TIRANË- Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro është arrestuar sot (2 qershor 2023) me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Gazetarja e Report Tv, Keti Banushi mëson se Duro është arrestuar nën akuzën për korrupsion, pasi dyshohet se ka abuzuar me një tender. Sipas burimeve mediatike është kapur në flagrancë duke marrë 4 milionë lekë ryshfet. Përveç Duros, mësohet se në pranga ka rënë edhe Laura Shteto, me rol specialiste te zyra e prokurimeve.

Korrupsioni me një tender, çoi në pranga dy zyrtaret e ministrisë, ndërsa Duro është kapur në flagrancë nga SPAK. Në një reagim për arrestimin e Duros, Prokuroria e Posaçme thotë se është një operacion në zhvillim e sipër dhe burime bëjën me dije se ka edhe urdhër arresti të prerë për disa persona të tjerë. Pikërisht për këtë arsye, SPAK nuk jep shumë detaje pasi priten edhe arrestime të tjera.

Kryeministri Edi Rama ka qenë në dijeni të këtij arrestimi para se të bëhej publike. Pasi në takimin në kuadër të turin e falënderimit që mbajti sot pasdite në Tiranë, Rama tha se një sekretare e përgjithshme është kapur në flagrancë duke marrë lekë dhe nuk fshehu zhgënjimin dhe indinjatën për këtë person “të padenjë”.

“Një sekretare e përgjithshme kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person që është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti. Uroj të ketë sa më shumë të tilla, por s’mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla. Është realisht diçka e rëndë", tha Rama.

Për këtë arrestim, erdhi një reagim nga nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, i cili tha se SPAK po merret me sardele në vend të krokodilëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:12
Arrestimi i Sekretares të Ministrisë së Shëndetësisë, reagon PL: SPAK merret me sardele në vend të krokodilëve

1672161184_pl.JPG

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka reaguar për arrestimin e sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe specialistes te zyra e prokurimeve duke thënë se SPAK po merret me sardele në vend të krokodilëve.

“SPAK prap me sardele në vend të krokodilëve si Rama dhe qeveria! Ua ua ua sa gezohet Rama kur arrestohen keto zv.ministret per nje arke me peshk dhe tani kjo sekretarja e pergjishme e shendetesise.

Gëzohet Rama se lëshon këto cironkat, që të shpëtojnë krokodolet si puna e tij dhe e ministrave të tij dhe të vazhdojne te vjedhin miliarda. SPAK po fajtoret per krimet zgjedhore te 14 majit, Inceneratoret, portin e Durrësit, Teatrin, koncesione supervjedhje, tendera me dhjete fish çmimi ku jane se per te njohur i di gjithe Shqiperia. SPAK e morem vesh perfundimisht qe urdherohesh per faqe te zeze nga Edi Rama, po mos e beni kaq trashe. Kjo nuk ishte Reforma e Drejtesise, por e Pandeshkueshmerise se Rames me shoke”, shkroi Vasili.

Ora 20:19
Del EMRI, ja kush është punonjësja e arrestuar në Ministrinë e Shëndetësisë për korrupsion

Laura Shteto është punonjësja tjetër e arrestuar në Ministrinë e Shëndetësisë nën akuzën për korrupsion. Në pranga ka rënë edhe sekretarja e përgjithshme, Joana Duro.

Ora 20:09
Arrestohet sekretarja e përgjithshme e ministrisë së Shëndetësisë, reagon SPAK: Operacioni vijon

1676494051_gffafa.jpg

Prokuroria e Posaçme ka reaguar për arrestimin e sekretares së Përgjithshme të ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro. SPAK thotë se është një operacion ën zhvillim.

“Është një operacion në zhvillim e sipër. Është arrestuar në flagrancë Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë për veprën penale të korrupsionit. Nuk mund të them më shumë për momentin”, thotë SPAK.