Me zemër të hapur, por me derën mbyllur…

Me zemër të hapur, por me derën mbyllur…

Një vështrim sado sipërfaqësor i historisë së njerëzimit mjafton për të kuptuar se migrimi ka qenë e mbetet një element thelbësor i species sonë dhe i dominimit të planetit ku jetojmë.  Pavarësisht arsyeve, qofshin ato ekonomike, sociale, fetare apo dhe thjesht kurioziteti për të eksploruar të panjohurën, humanët kanë migruar prej mijëvjeçarësh, dhe lëvizja “e lirë” e njerëzve ka qenë mëse normale e natyrale deri në instalimin e sistemit të konsoliduar të kufijëve, pasaportave e vizave, diku nga fundi i shekullit të 19të.
 
E me gjithë kufizimet e vështirësitë që emigrantët kanë hasur e vijojnë të hasin kudo në botë, emigracioni nuk po shënon ngadalësim, teksa vendet destinacion të masave migratore (kryesisht Europa Perëndimore dhe Amerika e Veriut) prej vitesh përballën me një dilemë socio-politike shumë të komplikuar. Emigrantët janë një burim jetësor i fuqizimit ekonomik të një vendi specifik; ata rrisin larminë dhe kapacitetin e tregut të punës teksa injektojnë ide, para dhe aftësi të reja në ekonomi e shoqëri. Në anën tjetër të medaljes, emigrantët mbartin me vete racë, gjuhë, besim fetar, praktika, doke e zakone të ndryshme nga ato të shoqërisë e vendit pritës, e rrjedhimisht ky kontrast krijon tensione të vazhdueshme sociale e politike, të cilat janë lehtësisht të vrojtueshme në shumë prej shoqërive moderne në Europë e më tej.
 
Konsideruar sa më lart, zhurmnaja për ardhjen e afganëve në Shqipëri, shoqëruar me një agresivitet të fortë ksenofob, është sa e pashpjegueshme aq edhe shqetësuese në aspektin afatmesëm e afatgjatë të zhvillimit të vendit. Nuk dua të bëj këtu një analizë të pro-ve apo kundra-ve që lidhen me rastin specifik, pasi situata është sui-generis (të ardhurit nuk janë emigrantë apo refugjatë tradicionalë) dhe përfshin detyrimet e angazhimet tona në kuadrin e marrëdhënies me partnerin tonë strategjik, pra SHBA-të.  Rasti në fjalë thërret për një thellim të kujdesshëm në aspektin e sigurisë kombëtare, dhe rrjedhimisht u mbetet organeve kompetente të vendosin strategjinë e duhur dhe hapat që duhet të ndërmerren për të (mirë)pritur të ardhurit nga Afganistani. 

Ndërkohë, një pjesë e mirë e shoqërisë shqiptare duket se ka harruar që “afganët” ishim ne, deri para 2 dekadave. Emigrantët shqiptarë për vite me rradhe e kujtojnë mirë se me ç’paragjykime, agresivitet, barbari e trajtim çnjerëzor janë përballur (e diku akoma vijojnë të përballen) në çdo ndërveprim me shtetin, ushtrinë, policinë, punëdhënësit apo secilin komponent të shumë shoqërive “perëndimore” ku shqiptarët u dyndën në fillim të viteve 90të. Etiketimet si ‘barbarë të pagdhendur’, ‘njerëz me bisht’, ‘muslimanë të prapambetur’ apo ‘mbeturina të komunizmit’, kanë shenjuar për vite me rradhë përçapjet e emigrantëve shqiptarë për t’u integruar në vendet ku ata emigruan. E pavarësisht këtij realiteti aspak mikpritës, emigrantët shqiptarë kanë ditur të mirëintegrohen në shoqëri e ekonomi, në akademi, sport, art e kulturë në çdo vend ku kanë shkuar, duke përbërë sot një aset për vendet pritëse, por edhe një potencial të fortë zhvillimor për vendin e origjinës, përmes remitancave apo investimeve direkte e indirekte. Sa më sipër nuk na bën ne shqiptarëve më të veçantë apo më të aftë se ‘të tjerët’; adaptimi dhe integrimi (apo dhe asimilimi) në shoqëritë pritëse është element natyral i migracionit, dhe shumë i thjeshtë për t’u vrojtuar në dhjetra raste, që nga italianët në SHBA prej mesit të shek. 19të, tek filipinasit në Australi, tek venezuelianët në Kili, tek polakët në Mbretërinë e Bashkuar, apo indianët në Kanada.  Shumëkush mund të pretendojë se, ndryshe nga afganët, ne shqiptarët jemi “europianë” (dhe kjo është absolutisht e vërtetë, historikisht dhe gjeografikisht), por është e sigurtë që me qindra mijëra njerëz (dhe institucione) në Greqi, Itali, Francë, Gjermani, Austri apo Mbretërinë e Bashkuar nuk na kanë parë e vlerësuar si të tillë, e ndoshta akoma nuk na shohin si europianë e si të barabartë. Rrjedhimisht, agresiviteti dhe mungesa e tolerancës së një pjese të shoqërisë shqiptare ndaj ‘tjetrit’ dhe ‘të huajit’ janë hipokrizi dhe historikisht të pajustifikueshme, konsideruar një të shkuar jo shumë të largët e cila ka prekur thuajse çdo familje shqiptare.
 
Ndërkohë, në kontekstin e asaj që po ndodh me ardhjen e afganëve, na duhet të konsiderojmë edhe një të ardhme jo shumë të largët. Nëse aspirojmë që ekonomia e vendit tonë të rritet e të zhvillohet, domosdoshmërisht do duhet të përballemi me faktin që vendi ynë do të bëhet detyrimisht një destinacion migracioni. Nëse sektori i turizmit do zhvillohet edhe më tej për të pritur numra më të mëdhenj turistësh (përfshirë turizmin malor dhe të aventurës), nëse bujqësia do të zgjerohet në agro-përpunim e agro-turizëm, dhe nëse sektori i shërbimeve do profilizohet e perfeksionohet për t’i shërbyer tregjeve europiane, është e sigurtë që vendi do ketë nevojë për krahë pune të cilat shoqëria vendase nuk mund t’i ofrojë. Nëse trendi rritës i ekonomisë dhe shoqërisë sonë vijon, kombinuar me një aderim afatmesëm në Bashkimin Europian, afërmendsh Shqipëria do kthehet në një destinacion migracioni. Po ashtu, logjikshëm, emigrantët në Shqipëri nuk kanë për të ardhur nga vendet e Bashkimit Europian, por me shumë gjasa nga Afrika, Azia apo Lindja e Mesme, e rrjedhimisht do jenë shumë “të ndryshëm” nga ne; pikërisht ky ndryshim është i vështirë të pranohet!

Sfida që e pret shoqërinë tonë nëse ky skenar kthehet në realitet është serioze dhe tejet e komplikuar në aspektin sociologjik. Anipse në përfytyrimin tonë ne vetëshenjohemi si mikpritës dhe tolerantë, shoqëria jonë (të paktën në kohët moderne) është gati hermetike dhe nuk është përballur thuajse kurrë me sfidën e pritjes  dhe integrimit të ‘të huajit’. Rastet e flukseve të popullatës çame (në vitet 20të e 30të të shekullit të kaluar) apo refugjatëve të luftës nga Kosova nuk janë identifikuese, pasi ‘të ardhurit’ ishin etnikisht e gjuhësisht të njëjtë me ne.
 
Pavarësisht retorikës dhe auto-identifikimit si bujarë e mikpritës, duket se një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare nuk ndihet fort rehat me idenë e të jetuarit pranë refugjatëve apo emigrantëve.  E ashtuquajtura “kulturë mikpritjeje” mund të mos ekzistojë në shoqërinë shqiptare, konsideruar që ‘të huajt’ do duhet të ndajnë me ne lagjen, shkollat, restorantet, transportin publik, plazhet, kinematë, rradhët e institucioneve apo edhe vendin e punës.  Eksperienca të ngjashme nga bota perëndimore na tregojnë se shoqëritë mund të jenë dakort ‘në letër’ për të “pranuar” të huajt, por individët brenda këtyre shoqërive zakonisht aplikojnë pozicionimin NIMBY (Not-In-My-Back Yard) ose ‘Jo-Në-Bahçen-Time’, dhe e pranojnë të huajin në parim por hasin vështirësi kur ky i huaj prek të ditëpërditshmen e tyre. Pak a shumë, përqasja jonë duket se është e stilit: me zemër të hapur, por me derën mbyllur, e kjo përqasje ne nuk na shkon!
Është pikërisht momenti i duhur që shoqëria shqiptare të nisë së brendshmi këtë debat shumë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Shoqëria civile dhe media, bota akademike dhe komuniteti i biznesit, së bashku me klasën politike dhe institucionet qeverisëse, duhet të diskutojnë e analizojnë publikisht potencialin për hapjen e vendit ndaj ‘të huajve’, duke vendosur në kontekst historinë e vendit tonë, nevojat e shoqërisë dhe ekonomisë, si dhe gjithë kompromiset socio-kulturore që duhen bërë në emër të tolerancës, mikpritjes e përfshirjes. Nëse ky debat nuk ndodh tani, është e sigurt që përtej incidenteve me sfond racial e etnik, shumë shpejt do përballemi me slogane si “Shqipëria për shqiptarët” a ndonjë parti me fjalën “ariane” në emër e në program!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Anomas: 18/08/2021 04:37

    Po kur shqiptaret moren dhene neper europe e harruat?? Na hapen dyert qe nga Italia qe shkuan me dhjetra mijra e Gjermani, France e ku te mundeshin. Tani bejme si shtrigane per te tjeret qe jane sic ishim ne dikur mos me keq....turp ku e keni humanizmin??

    Përgjigju
  • Beni: 17/08/2021 18:42

    Ne jemi europian or taj. Ne dikur ne kohen e luftes shkonim ne Amerik e Europ po pas 90 cuditerisht na u ndalua kjo e drejt Smund te vesh vija paralele midid shqiotareve dhe afganeve

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë