TIRANË-  'Një sekretare e përgjithshme kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person që është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti"  Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama ndër rreshtat e fjalimit mbajtur pasditen e sotme në turin e falenderimit në Tirana vetëm pak minuta para se të mësohej arrestimi i sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro.

Rama u shpreh se sekretarja e përgjithshme është kapur në flagrancë duke marrë lekë, ndërsa ngriti edhe pyetjen si mund të ndodhë kjo? Kryeministri theksoi se ishte Partia Socialiste ajo që inicioi reformën në drejtësi dhe do ta vazhdojë ta mbështesë pa asnjë lloj kompromisi me askënd.

“Një sekretare e përgjithshme kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person që është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti. Uroj të ketë sa më shumë të tilla, por s’mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla. Është realisht diçka e rëndë. Mungesa e sensit të patriotizmit, sensit të detyrës, mungesa e sensit të etikës, në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli është realisht e tmerrshme. Këtu e kemi hapur vetë këtë kuti të pandorës, megjithëse se s’kemi pranuar duke mbajtur qeverisjen e këtij vendi për të vazhduar avazin e disa shekujve ku të pushtetshmit, kurrë asnjëherë nuk janë thirrur asnjëherë nga drejtësia. Këtë e kemi bërë ne. Ne e kemi zgjedh këtë rrugë, s’ka kthim mbrapa dhe kompromis me askënd. E kam ditur që kjo nuk është rrugë që do mbarojë shpejt, por rruga e një gjenerate për të arritur që ky vend të ketë drejtësi të barabartë për të gjithë. Kjo është një rrugë me shumë vështirësi, situata të shëmtuara, të hidhura, njerëz që kanë marrë gjithçka”, tha Rama.

Duke u ndalur tek rezultati i arritur në 14 Maj, Rama tha se PS ka punuar si një orkestër harmonike, ku të gjitha hallkat kanë funksionuar për të arritur tek qytetari.

“Por, pa harruar koordinatorët, të deleguarit, pa harruar deputetët, pra është një orkestër harmonike dhe këtë herë, duke prodhuar një rezultat, që unë i mirëkuptoj deri diku edhe ata që s’e kuptojnë, se si mund të arrihet një rezultat i tillë. Partia ka arritur të ndërtojë një bazë të rezultatit, ndërsa kandidati ka rolin e tij në këtë rezultat”, tha Rama.

Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës e njëkohësisht drejtuesit poltik I qarkut Erion Veliaj, tha se ndihej i prvileguar për fitoren me rreth 60 mijë vota diferencë në kryeqytet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:21
Edi Rama: Hipotekën e kemi trajtuar si zonë interesash, të fuqishmit e PS punësojnë njerëzit e tyre! Të na vijë turp

 

Gjatë turit të falenderimit për besimin që i është dhënë PS-së në Tiranë, kryeministri i vendit Edi Rama është ndalur dhe tek çështja e pronave. Gjatë fjalës së tij, Rama është shprehur se Hipoteka është trajtuar ndër vite si një vend ku të fuqishmit e PS punësojnë njerëz teksa shton se për këtë duhet të ju vijë “turp” pasi nuk është bërë mjaftueshëm për reformën në drejtësi.

"Kemi një problem të madh, s’kemi stabilitet në çështjen e pronës. Këtu flas për faktin që sot një shqiptar i zakonshëm akoma nuk e ka të lehtë 100% që të marrë nga hipoteka certifikatën e pronësisë, se e ka atje, që ta nxjerrë se i duhet. Shumëkush për ta marrë... Ka shumë lidhje se ne kemi përgjegjësinë që një bankë, hipoteka është një bankë, është një bankë pasurish të patundshme, e kemi trajtuar si një vend ku të fuqishmit e kësaj partie punësojnë njerëz. Duhet ta themi këtë, se ne nuk mundemi dot të krenohemi me reformën në drejtësi, nëse jemi pengesë për trajtimin e drejtë të qytetarëve. Nuk ka ndodhur që një person i lidhur me pushtetin dhe madje në nivele të larta, kjo ndodh vetëm sot dhe falë reformës q mbështesim ne. Kjo është njëra anë, por ana tjetër është cilën drejtësi bëjmë në të përditshmen tonë në dyert e Kadastrës. Si mundemi në që ti themi vetes që e meritojmë atë votë, atë besim, nëse ne nuk u japim atyre njerëzve. Si mund t’i gëzohemi asaj fitoreje pa e menduar faktin që pjesa më e madhe e këtyre njerëzve akoma sot nuk trajtohen si njerëz në Kadastër.

Po cilën drejtësi bëjmë ne në të përditshmen tonë në dyert e Kadastrës dhe si mundemi ne që t’i themi vetes që ne e meritojmë atë votë dhe atë besim nëse ne nuk i japim atyre njerëzve, si mund të shkojmë ne dhe të flemë të qetë? Si mund t’i gëzohemi kësaj fitoreje pa e menduar faktin që pjesa më e madhe e atyre që na kanë votuar ne, nuk trajohen si njerëz në Kadastër? Ashtu siç nuk i shkon mendja njeriu ti thotë bankës shteti s eca duhet të bëjë, ashtu s’duhet ti shkojë mendja njeri që të merret me pronat e shqiptarëve, se kjo është kulminante.

Kush ka pasur “2 Lekë pushtet” në parti, e ka parë hipotekën si një zonë trafiku interesash të veta. Këtë të vërtetë është mirë ta themi, të na vijë turp nga kjo gjë. Kush ka dorë në këtë turp, duhet të heqë dorë dhe ajo agjenci duhet të bëhet bankë. Ashtu siç nuk i shkon mendja njeriu ti thotë bankës shteti se ca duhet të bëjë, ashtu s’duhet ti shkojë mendja njeri që të merret me pronat e shqiptarëve, se kjo është kulminante. Ne kemi mundësi që pas 2 vitesh, këtë pritshmëri të madhe, të mos e kemi humbur dhe të mos e shohim atë hartën që të ndryshojë, por të shohim se si ajo mund  të ndryshojë akoma më shumë për ne dhe kjo nuk ka të bëjë fare me fundin e demokracisë", tha Rama. 

Ora 19:26
Rama takim falenderues në Tiranë: Kamza ishte trëndafili i fitores së PS

 

Partia Socialiste ka organizuar një takim falenderues për fitoren e 14 majit në Qarkun e Tiranës. Rama tha se qytetarët iu besuan me votë atyre për të vijuar punët e mira për Shqipërinë, ndërsa triumfin në Kamëz e cilësoi si trëndafili i fitores së PS.

Rama tha se në Kamëz nuk kishin fituar asnjëherë, duke thënë se qytetarët kanë votuar me mendje. Rama tha se kjo fitore historike në të gjithë vendin tregon që qytetarët kanë një pritshmëri të lartë për PS.

“Nëse ju nuk do ishit në lartësinë e kësaj sfide unë nuk do ju kisha mbështetur. Kështu që çdokujt i pëlqejnë falenderimet por në këtë rast më duken pak të tepërta. Në këtë takim ne jemi për të falenderuar të gjithë ata që mundësuan këtë rezultat pa i hequr asnjë meritë kandidatëve por duke theksuar faktin që nëse nuk do ishin në lartësinë e duhur të gjithë ata të cilët i dhanë jetë kësaj fushate por edhe përpara kësaj fushate e përgatitën këtë fushatë, por dhe përpara përgatitjes ishin aty siç kanë qenë aty, ne nuk do kishim arritur dot rezultatin që arritëm. Mbi të gjitha ky rezultat është rezultati i PS. Është rezultati i një organizate e cila është fuqizuar, është konsoliduar si një skuadër që luan së bashku për një kohë relativisht të gjatë mekanizmat e të cilës janë të kolauduar.

Repartet janë të harmonizuara, organizatat bëjnë punën e tyre, patronazhistët bëjnë punën e tyre, futjen dhe të aktivistëve është shtuar një repart i ri i cili është ende në fillesat e veta por ka dhënë kontributin e vetë por shpresoj ta ketë më të madh në të ardhmen, pa harruar koordinatorët, të deleguarit, pa harruar edhe deputetët. Është një orkestër harmonike që ka arritur përsëri të bëjë detyrën dhe këtë herë duke prodhuar një rezultat të cilin e mirëkuptoj deri diku. Patjetër që partia ka arritur të prodhojë një bazë të rezultatit ku pastaj merita e kandidatëve është që mbi atë bazë të prodhojnë dhe ata pjesën e tyre.

Nuk besoj se i ngelet hatri Lali Erit se boll e kemi përkëdhelur në kuptimin e mirë të fjalës, se mos na del ndonjë titull kështu pa dashje, në radhë të parë të them që në këtë buqetë të Tiranës trëndafili më i bukur është trëndafili i Kamzës. Për faktin se ishte dhe beteja më e pamundur teorikisht. Në Tiranë e kemi traditë të fitojmë, në Vorë kemi humbur por edhe kemi fituar, në Rrogozhinë përgjithësisht kemi fituar, ndërkohë që në Kamëz ne nuk kishim fituar asnjëherë. Në Kamëz ishte shembulli i jashtëzakonshëm i një harmonizimi të dëshirës së madhe për të fituar me punën e madhe për të fituar por edhe kandidatin e madh për të fituar. Kështu që 60% në Kamzë është diçka e jashtëzakonshme.

Një nga arsyet e asaj vote janë ato që janë bërë për fëmijët e Kamzës. Votuesit kanë bërë një zgjedhje, një pjesë të madhe të tyre, kanë votuar me mend, jo me zemër. Me siguri e kanë dëshiruar një kandidat si Rakipin. Ka mbyllur në kohë rekord rindërtimin, ka krijuar një sinergji me njerëzit. Rezultati i 14 majit është një rezultat i kombinuar gjerash, ndërkohë që unë nga eksperienca ime besoj se nuk ekziston një kategori e zgjedhjeve lokale, janë gjithmonë kombëtare, pavarësisht nëse zhvillohen në rol kombëtar apo lokal, në fund të ditës nëse nuk ka një qasje kombëtare të së tërës nuk lexohet mirë edhe vota.

Pritshmëria, ky rezultat tregon pritshmëri shumë të madhe. Në mes të mandatit të tretë tërësor të kesh një pritshmëri kaq të madhe është shumë sfiduese. Është inkurajuese se kjo tregon që njerëzit nuk e kanë humbur shpresën tek ti, tek ne, por sfiduese se pritshmëria e madhe mund të kthehet në problem, se do të thotë që njerëzit presin shumë, dhe s’do të thotë që presin gjatë. Ne mund të bëjmë shumë më tepër, krijimi i një raporti me njerëzit, ku ata të ndihen të respektuar dhe të dëgjuar. Jo cdo gjë mund të plotësohet, por ama cdo gjë mund të diskutohet, jo për cdo gjë mund të thuhet po, por për çdo gjë thuhet të dëgjova", tha Rama. 

Ora 19:22
Turi i mirënjohjes, Rama e Veliaj: Fitore historike më 14 maj, shqiptarët na dhanë besimin për ta çuar Tiranën përpara

 

Turi i mirënjohjes së Partisë Socialiste pas fitores së 14 Majit është ndalur sot në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fjalës së tij në takimin ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, u shpreh se ndihet i privilegjuar për fitoren e thellë me rreth 60 mijë vota diferencë në kryeqytet. 

“E kam zemrën plot mirënjohje sot! Për mua është një bekim i vërtetë dhe një privilegj i jashtëzakonshëm që qyteti na dha, me një diferencë të thellë rreth 60 mijë vota, besimin për ta çuar Tiranën përpara. Edi e thotë shpesh, unë kam lindur me këmishë. Unë vërtet ndihem i lindur me këmishë me një skuadër pozitive dhe me një ekip që në Tiranë prodhoi një rezultat 27 me 0, duke sjellë fitoren në secilën prej njësive. Por kemi pasur edhe përputhjen më të madhe ndonjëherë të votave të partisë me votën e kandidatit, një disiplinë e jashtëzakonshme dhe një disiplinë mbresëlënëse. Sot ne kemi 34 mandate për këshillin bashkiak,” u shpreh Veliaj. 

Nga ana tjetër, ai tha se disa mesazhe të forta në këto zgjedhje dhanë edhe demokratët. 

“Disa demokratë ndoshta nuk ishin gati të votonin kësaj here për PS-në, por na dhanë mesazhin për 2 - 3 gjëra që ne biem dakord edhe me ata. Ramë dakord me ata që ne nuk kemi luftë me Amerikën dhe demokratët që nuk na votuan ne, refuzuan gjithashtu të votonin Saliun dhe Ilirin; na dhanë një mesazh që ata luftë me Europën, me civilizimin, me perëndimin dhe SHBA-të nuk janë gati të bëjnë dhe në këtë pikë mendojnë si ne. Kur shikoj që ata ishin 60% vota më pak se ne te kandidati dhe pastaj u përgjysmuan edhe një herë te Këshilli, na dhanë dhe një mesazh tjetër shumë të fortë. Jo vetëm s’ishin gati dhe s’duan të bëjnë luftë me Amerikën dhe perëndimin, por ata nuk ishin gati të shkonin të bënin krushqi me ‘Jovan Bregun’ dhe krushqinë e Saliut dhe Ilirit e bojkotuan edhe një herë tjetër, duke i përgjysmuar edhe në këshillat bashkiakë,” tha më tej Veliaj. 

Veliaj uroi edhe anëtarët e rinj të Këshillit Bashkiak, të cilët, tha ai, do të punojnë ngushtë në këtë 4-vjeçar me deputetët e Tiranës. 

“Dua t’iu uroj sukses 34 anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe do të doja që t’i bashkohen skuadrës sonë të mrekullueshme të deputetëve të Tiranës. Nga ky moment do të duhet të sillen edhe ata si deputetë lokalë, për të ndarë barrën e një Tirane që rritet në mënyrë të jashtëzakonshme me 20-25 mijë vetë në vit, për të dhënë një dorë në punët e deputetit, deputetes, apo të deleguarve që kanë detyra në komunitet. Nëse ne blindojmë këtë skuadër të deputetëve që meritojnë gjithë mirënjohjen e falenderimin tim, që ma kanë bërë shumë të lehtë punën, sidomos në Bashkinë e Tiranës, atëherë edhe Këshilli Bashkiak, si deputetë të vegjël të një Tirane 1 milionëshe që ka përgjegjësinë, ka 40% të popullsisë së vendit, 50% të ekonomisë do të thotë që menaxhimi me seriozitet e përulësi i këtij qyteti është një barrë që duhet ta ndajmë të gjithë bashkë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.