Katër shoferë janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë në tentativë për të korruptuar punonjësit e policisë rrugore.

Të arrestuarit janë përkatësisht dy 19 vjeçarë që po lëviznin me makinë me shpejtësi të lartë, një 52 vjeçar që u konstatua duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të makinës dhe një 35 vjeçar pa rrip sigurie. 

Të kapur në shkelje shoferët kanë tentuar t’i ofrojnë punonjësit të Policisë së Shtetit ryshfet.

Numri i personave të arrestuar “për korrupsion aktiv” të punonjësve të Policisë Rrugore e mbetur në tentativë ka shkuar në 44.

“Lufta kundër këtij fenomeni të turpshëm do të intensifikohet, qoftë ndaj shkelësve, qoftë ndaj atyre që kryejnë korrupsionin pasiv, punonjësve të policisë”, njofton policia.