Gjatë ditës së sotme janë pezulluar 17 leje drejtimi në akset Peqin-Rrogozhinë dhe Krrabë-Elbasan.

Gjatë kontrolleve të shtuara nga policia, janë ndëshkuar 8 drejtues mjetesh që qarkullonin ne shpejtësi nga 120 deri në 140 km/h, ndërkohë që tabela lejon të qarkullosh me 80 km/h.

Ndërkohë në aksin rrugor Krrabë-Elbasan gjatë mesditës së sotme janë evidentuar dhe ndëshkuar 9 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi nga 150 km/h deri në ekstrem 239 km/h, ku tabela lejon 110 km/h. Në kulmin e trafikut përtej çdo limiti të arsyes, kjo shpejtësi është vrasëse për jetën e drejtuesit të mjetit sado luksoz ta ketë, por aq dhe e rrezikshme për jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës.

Prej mëngjesit të sotëm e deri tani janë vendosur 23 masa administrative për parakalime të gabuara për manovra të rrezikshme në rrugë. 19 drejtues mjetesh janë dërguar në OASH, për mosvendosje të rripit të sigurimit, ndërsa 21 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit. Masa maksimale janë vendosur 3, me vlerë 30.000 lekë të rinj secila, për shpejtësi tej normave të lejuara, pasi drejtuesit e mjeteve ishin shtetas të huaj.

Policia ka bërë thirrje që të respektohen rregullat e qarkullimit rrugor, pasi në çdo rast drejtuesit e mjeteve mund të rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.