Një grua që thotë se ishte viktimë e Jeffrey Epstein ka rrëfyer se financieri e trafikoi te miliarderi egjiptian Mohamed Al Fayed kur ajo ishte ende shumë e re.

Gruaja, e quajtur Natalie për të mbrojtur identitetin e saj, tha se Epstein e mbante gjithmonë nën kontroll dhe e dinte saktësisht se ku ndodhej. Ajo ishte prezantuar me të kur ishte vetëm 17 vjeç, përmes një kontakti në industrinë e modës, dhe shumë shpejt përfundoi nën ndikimin e tij.

“Jeffrey e dinte gjithmonë se ku isha, nëse ndodhesha në Spanjë, Gjermani, Londër apo Paris,” tha ajo.

Në verën e vitit 1997, Natalie mori një mesazh nga asistentja e Epstein që i thoshte se kishte një mundësi të mirë karriere dhe se duhej të takonte një njeri shumë me ndikim. Ky person rezultoi të ishte Al Fayed, në atë kohë pronar i dyqanit luksoz Harrods në Londër dhe i hotelit Ritz Paris.

Sipas saj, asistentja e Epstein i tha se Al Fayed ndodhej në jahtin e tij të ankoruar në Saint-Tropez dhe se ajo duhej të shkonte ta takonte. Natalie la menjëherë një set fotografik ku po punonte dhe u nis drejt aeroportit për të udhëtuar.

“Gjithçka me Epstein maskohej si një mundësi për karrierën,” tha ajo. “Ai më thoshte se njihte fotografë dhe njerëz shumë të fuqishëm në industrinë e modës.”

Natalie tha se e njohu menjëherë Al Fayed kur pa fotografinë e tij në një lajm vitin e kaluar dhe kjo e shtyu të flasë publikisht.

“Jam një mijë për qind e sigurt që ishte ai,” tha ajo.

Ajo kujton se u mirëprit në një jaht të madh nga një burrë shumë më i moshuar që u prezantua si Mohamed. Në bord ndodheshin edhe persona të tjerë, përfshirë një burrë që ajo beson se ishte vëllai i tij.

Sipas saj, gjatë kohës në jaht Al Fayed filloi të bënte komente seksuale të papërshtatshme dhe më pas e sulmoi seksualisht.

“Isha tashmë e mësuar me këtë lloj trajtimi,” tha ajo.

Më shumë se 400 gra kanë bërë akuza për përdhunim dhe sulm seksual kundër Al Fayed që nga vdekja e tij në vitin 2023, në moshën 94 vjeç.

Policia në Londër ka përshpejtuar hetimet për rrjetin e dyshuar të abuzimit, në kuadër të operacionit “Cornpoppy”. Hetuesit kanë marrë në pyetje disa persona të dyshuar për ndihmë dhe bashkëpunim në krime seksuale dhe trafikim njerëzor.

Autoritetet britanike po bashkëpunojnë gjithashtu me policinë franceze dhe po hetojnë përdorimin e aeroporteve private në Londër për trafikim të mundshëm të grave nga Epstein.

Dokumentet e publikuara së fundmi tregojnë gjithashtu lidhje mes Epstein dhe disa bizneseve të lidhura me Al Fayed, përfshirë përdorimin e terminaleve private të aeroportit dhe diskutime për transaksione të mundshme financiare.

Sipas viktimave, mënyra e funksionimit të dy burrave ishte shumë e ngjashme, duke përdorur ndikimin dhe rrjetet e tyre për të rekrutuar dhe manipuluar gra të reja.

Natalie tha se iu deshën vite për të kuptuar se ajo që po i ndodhte ishte trafikim.

“M’u desh shumë kohë ta kuptoja. Mendoj se ka ende shumë gjëra që duhet të dalin në dritë,” tha ajo.