrimi i sotem),prape pati plot qe perfunduan ne burgje,ose u ekzekutuan.Mungojne dhe qeveritaret komuniste qe u denuan gjate viteve te demokracise.Interesante do te ishte nese kemi arrestime te ketij niveli edhe para ardhjes se komunisteve ne pushtet.Pra duhet nje liste e plote.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Gjendet i pajetë emigranti nga vendet e Lindjes

Korçë/ Gjendet i pajetë emigranti nga vendet e Lindjes