Në një artikull të publikuar nga “Daily Mail”, Tirana përshkruhet si një nga destinacionet më intriguese dhe më ekonomike në Europë, ku bunkerët e epokës komuniste, muzetë e errët të diktaturës dhe jeta moderne plot energji bashkëjetojnë në mënyrë surprizuese. Gazetari britanik Tom Chesshyre ndalet veçanërisht te kompleksi Bunk’Art dhe atmosfera unike e kryeqytetit shqiptar, përpara se të eksplorojë edhe Durrësin, qytetin antik buzë Adriatikut.
Artikulli i plotë i Tom Chesshyre
Kur një arkeolog në portin shqiptar të Durrësit vuri re se një pemë fiku ishte shembur në një zgavër pranë mureve të qytetit, ai nuk e kuptoi menjëherë se çfarë kishte zbuluar. Por teksa nisi gërmimet, gjeti disa gurë. Dukeshin të lashtw, dhe vërtet ashtu rezultuan. Bëhej fjalë për një pjesë të një amfiteatri gjigant romak, të aftë për të mbajtur 20 mijë spektatorë, që daton rreth vitit 100 pas Krishtit.
Ishte viti 1966. Durrësi, pas një zbulimi të madh arkeologjik, fitoi papritur një arenë antike “të re” 20 metra të lartë. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, dhe porti i saj i afërt, Durrësi, 40 kilometra në perëndim, janë plot me zbulime të papritura.
Por të gjitha kanë një gjë të përbashkët: janë shumë ekonomike. Aq sa Tirana është renditur së fundmi si qyteti i tretë më i lirë në Europë, sipas raportit “Post Office City Costs Barometer” për vitin 2026. Hyrja në amfiteatrin spektakolar? Vetëm 2.30 paund. Biletat për një shfaqje në Operën e Tiranës? 3.50 paund. Vizita në muzeumet kryesore? 6 paund. Një darkë me tre pjata dhe verë në një restorant cilësor me gatime tradicionale? Rreth 25 paund.
Ndërkohë, një dhomë dyshe në një hotel elegant në Tiranë kushton rreth 65 paund nata, ndërsa fluturimet vajtje-ardhje mund të gjenden edhe me vetëm 30 paund. Pra, është padyshim një destinacion me vlerë kur vjen puna tek paratë. Në një studim për destinacionet me raportin më të mirë cilësi-çmim, Analistët e kompanisë së kartave të kreditit “Zable” e renditën së fundmi Tiranën përpara Plovdivit në Bullgari dhe Talinit në Estoni.
Disa ekspertë madje thonë se Tirana është destinacioni më i lirë në Europë për një pushim të shkurtër urban. Të eksplorosh si Tiranën ashtu edhe Durrësin gjatë një fundjave të gjatë është mënyra perfekte për të marrë një shije të parë të këtij vendi ende jo shumë të vizituar. Durrësi është ideal edhe për një ekskursion ditor. Bileta vajtje-ardhje me autobus kushton vetëm 2.70 paund.
Është kënaqësi të ecësh përgjatë shëtitores pranë marinës dhe amfiteatrit, ndërsa një erë e freskët vjen nga Deti Adriatik. Një park shtrihet përgjatë bregdetit, i mbushur me statuja gladiatorësh, peshkatarësh antikë dhe disi çuditërisht, figurina të John Lennon, Tina Turner, Bob Dylan dhe Mick Jagger.
Këto statuja janë argëtuese. Jagger paraqitety duke vallëzuar energjikisht. Lennon duke luajtur mendueshëm kitarën. Dylan duket paksa i hutuar sesi përfundoi në një port shqiptar. Ndërsa Tina Turner shfaqet plot energji. Statujat u vendosën si simbol i hapjes kulturore pas komunizmit. Në fund të fundit, kanë kaluar vetëm 35 vite që nga rënia e regjimit represiv të Enver Hoxhës.
Më pas ndalojmë te Kulla Veneciane dhe hamë një picë me 4.50 paund dhe pimë birrë Korça me 2.70 paund në një lokal buzë molit, duke festuar çmimet e lira dhe faktin që jemi larg turmave turistike të Mesdheut
Pas kthimit në Tiranë, vizitojmë “Shtëpinë e Gjetheve”, ish-qendra e përgjimeve e drejtuar nga Sigurimi, policia famëkeqe sekrete e Hoxhës.
Aty mësojmë për mijëra vdekje dhe persona të zhdukur, sesi pothuajse çdo vend përgjohej dhe sesi familjarët spiunonin të afërmit e tyre. Hoxha duket se kishte një paranojë të theksuar. Gjatë regjimit të tij u ndërtuan 175 mijë bunkerë, të përgatitur për luftë apo sulm bërthamor.
Njëri prej tyre ndodhet pranë Sheshit Skënderbej, i emëruar sipas heroit kombëtar që mundi osmanët në shekullin XV. Ai quhet Bunk’Art2, me dyer të trasha që të çojnë në dhoma ku rrëfehen histori të tjera terrori komunist, ndërsa arti modern përpiqet të zbusë atmosferën.
E njëjta ndjesi të pret edhe në Bunk’Art1, një kompleks edhe më i madh, i perceptuar si selia e Hoxhës pas një sulmi bërthamor. Brenda mund të vizitosh dhomën dhe zyrën e tij të veshur me dru, ku ende ndodhet një fotografi e Stalinit mbi tavolinë.
Ky kompleks i çuditshëm dhe disi rrëqethës ndodhet pranë teleferikut që të ngjit 900 metra mbi malin e Dajtit. Prej andej shijohet pamja më e bukur e kryeqytetit shqiptar, i rrethuar nga maja të thepisura malesh. Megjithatë, magjia e Tiranës qëndron te atmosfera e saj e qetë dhe sociale dhe ndjenja e çlirimit nga tensioni i viteve komuniste ndihet ende fort.
Edhe ushqimi nuk është aspak i keq. Në zonën e Bllokut, dikur vendbanim i elitës komuniste, darkojmë mish viçi të gatuar ngadalë dhe pimë verë shqiptare. Më pas ndalojmë te njw bar për të dëgjuar muzikë live, një këngëtare interpreton këngët e Amy Winehouse, madje shumë mirë. Birrat kushtojnë 3.60 paund, ndërsa gotat e rakisë ofrohen falas nga një kamarier miqësor.
Banorët vendas na tregojnë për jetën në Tiranë dhe sa shumë e duan qytetin e tyre. Edhe ne biem dakord: Tirana është argëtuese, plot jetë dhe gjithmonë surprizuese, dhe është shumë larg ditëve të errëta të regjimit brutal dhe shtypës të Enver Hoxhës.
Komente











