TIRANË- Një numër rekord gjobash është shënuar në 24 orët e fundit, ku 976 shoferë të ‘pabindur’ janë gjobitur në të gjithë vendin, për shkak se janë konstatuar duke lëvizur me shpejtësi mbi normat ose të dehur në timon. Shpejtësia varionte nga 132 km/h dhe maksimumi i shënuar është 169 km/h.
Ndërkohë, 8 shoferë kanë rënë në pranga, sepse 2 prej tyre po drejtonin mjetin pa patentë, ndërsa 6 të tjerë po udhëtonin nën efektin e alkoolit.
Pavarësisht kontrolleve të shtuara në rrugë nga policia, zbatimi i rregullave rrugore vijon të mbetet një problem. 46 leje drejtimi janë pezulluar në 24 orë, ku prej tyre 32 janë pezulluar pasi shoferët po lëviznin me shpejtësi mbi normat dhe 14 të tjerë ishin të dehur në timon.
Policia apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos shpejtojnë dhe të mos kryejnë parakalime të gabuara në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, në mënyrë që të ruajnë veten dhe të tjerët rreth tyre.