Si rezultat i kontrolleve të policisë rrugore, gjatë fundjavës në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 43 drejtues pasi u konstatuan duke thyer rregullat e qarkullimit rrugor. Përkatësisht, 17 prej tyre po drejtonin mjetet pa patentë, ndërsa 26 të tjerë ishin duke drejtuar makinën në gjendje të dehur.
Bëhet me dije se 125 patenta janë pezulluar pasi drejtuesit janë kapur me shpejtësi deri në 186 km/h në Bypass e Fierit dhe me mbi 185 km/h në aksin rrugor Sauk-TEG. Ndërsa, 55 shoferëve iu janë pezulluar patentat pasi kanë drejtuar mjetin në gjendje të dehur dhe 5 të tjera pasi shoferët kanë lëvizur në sens të kundërt.
Ndërkaq, për vetëm 2 ditë janë gjobitur 4.981 drejtues mjetesh në të gjithë vendin.
Nga telefonatat e qytetarëve është bërë e mundur parandalimi i 3 ngjarjeve që kanë vënë në rrezik jetën e kalimtarëve. Policia njofton se bëhet fjalë për një motomjet që udhëtonte në Unazën e Madhe duke kryer parakalime të rrezikshme. Drejtuesi I.B. po drejtonte motomjetin në gjendje të dehur dhe është bërë arrestimi i tij në flagrancë. Teksa i janë hequr edhe tre pikë nga leja e drejtimit dhe është gjobitur me 25 mijë lekë.
Në një denoncim tjetër të bërë nga qytetarët mësohet se shoferi i një mjeti tip 'Suzuki', tek semafori i Komunës së Parisit po kryente veprime agresive në timon duke tentuar të dëmtonte veten. Policia ka bërë të mundur neutralizimin e shtetasit të identifikuar si E.A. dhe ka konstatuar se ai ishte nën efektin e drogave të forta. Shtetasi E.A. është vënë nën hetim, është gjobitur me 10 mijë lekë dhe i janë zbritur 8 pikë nga leja e drejtimit.
Ndërsa në denoncimin e tretë bëhet fjalë për një automjet tip 'Benz' që po qarkullonte me shpejtësi dhe kryente manovra të rrezikshme në aksin rrugor Lezhë -Milot. Pas kryerjes së alkooltestit nga forcat policore është konstatuar se shtetasi Z.G., po drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 1.13 mg/l. Shoferit i është pezulluar patenta për 18 muaj, i janë zbritur 3 pikë nag leja e drejtimit si dhe ëshëtndëshkuar me masë administrative 32 mijë lekë.