Një vepër që të fut në zemër të emocioneve njerëzore, ku humori i hollë, improvizimi dhe dhimbja e heshtur ndërthuren natyrshëm për të sjellë një histori që prek shpirtin. E tillë mund të cilësohet shfaqja “Çdo gjë e shkëlqyer”, e cila është shfaqur premierë dhe është pritur shumë mirë nga publiku fierak.

Me regji të Altin Bashës dhe interpretim nga Ledio Lako, në qendër të shfaqjes është tregimtari, i cili që në fëmijëri nis të krijojë listën e tij të famshme të “gjërave të shkëlqyera”, ato gëzime të vogla që mbajnë gjallë dritën, edhe kur jeta errësohet.

Lista fillon pas tentativës së parë për vetëvrasje të nënës së tij, si një përpjekje fëminore për t’i rikthyer buzëqeshjen. Aty gjenden gëzime të thjeshta, si akulloret, lojërat me ujë apo të qëndruarit zgjuar pasi ka kaluar orari i gjumit.

Me kalimin e viteve, lista rritet bashkë me të, duke u kthyer në një mekanizëm të brendshëm përballjeje, por edhe në një kronikë të mijëra momenteve të vogla që i japin vlerë jetës. Ai e ndan atë me miq, mësues dhe partneren e tij, Tinën.

Edhe pse martesa e tyre nuk zgjat, jo nga mungesa e dashurisë, lista mbetet një simbol shprese që e shoqëron edhe në periudha më të errëta të jetës së tij të rritur.

“Nëse ke jetuar një jetë të gjatë dhe ke mbërritur në fund të saj, pa e ndier peshën e errët të depresionit atëherë nuk i ke kushtuar shumë vëmendje asaj që ndodh në botën rreth teje.”, thotë aktori Ledio Lako.

Aktori Lako solli një monodramë të strukturuar mbi dialogun e drejtpërdrejtë me publikun dhe improvizimin. Ndërsa regjisori Altin Basha thekson natyrën e veçantë të veprës.

“Është një vepër e thjeshtë por me dy tipare të veçanta. Nga pikëpamja stilistikore është një vepër e rrallë dramaturgjike, se është jo vetëm një paraqitje e aktorit para publikut, por një dialog i aktorit me publikun. Ai i përdor si partnerë, i përdor si karaktere. Publiku përfshihet, merr pjesë në vepër. Kurse sa i përket përmbajtjes së saj është një vepër që fton për reflektim, fton për një bisedë dhe sigurisht për një ridimensionim të botës që na rrethon, e cila shpesh na merr me vete në rutinën e saj dhe na bën të harrojmë gjërat e vogla, të cilat në fakt janë momentet e lumtura të njeriut, të cilat motivojnë jetën, motivojnë ringritjen edhe pas dhimbjeve të mëdha.”, thotë regjisori Altin Basha.

Shfaqja, e cila do të vijë edhe mbrëmjen e sotme mbyllet me mesazhin se jeta, edhe pse e vështirë, gjithmonë ka dritë, të fshehur në detajet më të thjeshta.