Thellimi marrëdhënieve në fushën ekonomike ishte diskutimi thelbësor mes dy diplomatëve të Shqipërisë dhe Danimarkës. Të paktën kështu thotë Gent Cakaj, ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme. Gjatë takimit që po zhvillon sot në Kopenhagen Cakaj thotë se informoi Danimarkën mbi ecurinë e 15 pikave që ka lënë si detyrë BE-ja, pasi sipas tij informimi i një shteti që mbeshtet anëtarësimin e Shqipërisë është i nevojshëm.
"Sot në Kopenhagen zhvillova një takim të shkëlqyer dhe shumë përmbajtësor me Ministrin e Jashtëm të Danimarkës, z. Jeppe Kofod!
Duke vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin dypalësh, theksuam rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve mes vendeve tona, veçanërisht në fushën ekonomike.
Danimarka ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në çeljen e negociatave për Shqipërinë. Prandaj, informimi i drejtë për punën që po bën Shqipëria për të zbatuar detyrimet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, është i pazëvendësueshëm. Ne do të vazhdojmë punën politike e diplomatike me gjithë vendet anëtare për të mundësuar përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Në fund, shprehëm edhe mbështetjen e ndërsjellë për marrjen e angazhimeve si anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit,"-thotë Cakaj.