FIER- Vazhdon kontrolli me makinën inteligjente, radarët automatikë e dronë me qëllim evidentimin e të gjithë shoferëve që lëvizin m shpejtësi jashtë normave të lejuara si dhe nuk respektojnë rregulla e qarkullimit rrugor.

Policisë Rrugore e Fierit në bashkëpunim me Policinë Rrugore Durrës kanë monitoruar qarkullimin në Bypass-in e Fierit dhe në aksin rrugor “Lushnjë – Durrës” dhe anasjelltas ku janë konstatuar makina që  lëviznin me shpejtësi nga 142 km/h deri në 179 km/h.

Si rezultat i kontrolleve, janë pezulluar 89 leje drejtimi, për periudha nga 3 deri në 14 muaj, so dhe janë vendosur masa administrative nga 20.000 deri në 80.000 lekë të rinj, gjithashtu janë zbritur nga lejet e drejtimit, nga 10 deri në 13 pikë.

157 masa administrative u vendosën ndaj të gjithë shoferëve, të cilët makina inteligjente i skanoi gjatë punës së saj, për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara, por pa sanksionin plotësues të pezullimit të lejes së drejtimit.

44 drejtues mjetesh u ndëshkuan për 3 shkelje njëherësh, për qarkullim me shpejtësi mbi normën e lejuar, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe për mosvendosje të rripit të sigurimit.

Policia Rrugore vazhdon me apelin për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe të motomjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor me qëllim shmangien aksidenteve rrugore.