Një 64-vjeçare nga Elbasani ka denoncuar në emisionin “Pa Gjurmë”, me gazetaren Odeta Dume, një histori që, sipas saj, nisi me marrjen e një kredie dhe përfundoi me detyrime të tjera financiare të hapura në emrin e saj. E ftuar në studio, Leta tregoi se për marrjen e kredisë së parë ishte ndihmuar nga fqinja e saj, e cila në atë periudhë punonte në një bankë.

Sipas 64-vjeçares, pas një kohe ajo është paraqitur për të mbyllur kredinë dhe ka firmosur disa dokumente pa i lexuar me kujdes. Më vonë, siç pretendon ajo, ka zbuluar se në emrin e saj ishte hapur një tjetër kredi, në shumën 10 mijë euro, për të cilën thotë se nuk kishte dijeni.

“E mora vesh kur më telefonoi banka. Më thanë se kisha një kredi prej 10 mijë eurosh dhe se nuk kisha paguar këstin mujor. U shokova, më erdhi si bombë”, rrëfeu qytetarja.

Leta pretendon se firma e saj është përdorur për hapjen e kredisë së re dhe thotë se i ka kërkuar bankës verifikimin e dokumentacionit dhe pamjeve të kamerave, për të provuar nëse ajo kishte qenë apo jo e pranishme në momentin e procedurave. Pjesa më e fortë e denoncimit të saj lidhet me pretendimin se punonjësja e bankës, e cila ishte edhe fqinja e saj, i kishte pranuar se e kishte kryer veprimin dhe i kishte sugjeruar të shpallej e vdekur, në mënyrë që kredia të pezullohej.

“Ma pranoi që e kishte bërë dhe më thoshte: ‘E paguajmë këstin të dyja’. Për dy vite i dhashë para në dorë çdo muaj. Më pas i thashë se nuk kisha më para dhe se do ta denoncoja. Ajo tani është larguar dhe nuk jeton më në Shqipëri. Ndërsa mua banka vazhdon të më shqetësojë”, deklaroi 64-vjeçarja.

Sipas saj, pretendimet ndaj ish-punonjëses së bankës nuk përfundojnë këtu. Leta rrëfeu se ajo i kishte sugjeruar edhe një mënyrë tjetër për pezullimin e kredisë.

“Erdhi në shtëpi dhe më tha: ‘Shko bëj diçka, shpallu të vdekur që ta pezullojmë kredinë’. E refuzova ta bëja”, tregoi ajo.

64-vjeçarja tha gjithashtu se sot jeton nën stres dhe frikën se mund t’i sekuestrohen pasuritë për shkak të detyrimeve që rezultojnë në emrin e saj. Ajo deklaroi se është e gatshme të përballet me punonjësen e bankës dhe kërkoi që institucionet përkatëse të verifikojnë të gjithë dokumentacionin, firmat dhe procedurat e ndjekura në rastin e saj.

Denonco çdo padrejtësi në “Pa Gjurmë” në numrin +699955698.